Lajme

Hartohet strategjia kundër ekonomisë joformale!

Ministri i Financave, Besim Beqaj tha se luftimi i ekonomisë jo formale mbetet edhe më tej një ndër prioritetet e Qeverisë së Kosovës

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës në bashkëpunim me Shoqatën e Bankave, Shoqatës së Sigurimeve, Institutit për Krime Ekonomike, Odën e Avokatëve dhe shoqërinë civile, kanë hartuar strategjinë dhe Planin e Veprimit për Parandalimin dhe Luftimin e Ekonomisë Joformale

Ministri i Financave, Besim Beqaj tha se ekonomia jo formale mbetet edhe më tej një ndër prioritetet e Qeverisë së Kosovës. Prandaj, sipas tij, Kosova i ka shpallur luftë kësaj ekonomie, si sfidon përditë zhvillimin e vendit. 

“Ekonomia jo-formale është e dëmshme për të gjithë: ajo ka efekte negative për vet bizneset, të punësuarit dhe Qeverinë dhe për këtë arsye është e rëndësishme që institucionet të bëjnë më të mirën për të luftuar këtë dukuri dhe rrjedhimisht, për të ofruar një ambient më të volitshëm për të bërë biznes”, tha ministri Beqaj.

Ai tha se vitet e kaluara Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë një sërë veprimesh për të luftuar dhe parandaluar ekonominë joformale.

Ministri Beqaj tha se është me rëndësi që Strategjia për parandalimin dhe luftimin e ekonomisë jo-formale, pastrimit të parave dhe financimin e krimeve ekonomike të jetë sa më gjithëpërfshirëse dhe reflektim i konsultimeve me të gjitha palët e interesit, si një parakusht për implementim më të lehtë.

Naim Gashi është profesor i ekonomisë në Universitetin e Mitrovicës, tha se  Ekonomia joformale është një dukuri shumë e dëmshme për ekonominë e Kosovës që nga paslufta.

“Kjo dukuri ka qenë më e theksuar në veri të Kosovës ku kontrabandimi ka qenë pothuajse i legalizuar nga strukturat serbe në veri. Vendosja e pikave kufitare dhe aplikimi i doganave në kufirin verior i ka dhënë efektet e para, me rritjen e të hyrave për arkën e shtetit”, tha Gashi për “albinfo.ch”.

Luftimi i ekonomisë joformale, sipas tij, duhet të ketë një koordinim shumë më të fortë nga agjencitë për zbatimin e ligjit, por edhe nga qytetarët, sepse kjo dukuri i shkakton humbje të drejtpërdrejt shtetit dhe interesit të përgjithshëm qytetarë.

Zakonisht ekonomia joformale, siç tha profesor Gashi, është e koncentruar në sektorët më fitimprurës, prandaj edhe fokusi i autoriteteve duhet të jetë tek këta sektorë.

“Vetëm një fakt dua ta marrë këtu, tek sektori i ndërtimtarisë ku është një sektor që prin në vend me ekonomi joformale. Kemi raste kur një ndërmarrje e regjistruar me 2 punëtorë, ka bërë shitje të një objekti në vlerë prej 2 milionë euro, prandaj këto dukuri nuk duhet të tolerohen”, konsideron ai.

Problemi kryesor që i shkakton ekonomia joformale shtetit, siç tha më tej Gashi, është disbalanci i tregut, ose thënë ndryshe “pabarazia në treg, sepse dikush që i kryen obligimet ndaj shtetit, është më i shtrenjtë në treg me produktet dhe shërbimet e tij”.

Ndryshe, Kosova gjatë viteve të kaluara ka miratuar disa Ligje dhe strategji për luftimin e ekonomisë joformale dhe për parandalimin e pastrimit të parave, por nuk kanë dhënë efekt. Me këtë strategji, siç kanë thënë zyrtarët qeveritar, synohet që të luftohen dukurit e këqija ekonomike.

Sipas disa analizave të bëra nga ekspertë të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të bizneseve, ekonomia joligjore në Kosovë vlerësohet të jetë mbi 30 për qind. Me këtë shifër, siç thonë ekspertët, është shumë e vështirë të ketë zhvillim më të madh ekonomik të Kosovës.

/M.SH/