Lajme

Papunësia, problem i ricikluar

Qeveria dhe sindikatat japin vlerësime të ndryshime rreth numrit të papunëve në Kosovë. Sipas Agjencisë së Statistikave, papunësia kalon 30 përqindëshin

Papunësia mbetet një nga problemet e pakapërcyeshme për institucionet e Kosovës, e cila vazhdon të mbetet në kuotën mbi 30 për qind. Për një vend pune në administratë, konkurrojnë mbi 30 vetë, ndërsa ka raste kur për një vend të punës konkurrojnë deri në 100 veta.     

Sipas disa informatave, për pozitën lektor në Gjykatën Kushtetuese kanë konkurruar më shumë se 50 konkurrentë, të gjithë me fakultetet. E njëjta situatë ndodhë edhe në institucionet tjera kosovare.

“Kam aplikuar, ka pasur raste kur jam ftuar në intervista, mirëpo fatkeqësisht nuk më kanë pranuar askund”, deklaron Blerta e cila thotë se ka konkurruar në dhjetëra konkurse që janë shpallur në gazeta ditore dhe portale të elektronike në Kosovë.

“Unë mendoj se problemi kryesor që nuk po pranohem në punë, është se nuk kam asnjë zyrtarë të njohshëm, sepse kudo pa pasur dikë, nuk mund të pranohesh. Pra, familjarizmi, padyshim është shumë i shprehur si në institucione private dhe  ato qeveritare”, thotë Blerta.

Pjesa më e madhe e të papunëve në Kosovë janë të rinj dhe me nivel të arsimit të mesëm.

Sidoqoftë, të dhënat e fundit që kanë dalë nga regjistrimi i fundit i popullsisë, që është bërë në prill të vitit 2011, ishin alarmuese. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, gati gjysma e popullatës 44.9 për qind është e papunë.

Ndërsa popullsia që është e gatshme për punë, është rreth 30 për qind,. Raporton ASK. Këto shifra vazhdimisht janë kundërshtuar nga përfaqësues të punëtorëve dhe organizata të ndryshme joqeveritare.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, vlerëson se afër 60 për qind konsiderohet të jetë shkalla e papunësisë në vend. Megjithatë, sipas Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, deri në shtator të vitit 2013, në zyrat e punësimit në nivel vendi, janë të regjistruar mbi 266 mijë punëkërkues, citon “REL”.

Numri i punëkërkuesve mund të jetë më i lartë, pasi jo të gjithë punëkërkuesit regjistrohen në zyrat e punësimit.

Shpëtim Kalludra, administrator i bazës së të dhënave për punësim në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, tregon se nga muaji janar, deri në muajin shtator janë punësuar 3, 871 persona.

“Nga ky numër –  2,799 persona janë punësuar në sektorin privat, kurse 1,072 në sektorin publik. Kanë qenë disa programe të punësimit, por faktikisht programi kryesor i punëve publike nuk është zhvilluar. Prandaj, në një formë kemi një numër më të vogël në ndërmjetësime për punësime”, shpjegon Kalludra.

Në anën tjetër, Haxhi Arifaj, udhëheqës në Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka thënë, se nuk është i kënaqur me angazhimin e institucioneve qeveritare sa i përket punësimit.

“Për punëtorët, gjatë këtyre katër vjetëve, Qeveria e Kosovës ka bërë shumë pak për të hapur vende të reja të punës. Punëtoria kosovare është ballafaquar me gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale. Privatizimi ka bërë që shumë punëtorë të mbesin pa punë dhe njëkohësisht në tregun  e punës, gjatë kësaj kohe, kanë hyrë të rinj, që kanë kryer shkollimin, por që nuk kanë arritur të punësohen”, ka deklaruar Arifaj.

Në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare, vetëm brenda një viti mbi 25 mijë të papunë hyjnë në tregun e punës.