Lajme

Përfundon votimi: pjesëmarrja, 42 për qind

Procesi i votimeve ka shkuar relativisht mirë, me disa incidente të vogla që sipas vëzhguesve, nuk ka ndikuar në proces. Në votime kanë marrë pjesë rreth 42 për qind e qytetarëve

Në ora 19 janë mbyllur të gjitha qendrat e vendvotimeve në Kosovë, ndërsa sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në balotazh kanë votuar rreth 42 për qind e qytetarëve me të drejt vote. Procesi i votimeve ka shkuar relativisht mirë, me disa incidente të vogla, që sipas vëzhguesve , nuk kanë ndikuar në proces.

 

Sipas KQZ-së, në zgjedhje kanë dalë rreth 42 për qind e personave me të drejtë vote, ndërsa votimet janë mbajtur në 25 komuna, përfshirë edhe rivotimet në tri qendra në komunën e Zveçanit. Të drejtë vota kanë pasur rreth 1 milion qytetarë, që i bijë se mbi 400 mijë kosovarë kanë votuar sot.

 

Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës, gjatë një konference për media, kanë konfirmuar arrestimin e gjashtë personave për tentim pengimi të procesit zgjedhor.

 

Koordinatorja për zgjedhje nga Prokurorja e Shtetit, Laura Pula, ka deklaruar se kanë pasur shumë informacione, të cilat janë verifikuar nga Policia e Kosovës.

 

“Kemi një rast të hapur në Gjilan me një person të arrestuar për 48 orë për veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare, ky person është komisionar nga një parti politike, i cili ka votuar në emër të një personi tjetër. Në Lipjan një vëzhgues është arrestuar dhe ndalur për vepër penale, armëmbajtje pa leje, po ashtu në Mitrovicë është arrestuar një person për armëmbajtje pa leje”, bën të ditur Pula.

 

Sipas Prokurorisë së Shtetit, në Mitrovicë dy komisionarë janë arrestuar për pengim të procesit të votimit, ndërkaq në Prizren një zyrtar i lartë I KQZ-së është ndaluar nga policia.

 

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka theksuar se përveç këtyre rasteve  ka pasur edhe informacione për të tjera raste që kanë pasur për qëllim prishjen e rendit dhe qetësisë publike.

 

“Vlen të theksohet se në aspektin e sigurisë situata është e qetë në tërë territorin e Kosovës”, ka thënë Kelani.

 

Në anën tjetër, Driton Selmanaj nga koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim”, në një konferencë për media ka treguar për disa parregullsi të evidentuara nga vëzhguesit DNV-së. Ai ka thënë  se nga terreni vëzhguesit kanë raportuar për një numër të madh të rasteve të votimeve familjare, në të gjitha qendrat e votimit.

 

Mediet në Prishtinë ndërkaq raportuan se në Qendrën e Numërimit të Votimeve është vjedhur një kamerë që tregon hyr-daljet në këtë qendër. Ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se në QNR mungon një nga disqet e arkivuara, në të cilin kanë qenë të ruajtura imazhet e kamerave.

 

KQZ po ashtu informon se serverët ku janë të ruajtura të dhënat e tabelimit të rezultateve janë të paprekur dhe të sigurt.

 

“Dëshirojmë t’ju bëjmë të njohur se kjo nuk ka asnjë ndikim në procesin e punës në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve dhe sidomos jo në procesin e  përgatitjes dhe përpunimit të rezultateve. Po ashtu ju informojmë se KQZ ka informuar organet përkatëse të rendit dhe të drejtësisë, të cilat edhe janë duke u marrë me këtë rast”, thuhet në komunikatën e KQZ-së.

 

Gjatë ditës së sotme, qendrat e vendvotimeve i ka vëzhguar edhe diplomatët ndërkombëtarë, të cilët procesin zgjedhor e kanë cilësuar si shumë t rëndësishëm për perspektivën e Kosovës.

 

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Tracy Ann Jacobson, ka thënë se procesi zgjedhor për Kosovën është i rëndësishëm. Zonja Jacobson i ka bërë këto komente gjatë vizitës që i bëri një vendvotimi në shkollën fillore “Faik Konica” në Prishtinë.

 

“Është proces i rëndësishëm. Kosova bëri një punë të mirë më 3 nëntor, njësoj siç ndodhi edhe në votimet e 17 nëntor në Mitrovicën veriore. Kështu që është e rëndësishme që ta shfrytëzojmë këtë dinamikë, në mënyrë që votuesit të dalin edhe në rrethin e dytë dhe të votojnë, kurse partitë politike të sigurohen që e gjithë puna të jetë në harmoni me ligjin”, tha ajo, citon REL.

 

“Ndërkaq policia dhe prokurorët të tregohen të gatshëm të reagojnë ndaj të gjitha parregullsive, sikurse edhe mediat që të raportojnë drejt”, deklaroi Jacobson.

 

Në zgjedhjet e balotazhit në garë për kryetarë komunash janë 50 kandidatë që garojnë në 25 komuna. Procesi zgjedhor po monitorohet nga një numër shumë i madh i vëzhguesve vendorë e ndërkombëtarë. Bashkimi Evropian procesin e ka vëzhguar me 71 vëzhgues, ndërsa në proces vëzhgimi ka qenë edhe ENEMO dhe organizatat tjera ndërkombëtare.

 

Ndërsa rrejti i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” e ka vëzhguar procesin me 1.600 vëzhgues”. Kjo e fundit ka paralajmëruar se dy orë pas mbylljes së vendvotimeve, do të dal me rezultate preliminare.