|
Të korrurat e Lazaratit nuk po arrijnë assesi në destinacionin e duhur. Pas konfiskimit të 1.2 tonëve drogë të llojit kanabis sativa para dy javësh, Policia shqiptare sot konfiskoi edhe rreth 700 kilogramë marihanë e cila ishte kultivuar në çifligun më të madh të drogës në Ballkan- Lazarat.
Sipas medieve shqiptare, droga u zbulua në komunën e Gjirokastrës, në një kamion tip “Iveko”, drejtuar nga 46-vjeçari Eduard Sako, banues në Vlorë. Sipas të njëjtat burimeve, droga ishte e ndarë në 286 pako me pesha të ndryshme, e fshehur në pjesën e brendshme të karrocerisë.
Policia ka zbuluar se droga e sekuestruar nga dalë nga Lazarati dhe kishte si destinacion Italinë
“Një procedurë ligjore për paraburgimin e drejtuesit të kamionit Eduard Sako tashmë ka nisur, ndërsa provat materiale i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për hetime të mëtejshme”, shprehen burimet e policisë.
Policia tha se aksioni ishte pjesë e operacionit të koduar “Kamoflimi”, ku janë arrestuar kontrabanduesit e drogës, ndërsa është shpallur fletëarresti edhe për të dyshuar të tjerë.
Vetëm në dy muajt e fundit policia shqiptare ka arritur të sekuestrojë rreth 2.2 ton marihuanë e cila ka dalë nga Lazarati.
Sipas statistikave në Lazarat brenda një viti prodhohen rreth 900 ton marihuanë.
|