Lajme
Përurohet segmenti i fundit i “Rrugës së Kombit”
Autostrada është e ndërtuar sipas standardeve evropiane TEM (Trans European Motorway) ku shpejtësia e lejuar është 120 deri 140 km/orë
Autoritetet e Kosovës e kanë përuruar të martën në mbrëmje, në një mot me borë, segmentin e fundit të Autostradës “Ibrahim Rugova”, e cila lidh Prishtinën me bregdetin Adriatik. Ceremonia zyrtare u zhvillua në mes të rrugës, ndërsa autostrada u konsiderua si vepër gjigante.
Autostrada e cila tashmë njihet si “Rruga e Kombit” është e ndërtuar sipas standardeve evropiane TEM (Trans European Motorway) ku shpejtësia e lejuar është 120 deri 140 km/orë.
Autostrada do të jetë e sistemit të mbyllur (hyrje-daljet vetëm në kyçjet e autostradës); gjerësia prej 28 metra, ku do jenë 4 shirita qarkullues me nga 3.75 metra.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha se Kosova ka dëshmuar se di të menaxhojë projekte të mëdha, të cilat i ka kryer pa futur shtetin në borxh.
“Sot po përurojmë Udhën e Kombit, të ndërtuar krejtësisht me mjetet tona, që mban emrin e udhëheqësit tonë largpamës, të njeriut që e dha idenë e ndërtimit të autostradës që lidh Tiranën me Prishtinë, të presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugova”, tha Jahjaga.
Ajo tha se Kosova dëshmoi se me forca vetanake është e gatshme që të bëjë vepra të mëdha që lehtësojnë komunikimin, që nxisin bashkëpunimin, që ndërlidhin vendet, që mundësojnë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të mallrave.
“Në manifestimet dhe në përurimet e veprave që janë fryt i punës dhe i angazhimit të qytetarëve tanë, duhet të kujtojmë se kjo është e mundshme, sepse Kosovës është shtet sovran dhe i pavarur, që vet menaxhon me resurset e veta, duke i përcaktuar politikat më të mira dhe më efikase zhvillimore”, tha Jahjaga.
Autostrada Prishtinë-Morinë, ka nisur të ndërtohet para 3 vitesh, në prill të vitit 2010, ndërsa ka përfunduar para afatit të parashikuar prej katër vjetësh. Rrugën e ka punuar konsorciumi amerikano-turk Bechtel & Enka.
Edhe kryeministri Hashim Thaçi e vlerësoi lartë këtë vepër ati. Ai tha se ky është projekti më i madh dhe më i shtrenjtë i ndërmarrë ndonjëherë në Kosovë, dhe presioni e kritika për të mos ndërmarrë këtë projekt, sipas tij, ishin jashtëzakonisht të mëdha.
“Por, vizioni ynë zhvillimor fitoi mbi kritikat reaguese ditore”, tha kryeministri për të shtuar më vonë se “së bashku me aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës, Adem Jashari, projekti i autostradës që sapo kemi realizuar, i jep Kosovës hap të hovshëm përpara në ndërtimin e një infrastrukturë të standardeve evropiane”, deklaroi ai.
Kjo autostradë, sipas tij, është vetëm fillimi i zhvillimit të Kosovës. Autostrada, sipas tij, lidhë Kosovën me Shqipërinë, dhe përmes Adriatikut me Evropën.
“Autostrada lidhë qytetet dhe vendbanimet e Veriut dhe Jugut të Kosovës drejt përparimit. Kjo autostradë që nis nga Adriatiku lidhë një komb të vogël por me vlera dhe njerëz të mëdhenj. Kjo autostradë lidhë një rajon të tërë. Kjo rrugë u përfundua në një kohë të shkurtër trevjeçare por është pjesë e një rruge të gjatë të nisur po në Prizren 135 vite më parë”, deklaroi Thaçi.
Në vitin 2012, projekti i autostradës së Kosovës fitoi çmimin “Menaxhim Programi” në Çmimet Botërore të Arritjeve në Fushën e Rrugëve, të organizuar nga Federata Ndërkombëtare e Rrugëve. Ndërsa sivjet, siç tha kryeministri Hashim Thaçi, ka fituar çmimin prestigjioz Global në konkursin botëror të projekteve më të mira.
“Së bashku me aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës Adem Jashari, projekti i autostradës që sapo kemi realizuar i jep Kosovës hap të hovshëm përpara në ndërtimin e një infrastrukture të standardeve evropiane”, deklaroi ai.
Në këtë projekt, sipas kryeministrit, mbi 60 për qind e të punësuarve kanë qenë qytetarët kosovarë, dhe ndërkohë rreth 8000 kosovarë janë trajnuar e aftësuar në 50 fusha të ndryshme të sektorit të ndërtimit.
Ndryshe, ndërtimi i Autostradës ka qenë disa herë objekt përplasjesh në Kuvendin e Kosovës, pasi që Qeveria asnjëherë nuk e publikoi kontratën me konsorciumin Bektel-Enka. Akoma nuk dihet sa është kostoja e kësaj rruge, sikurse nuk u tregua se edhe sa kilometra do të ndërtohen në të ardhmen, deri në kufi me Serbinë.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Një destinacion që quhet Kosovë! Për mërgimtarin, Kosova nuk është thjesht destinacioni i pushimeve. Është adresa ku kthehet zemra, sado larg... -
Yll Gashi vazhdon aventurën me Bayern Munichun, rinovon kontratën deri në vitin 2028 -
Amerikë
Desarta Rapushaj përfundon me sukses programin prestigjioz Fulbright në “Michigan State University” -
Zvicër
Fillojeta Makshana shpallet më e mira në gjuhën gjermane në komunën e Payernit të Zvicrës -
Paradoksi i kohës sonë: Arritjet e grave rriten, por edhe dhuna në familje
Jeta në Austri
-
Vjenë
Studentët nga Kosova shkëlqejnë në kampin ndërkombëtar të sigurisë kibernetike në Vjenë Lorik Kelmendi zuri vendin e parë në garën “AI Mini CTF”, Senad Mehmeti u rendit i... -
ÖBB rrit çmimet e biletave për shkak të kostove të larta të energjisë -
Gjykata austriake shpall të paligjshme tarifat e check-in dhe të imbarkimit në Ryanair -
20,000 persona kanë nënshkruar peticion për të hequr karrocat e kuajve nga Vjena -
Austri
Fejton Sylejmani diplomon me sukses në Universitetin e Salzburgut, fiton titullin Master i Arteve












