Lajme
Arratisen 7 të burgosur, policia kap 4 prej tyre
Nga burgu i Drenovës në Shqipëri janë arratisur në mënyrë spektakolare shtatë të burgosur, shumica me burgim të përjetshëm. Policia arriti t’i arrestojë 4 prej tyre
Policia e Shqipërisë ka arritur t’i arrestojë katër, prej shtatë të arratisurve nga burgu i Drenovës, ndërsa njësia RENEA po lëvizë çdo gurë për t’i zënë edhe tre kriminelët tjerë, që kishin ikur në mënyrë spektakolare nga burgu i sigurisë së lartë në komunën e Korçës.
Sot paradite, autoritetet e rendit kanë zënë tre prej arratisurve: Admir Tafilin, Fran Marashin dhe Gëzim Gurin në një magazinë të braktisur në Përrenjas. Ndërsa, sipas medieve shqiptare, janë gjetur dy automjetet me të cilat kanë lëvizur të dënuarit pas arratisjes.
Ndërsa, mbrëmë rreth orës 23.30, policia kishte bërë të mundur kapjen e njërit prej tyre, Artur Gora, raporton BW.
Gora ishte zënë teksa po shkonte me një automjet drejt fshatit të tij të lindjes Pojan. Në dëshminë e dhënë për policinë, Artur Gora, ka deklaruar se nuk ka qenë pjesë e planit të arratisjes, por thjesht përfitoi nga rrëmuja e krijuar kur u arratisën të tjerët.
Burgu i sigurisë së lartë në Drenovë të Korçës, ishte “thyer” dje nga arratisja e 7 të burgosurve, disa prej tyre me dënim të përjetshëm. Në arrati, aktualisht janë Gëzim Toma, Reiz Haxhiraj dhe Eduard Lula.
Burgu i sigurisë, i kalbur
Ngjarja kishte ndodhur rreth orës 19.30 e ditës së shtunë, kur 7 të burgosurit nën kërcënimin e armëve të zjarrit, kishin neutralizuar rojat e burgut, e më pas ishin larguar në drejtim të panjohur. Ndërkohë, janë marrë në pyetje edhe rojat e ndodhur në shërbim gjatë momentit të arratisjes mbrëmjen e së shtunës.
Policia e shtetit, e ndihmuar edhe nga forcat e ndërhyrjes së shpejtë RENEA, ngriti postblloqe nëpër akset kryesore kombëtare, rreth zonës së Korçës dhe atyre që komunikojnë me pikat kufitare. Po ashtu, janë njoftuar edhe autoritetet e rendit në Maqedoni e Greqi.
Menjëherë pas këtij rasti ka reaguar ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, i cili sot në mesditë ka organizuar një mbledhje urgjente me punonjësit e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Naço tha se personat e arratisur janë ndihmuar nga persona të jashtëm dhe se e kanë planifikuar arratisjen disa muaj më parë.
“Ngjarja e djeshme dëshmon qartë se sistemi i burgjeve në Shqipëri është një sistem i kalbur, i cili kërkon një reformim të menjëhershëm. Do të vëmë para ligjit të gjithë punonjësit e çdo niveli, të cilët lejojnë ngjarje si ato të djeshmet”, deklaroi ministri Naço.
Ndryshe, shtatë të arratisurit nga burgu i Drenovës, janë emrat e njohur të botës së krimit. Mendohet se ata kishin përgatitur një kohë të gjatë planin e arratisjes. Fakti që ata kanë qenë dhe në dy qeli ngjitur me njëra-tjetrën i ka ndihmuar, ata që të bashkëveprojnë në arratisje.
Si u arratisën të burgosurit e rrezikshëm
Burime të besueshme sqaruan se dyshohet që Admir Tafili dhe shokët e tij fillimisht kanë siguruar armët nga jashtë burgut. Më pas ata kanë prishur kamerat e sigurisë në sektorin ku ndodhen të burgosurit me dënime kapitale si dhe kanë shkëputur linjën telefonike.
Mbrëmë, kur të burgosurit do të dilnin për të ngrënë bukë, Tafili, Marashi, Guri, Toma, Haxhiraj, Lula dhe Gora kanë dalë të gjithë bashkë korridorin e këtij sektori, i cili ndodhet në katin e dytë të burgut.
Shtatë të “fortët” kanë kërcënuar me armë rojet që të hapin dyert dhe t’i lejonin që të dilnin jashtë. Mësohet se rojet e këtij sektori nuk janë të armatosur dhe dyshimet e forta bien mbi faktin që armët e zjarrit të jenë futur nga jashtë.
Pasi kanë zbritur në sektorin tjetër në katin e parë të burgut, nën kërcënimin e armëve ata kanë mundur të çarmatosin rojet e sigurisë dhe t’u marrin armët. Më pas të shtatë të dënuarit kanë mundur të dalin në oborr (tek porta e jashtme e burgut) nga tuneli ku hyjnë makinat e të burgosurve.
Ata kanë qëlluar me breshëri plumbash dhe më pas kanë dalë në rrugën nacionale Korçë-Ersekë, që ndodhet 500 metra larg Burgut të Drenovës. Mediet shqiptare raportojnë se 7 të dënuarit kanë ikur në drejtime të ndryshme me makina të rastit.
Dy prej tyre kanë marrë me forcë makinën tip “Benz” me targë KO 03 87 B, me të cilën udhëtonte kryeplaku i fshatit Qatrom, Myfti Ustalli dhe djali i tij.
E-Diaspora
-
Një buqetë dritash, tingujsh e ngjyrash për Ditën e Flamurit, në Winterthur Manifestimi në Winterthur, i organizuar nga Ansambli “Trojet”, krahas muzikës pati si vlerë të shtuar edhe... -
Haradinaj konfirmon kandidaturën e parë për deputet nga diaspora -
Ekspozita personale “Gjurmët në Medalion” e Valbona Gashit hapet në Konsullatën e Kosovës në Gjenevë -
Krasniqi: Mijëra fletëvotime nga diaspora rrezikojnë të mos arrijnë në kohë në Kosovë -
Mbahen takimet poetike të Nëntorit në Lucern
Jeta në Austri
-
“Varg e Vi” me projekt në Vjenë Organizata e Pavarur Kulturore, “Varg e Vi”, në lokalin alternativ për aktivitete kulturore, “7stern”, në Vjenë... -
Policia bastisë shtëpinë e 46 vjeçarit në Austri, zbuluan simbole naziste -
Piloti austriak bën ulje emergjente afër kufirit me Italinë -
Influencerja e zhdukur austriake gjendet e vdekur, brenda një valixheje -
Me 23 nëntor mbahet në Vjenë “Turneu i Pavarësisë”









