Lajme

Kosovarët, më të izoluarit në Evropë

Në tre vjetët e fundit, mbi 217 mijë kosovarë kanë aplikuar për viza dhe kanë shpenzuar rreth 15 milionë euro për pagesa në ambasada të ndryshme

Bashkimi Evropian ka hequr detyrimin e vizave për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor përveç për Kosovën. Në një situatë të tillë, qytetarët e Kosovës përballen me vështirësi të shumta për të siguruar një vizë udhëtimi, duke u bërë kështu evropianët më të izoluar.

Ndonëse qeveria e kishte paralajmëruar vitin 2013 si vit i liberalizimit të vizave, kjo nuk ndodhi. Siç shkruan Radio Evropa e Lirë, mungesa e rezultateve në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, paraqet pengesën kryesore për Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave, kanë pohuar zyrtarë që merren me këtë çështje.

Qytetarë të anketuar për ReL, flasin për procedurat e shumta dhe mbledhjen e shumë dokumenteve si dhe vështirësitë për të marrë një vizë. Blerta Ramadani, 27 vjeçare, ekonomiste me profesion, thotë se për të lëvizur në vendet e Bashkimit Evropian nga Kosova është mjaft e vështirë dhe procedurë e lodhshme, derisa gjithashtu shton se vizat nga ambasadat përkatëse u lëshohen qytetarëve me shumë procedura.

“Secila ambasadë i ka kushtet e veta që i parashtron që janë obligative të plotësohen. Nëse plotësohen kushtet nuk është e vështirë të merret një vizë, por kushtet që parashtrohen rrallë të rinjtë mund t’i plotësojnë. Arsyet janë se kërkohen para të kursyera, kontratë e punës afatgjate, e që rrallë të rinjtë kanë të holla të kursyera në bankë, për shkak se pagat e vogla dhe kushtet e vështira, është problem të plotësohet ajo shifër që kërkohet”.

“Madje të rinjtë në Kosovë janë të shumtë të papunë, dhe se për ata është pa dyshim e pamundur ta marrin vizën. Mua dy herë më kanë refuzuar, për shkak se kam qenë e papunë, edhe pse dokumentet tjera i kam pasur, derisa herën e fundit Ambasada e Gjermanisë më ka leshuar vizë pasi që kam qenë e punësuar”, thotë Ramadani.

Në raportin e fundit, Komisioni Evropian i kërkon Kosovës që të bëjë hapa konkretë në luftimin e dukurive negative në mënyrë që të ecë drejt liberalizimit. Po ashtu, përmendet si pengesë në këtë proces edhe migrimi ilegal, reformat në drejtësi dhe çështje tjera që ndërlidhen edhe me legjislacionin.

Pavarësisht kësaj, në tre vjetët e fundit, mbi 217 mijë kosovarë kanë aplikuar për viza dhe kanë shpenzuar rreth 15 milionë euro për pagesa në ambasada të ndryshme. Këtë e thonë zyrtarë të instituti “GAP”,  sipas të cilëve kjo ka ardhur si rezultat i një hulumtimi të bërë. Dren Pozhegu, hulumtues në GAP, jep hollësi të tjera. “E kanë të vështirë në aspektin që duhet të mbledhin shumë dokumente.

Statistikat flasin se prej vitit 2010 – 2012 janë refuzuar 10 për qind e atyre që kanë aplikuar. Por procedurat e gjata janë shumë të lodhshme për një vizë Shengen. Ankesa prej qytetarëve nuk kemi pasur. Por gjatë punimit të raportit kemi biseduar me shumë aplikantë dhe ka shumë ankesa nga vetë qytetarët për procedurat e mundimshme dhe që marrin shumë kohë”, shprehet Pozhegu.

Driton Kastrati, qytetar, flet për procedurat e lodhshme që nevojiten për të marrë një vizë. “Ambasada e Gjermanisë më ka refuzuar, dhe nuk më ka dhënë ndonjë arsye. Tri herë kam aplikuar. Herën e tretë kam arritur ta marr. Por procedurat janë të lodhshme sepse kërkohen shumë dokumente”, bën të ditur ai.

Sidoqoftë nuk janë vetëm qytetarët që dëshirojnë të vizitojnë shtetet e Bashkimit Evropian e kanë vështirësi të marrin viza. Vizat u refuzohen shpeshherë edhe mjekëve, të cilët dëshirojnë të marrin pjesë në seminare të ndryshme shkencore. Rasti i fundit ka qenë me shtatë anesteziologët e Kosovës, të cilët janë refuzuar nga shteti i Spanjës dhe nuk kanë marrë pjesë në seminarin ndërkombëtar për anesteziologji, përfundon radio Evropa e Lirë.