Lajme

Kosovë, nisin negociatat për MSA-në

Zyrtarisht filluan negociata ndërmjet Prishtinës dhe Brukselit për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA), e cila e vë në binar të drejt integrimin e Kosovës për në BE

Republika e Kosovës sot shënoni hapin e parë vendimtar drejt integrimit në Bashkimin Evropian (BE). Në orët e pasdites zyrtarisht filluan negociatat ndërmjet Prishtinës dhe Brukselit për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA), e cila e vë në binar të drejt integrimin e Kosovës.

 

Procesi i Stabilizim-Asociimit është një mekanizëm që BE ua ka vënë vendeve të Ballkanit perëndimor të cilat aspirojnë integrimin në familjen evropiane.

 

Këto shtete fillimisht duhet të stabilizohen, e pastaj duke i plotësuar kushtet, hapa pas hapi, të integrohen në BE në një periudhë më të gjatë.

 

Kryeministri Hashim Thaçi, i cili kohën e fundit është më shuamë i zënë me fushatën zgjedhore, këtë rast e quajti vendimtar për integrimin e Kosovës në BE.

 

“Tani Kosova është futur në rrugën e sigurt drejt anëtarësimit të plotë në BE. Ky moment kërkon reflektim nga ana jonë dhe është përgjegjësi shtesë që ritmi i punës të jetë edhe më i shtuar dhe përkushtimi asnjëherë të mos mungojë”, ka deklaruar kryeministri Thaçi.

 

Ai tha se hapja e negociatave është meritë e të gjithë qytetarëve, institucioneve dhe partive politike të Kosovës. “Para se gjithash ky progres është meritë e qytetarëve të Kosovës, dhe gjithë spektrit politik ne vend, pozitë dhe opozitë”, tha ai.

 

Sipas tij, nga ky moment, Kosova po nis rrugëtimin e saj të sigurt drejt BE-së, që do të pasohet më pas edhe me integrimin e saj në NATO.

 

“Progresi në avancimin e shtetit të Kosovës na bënë të gjejmë motivim shtesë për të vazhduar reformat tona, reforma këto që kanë për qëllim përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve tonë e cila do kurorëzohet me anëtarësimin e plotë të shtetit të Kosovës në Bashkim Evropian”, u shpreh Thaçi.

 

MSA, sipas tij, do të jetë Marrëveshja formale, gjithëpërfshirëse mes shtetit të Kosovës dhe Bashkimit Evropian, deri në aktin e anëtarësimit të shtetit të Kosovës në BE.

 

Ndërkaq, Komisioni Evropian, në një njoftim të lëshuar në ditën e nisjes së negociatave, ka nënvizuar se gradualisht me zbatimin e kësaj marrëveshjeje, do të krijohet liberalizimi tregtar mes Kosovës dhe BE-së, për lëvizjen e lirë të mallrave, ndërkohë që Kosova do të përshtatë ligjet e saja me standardet e BE-së.

 

“Me këtë fillim të negociatave për MSA-në, ne po hapim një faqe të re në marrëdhëniet tona. Kjo është një njohje e qartë për progrsin që ka arritur Kosova në reformat kyçe dhe përpjekjet thelbësore që ka bërë për të normalizuar raportet me Serbinë”, tha komisioneri për Zgjerim, Stefan Fule.

 

Ai ka shtuar se komisioni ka qëllim të kompletojë negociatat me Kosovën në pranverën e vitit që vjen, që të përgatitet drafti i marrëveshjes në verë.

 

“Marrëveshja do të sjellë përfitime të dukshme për qytetarët e Kosovës. Kosova tash duhet të fokusohet për këto negociata, por edhe përtej tyre. Kosova duhet të konfirmojë dhe të sqarojë pozicionet e saja negociuese”, ka thënë Fule.

 

Agjenda evropiane është prioritet

 

Nisja e negociatave për MSA i ka përshëndetur edhe presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, sipas të cilës, ky është një hap i rëndësishëm në përafrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian.

 

“Marrëveshja e Stabilizim Asocimit është hap konkret drejt realizimit të perspektivës evropiane, që do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të vendit, forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit”, deklaroi Jahjaga.

 

Institucionet e Republikës së Kosovës, siç tha ajo, janë të përkushtuara që të përmbyllin me sukses negociatat për MSA deri në pranverën e vitit të ardhshëm me qëllim të hapjes së rrugës së anëtarësimit të Kosovës në BE.

 

“Agjenda evropiane është prioritet i Republikës së Kosovës që i bashkon të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim”, deklaroi presidentja kosovare.

 

Ndryshe, deri më tani, Kroacia është shteti i vetëm, i cili përmes procesit të Stabilizim Asociimit, ka arritur integrimin e plotë në BE. Kroacia negociatat për MSA i kishte nisur në vitin 2000, ndërsa është integruar në korrik të vitit 2013.

 

Të gjitha shtetet e rajoni, ndërkaq i kanë përfunduar negociatat e MSA-së, përveç Kosovës e cila ka mbetur jashtë këtij mekanizmi, për shkak të mosnjohjes nga pesë shtete të BE-së.

 

Megjithatë edhe Kosova nëpërmjet Mekanizmit Përcjellës të Stabilizim Asoccimit, ka arritur përparim në këtë rrugë. Ndërkaq negociatat për MSA nisin sot dhe sipas parashikimeve do të zgjasin deri në pranverën e vitit 2014.

 

Integrimi rrugë e gjatë

 

Zyrtarët e Qeverisë e vlerësojnë si ditë të madhe, ditë që dëshmon se agjenda evropiane e Kosovës është në rrugë të mbarë. Mirëpo sipas ekspertëve të integrimeve evropianeve, integrimi është një rrugë malore, që kërkon shumë kohë për t’u kaluar.

 

“Përmes këtij procesi, Kosova duhet të synojë që në mënyrë të shpejt të ndërmerr reformat, për të zënë hapin me vendet e rajonit dhe në vitin 2017 me rifitojë statusin e vendit kandidat”, ka thënë për mediet në Prishtinë, analisti Shenoll Muharremi.

 

Ndërsa ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku thotë se përfitimet e MSA-së janë në shumë nivele, si në atë ekonomik po ashtu dhe politik.

“Para së gjithash, MSA shënon marrëveshjen e parë kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së, e këtë marrëveshje e arrijnë vetëm shtetet që potencialisht mund të bëhen anëtare të BE-së”, tha Çitaku, sipas të cilës, negociatat Kosova do t’i përfundojnë në afat rekord.

 

Sipas ministres kosovare, pas nënshkrimit të marrëveshjes Kosova do të përfitojë fonde nga Bashkimi Evropian deri në 100 milionë euro.

 

Sipas njoftimit të zyrës së BE-së në Kosovë, këto negociata do t’i kenë 3 apo 4 raunde të bisedimeve që do të kryesohen nga dy kryenegociatorët, zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Departamentit për Zgjerim, Joost Koorte, dhe ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku.

 

Takim i parë, ambicioz

 

”Dita e sotme është njohje e progresit që ka ndodhur në Kosovë, në vitet dhe muajt e fundit. Hapja e negociatave shënon fazën e re në marrëdhëniet tona. Sot ne i kemi prezantuar Kosovës ofertën tonë për titujt e parë të MSA-së”, deklaroi përfaqësuesi i KE-së, Joost Korte në konferencën e përbashkët për media.

 

Sipas tij, sot janë prezantuar çështjet më komplekse, që mbulojnë tregtinë dhe përafrimin e legjislacionit. “Tani, ekipi negociator i Kosovës duhet të na ofron mendimin e vet për ofertën tonë dhe pastaj ti negociojmë dhe t’i dakordojmë të gjitha detajet e marrëveshjes”, deklaroi ai.

 

MSA, sipas tij, do të jetë një marrëveshje thelbësore në mes të Kosovës dhe BE-së dhe si e tillë do të rregullojë aspekte të rëndësishme të marrëdhënieve dypalëshe, siç janë: dialogu politik, drejtësia dhe punët e brendshme, çështjet e tregtisë, bujqësisë, zhvillimit social dhe ekonomik, mjedisit, etj.

 

“Më duhet të them që Bashkimi Evropian është shumë ambicioz dhe sot ne kemi rënë dakord për një kalendar intensiv të negociatave për bisedimet zyrtare dhe teknike. Presim që negociatat të përfundojnë deri në fund të pranverën e vitit të ardhshëm”, tha Korte.