Lajme
Shpenzimet, shumë më të larta se pagat
Sipas një ankete të realizuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, për një muaj familjet shpenzojnë mesatarisht 584 euro, ndërkaq marrin rreth 400 euro
Paga neto e shumicës së punëtorëve kosovarë sillet ndërmjet 300 e 400 euro, ndërsa shpenzimet për një familje kalojnë dyfishin e kësaj page, raporton Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK). Sipas këtij raporti, numri i të papunëve në Kosovë është 30.9 për qind.
Por, se sa është reale kjo vlerë dhe sa është e mjaftueshme për punonjësit dhe familjet e tyre, përfaqësues të punëtorëve dhe bizneseve, japin vlerësime të ndryshme. Sipas këtij raporti, numri i të punësuarave në nivel vendi arrin mbi 300 mijë persona, ndërkaq shkalla kalon 30 përqindëshin.
Në administratën publike, sipas statistikave, punojnë rreth 80 mijë persona, ndërsa në sektorin privat nuk dihet se sa punojnë, pasi që shumica punojnë në të zezën.
Alush Sejdiu, nënkryetar në Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka thënë për REL se paga në këtë sektor fillon nga 150 deri në 200 euro. BSPK-ja nuk ka statistika se sa punëtorë numëron ky sektor, por Sejdiu shprehet se numri është deri në tri herë më i madh se në sektorin shtetëror.
Pavarësisht kësaj, edhe paga e paraqitur nga ASK-ja, por edhe paga reale që marrin punonjësit në sektorin privat, sipas Sejdiut, nuk mjafton për nevojat elementare të punëtorëve.
“Ne mendojmë se këto i ngrenë pagat e disa personave që marrin paga të mëdha dhe personat që kanë nga dy-tri vende pune, dhe marrin paga mbi 2000 euro. Kjo e rrit këtë mesatare, por megjithatë nuk është e mjaftueshme. Punëtorët, me këto të ardhura personale, nuk mund të mbulojnë konsumin elementar për familjet e tyre, e që në Kosovë familjet janë deri në 6 anëtarë”, thotë Sejdiu.
Paga minimale në Kosovë është 130 deri në 170 euro në muaj, ndërsa ajo mesatare në sektorin publik arrin në 372 euro.
Ndërkaq, në sektorin privat, sipas një ankete të realizuar nga Aleanca Kosovare e Biznesit, thuhet se paga mesatare është 328 euro.
Udhëheqësi i AKB-së, Agim Shahini, thekson se paga në Kosovë vlerësohet të jetë më e ulëta në rajon.
“Sido që të jetë, kjo pagë krahasuar me rajonin, është më e ulët. Kjo nuk është një pagë që i kënaq kërkesat e standardit familjar, sepse shporta e konsumit familjar shkon deri në 600 euro në nivel mujor”, konsideron ai.
Derisa pagat në Kosovë thuhet se fillojnë nga 150 deri në 400 euro në muaj, edhe qytetarët të cilët punojnë në sektorin publik dhe në atë privat thonë se kjo shumë është e pamjaftueshme për një familje.
Sipas një ankete të realizuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, në vitin 2011, për një muaj familjet shpenzojnë mesatarisht 584 euro, ndërkaq konsumi i përgjithshëm tek ekonomitë familjare është 7010 euro për një vit.
Lumnije Beqiri, mbi të tridhjetat, punon në një dyqan në Prishtinë. Ajo e nervozuar thotë se merr 180 euro pagë në muaj. “Në përgjithësi, nuk jam e kënaqur, paga është shumë e vogël, ndërsa çmimet janë të larta. Nuk e di si po mbijetojmë?!”, tregon Lumnija.
Në sistemin e arsimit punon Bahri Rexhepi, i cili thotë se paga që merr, nuk mjafton as për gjysmë muaji. “Pagat janë të ulëta. Për një familje 4-anëtarëshe, kjo pagë i bën dy javë. Çmimet për gjëra ushqimore janë shumë të larta. Kur merren parasysh edhe shërbimet komunale, paga në vend duhet të jetë shumë e lartë”, pohon Bahriu.
E-Diaspora
-
Vjosa Osmani dhe Lumir Abdixhiku nesër takim me mërgatën shqiptare në Zvicër Tubimi me bashkatdhetarët do të mbahet të shtunën në Winterthur, në kuadër të aktiviteteve të partive... -
Gjermani
Kosova me ligj të ri për shtetësinë, lehtësohen procedurat për diasporën në Gjermani -
Vjosa Osmani të dielën në Zvicër, takon mërgatën shqiptare -
Në Vjenë promovohet libri i Zef Mazit për diplomacinë e Kosovës gjatë viteve 1991–1999 -
Baleti Kombëtar i Kosovës shkëlqen në Kolumbi me “Carmina Burana”
Jeta në Austri
-
Ulje e TVSH-së në Austri: Blerje disa cent më lirë Të enjten u vendos ulja e TVSH-së. Qeveria flet për lehtësim - por klientët do të... -
Piktori shqiptar Haxhi Fejzullahu hap ekspozitën “Dheu nuk njeh kufi” në Austri -
Mijëra njerëz protestojnë në Vjenë kundër pjesëmarrjes së Izraelit në Eurovision -
Shqipëria sonte në skenën e Eurovisionit, Alis performon me këngën “Nan” -
Nis sonte Eurovision 2026 në Vjenë













