Lajme

Grafite serbe në Ambasadën e Kosovës në Suedi

Ministria kosovare e Punëve të Jashtme e dënon dëmtimin e pllakës së Ambasadës së Kosovës në Suedi, duke e konsideruar si akt vandal ndaj Kosovës

Persona të panjohur e kanë dëmtuar pllakën e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Stokholm të Suedisë. Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme, gjatë natës së kaluar person  të panjohur për policinë kanë shkruar grafite serbe mbi pllakën e ambasadës kosovare.

Zyrtarët e ambasadës thuhet se kanë njoftuar policinë suedeze për këtë vandalizëm. Në njoftim nuk ilustrohet dëmtimi dhe as nuk jepen detaje tjera për dëmtimin e pretenduar.

Menjëherë pas këtij akti ka reaguar Ministria kosovare e Punëve të Jashtme duke e konsideruar si akt vandal ndaj Republikës së Kosovës.

“MPJ e dënon këtë akt vandalizmi kundër simboleve të Ambasadës së Kosovës në Suedi, duke shprehur përkushtimin e plotë të misioneve diplomatike dhe konsullore të Kosovës, për të qenë në shërbim të plotë të misionit të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës, në të gjitha aspektet”, thuhet në reagim.

Ndryshe, sipas zyrtarëve të Ambasadës, dëmtimi është bërë me mjete të forta, me ç’rast mbi pllakën e Ambasadës së Kosovës janë shkarravitur simbole serbe.

Autoritetet suedeze kanë ekzaminuar dëmtimin dhe kanë marrë një deklaratë gojore në vendin e ngjarjes nga zyrtarët e Ambasadës, duke theksuar se do të fillojnë hetimin e rastit.

Ky nuk është rasti i vetëm që dëmtohen pllakat e ambasadave të Kosovës. I njëjti skenar është përsëritur dy herë në ambasadën e Kosovës në Paris, ku janë shkruar gjithashtu grafite serbe.