Lajme

Gjermania ndihmon arsimin profesional kosovar

Ndihma e Gjermanisë në arsim do të ndikojë që Kosova të ketë kuadro ekuivalente me ato të shteteve të Bashkimit Evropian

Një marrëveshje që është nënshkruar nga ministri kosovar i Arsimit, Ramë Buja dhe nga senatori gjerman i shtetit për Shkolla, Arsim dhe Aftësim profesiona,Ties Rabe në Hamburg, ka filluar të jap rezultatat konkrete në Kosovë.

Edhe vetë ekspertët e arsimit në Kosovë e kanë vlerësuar lartë këtë marrëveshje duke besuar se roli i Gjermanisë do të ndikojë që Kosova të ketë kuadro ekuivalente me ato të shteteve të Bashkimit Evropian.

Shkolla e Mesme Teknike në Deçan, komunë në perëndim të Kosovës, është ndër shkollat më të suksesshme nga të 62 shkollat profesionale në Republikën e Kosovës.

Aktualisht me 868 nxënës të cilët përcjellin mësimet në: informatikë, telekomunikacion, instalim ujësjellësi, automekanikë, turizëm, zdrukthtari, kontabilitet, tregti si dhe në banka dhe sigurime, suksesin e saj e dëshmon pothuaj çdo vit radhitja e saj në vendin e parë në Provimin e Maturës.

Dhe kjo, falë kushteve të punës dhe përkushtimit të stafit, thotë drejtori i kësaj shkolle Zenel Kasumaj, raporton DË.

“Falë bashkëpunimit të mirë me institucione vendore dhe organizatat ndërkombtare, ne kemi siguruar paisje të shumta kabirnetike të cilat na kanë mundesuar të kemi rezutate shume të mira në procesin edukativo – arsimor dhe në aftësimin profesional apo në arsimin joformal“, tha Kasamuaj.

“Këtu do të doja të përmend mbështetjen e shtetit gjerman në trajnimin e kuadrit arsimor si dhe në sigurimin e paisjeve në kabinetin e automekanikëve, që është një ndihmë e madhe”, thotë drejtori Kasumaj.

Suksesi në shkollat profesionale – i garantuar

Endrit Kukalaj është vetëm njëri nga nxënësit e dalluar i cili nga kjo shkollë do të dalë si profesionist. I orientuar në profilin e informatikës, ai në garat komunale në matematikë ka zënë vendin e parë ndërsa në Olimpiaden e Matematikës në nivel republike është radhitur në dhjetëshen e parë.

“…ne ju jemi mirënjohës institucioneve tona dhe donatorëve, me theks të veçantë Gjermanisë e cila ka dhënë shumë për arsimin profesional në Kosovës”, thotë Endriti.

Shkolla të suksesshme profesionale ka edhe në Pejë, në Gjilan, në Prizren, në Prishtinë, ndërsa prijnë shkollat bujqësore, në të cilat DANIDA e Danimarkës ka ndihmuar shumë në ngritjen e kapaciteteve njerëzore dhe infrastrukturore në 5 prej 15 shkollave mikse bujqësore, thotë për DË-në Ragip Gjoshi, këshilltar politik për çështje të arsimit profesiona.

62 shkolla të aftësimit profesional me mbi 60 mijë nxënës

Në Republikën e Kosovës janë mbi 60 mijë nxënës të përfshirë në arsimin profesional të cilët mësojnë në 62 shkolla profesionale: 4 prej tyre të Qendrës së Kompetencës me 14 milionë euro të investuara nga qeveria norvegjeze dhe ajo e Luksemburgut.

Ndërsa, mbështetja gjermane për zhvillimin e mëtutjeshëm të këtyre kapaciteteve, sipas këshilltarit Gjoshi, do të orientohet në zhvillimin dhe përshtatjen e udhëzimeve administrative, në filozofinë e menaxhimit dhe të konceptit të komunikimit, në menaxhimin e bordeve dhe të raporteve, etj.

Ndryshe, Gjermania është ndër donatorët kryesorë në sferën e arsimit profesional në Kosovë dhe vazhdon të mbetët  pikë referimi dhe model i rëndësishëm për zhvillimin e mëtutjeshëm të kësaj fushe të arsimit në Kosovë.