Lajme

7 317 vdekje kanë ndodhur më 2012

522 vdekje kanë ndodhur jashtë Kosovës në diasporë

Për vitin 2012 mortaliteti në Kosovë është 4.0 promil. Vdekjet e raportuara nga familjarët dhe të regjistruara në librat amzë për vdekje, në vitin 2012 kanë qenë 7 839 vdekje. Prej tyre 7 317 vdekje kanë ndodhur në Kosovë, kurse 522 vdekje kanë ndodhur jashtë Kosovës.

Këto të dhëna i ka publikuar Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) përkatësisht Departamenti i Statistikave Sociale.

Siç raportojnë mediat në Prishtinë në statistikat e vdekjeve 2012 nga gjithsej vdekjet e raportuara, 4 291 janë meshkuj ose 58.6% dhe 3 026 janë femra ose 41.4%. Rastet e vdekjeve që kanë ndodhur në institucione shëndetësore mbulojnë 40.1%, ndërsa 58.0% janë raste që kanë ndodhur në shtëpi, dhe 1.8% në vende të tjera.

Nëse i referohemi komunës, rastet më të shumta janë në Prishtinë, ku kanë ndodhur 2 246 raste të vdekjeve, ose 28.7%; Prizreni ka 770 raste te vdekjeve ose 9.8%; Mitrovica ka 438 raste të vdekjeve ose 5.6% etj. Ndërkaq, mosha e të vdekurve në 74.1% të rasteve është 60 vjeçare e më shumë. Nëse i referohemi muajve kur kanë ndodhur vdekjet, TM1 i vitit ka 36.0%; ndërsa, vetëm muaji shkurt ka 9.6%. Sa i përket etnicitetit, vdekjet te shqiptarët janë 93.4%.

Kur flasim për natyrën e vdekjeve në Kosovë, në vitin 2012 kemi: vdekje të dhunshme që përfshijnë 208 raste ose 2.8%; fatkeqësi 142 raste ose 68.3%; vetëvrasje 34 raste ose 16.3%, dhe vrasje 32 raste ose 15.4%.

Kurse, mosha e vdekjeve të dhunshme është 20-49 vjeçare (te meshkujt dhe te femrat). Foshnja të vdekura në vitin 2012 janë 315 raste ose 4.3% nga të gjitha vdekjet.

Prej tyre, 178 raste janë meshkuj ose 56.5% dhe 137 raste ose 43.5 % janë femra. Vdekjet perinatale – deri 6 ditë kanë qenë 197 raste ose 62.5%; vdekjet neonatale – 7 deri 27 ditë kanë qenë 60 raste ose 19.0%; dhe, vdekjet postneonatale – 28 ditë deri në 1 vjeç kanë qenë 58 raste ose 18.4% të foshnjave.