Megjithëse është përfolur që në vend të ambasadorit të Maqedonisë në Selinë e OKB-së në Gjenevë, Aziz Pollozhani, të udhëtojë deputeti Hajrulla Misini, kjo si duket nuk do të realizohet.
Sipas mediave të Shkupit, BDI është përcaktuar për Gazmend Ilazin, por siç mëson Alsat-M, ilazi nuk ka konfirmuar nominimin e tij për postin e ambasadorit, andaj BDI-ja është në kërkim të emrit të ri për ambasador në Gjenëve.
Edhe pse nuk ka përmendur emrat e ambasadorëve të rinj, zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Muhamet Hoxha, tha se me propozim të shefit të diplomacisë maqedonase ka filluar procedura për emërimin e ambasadorëve.
“Bëhet fjalë për ambasadorë të rinj dhe bëhet fjalë për ambasadorë të cilëve iu ka kaluar mandati dhe do të ketë lëvizje prej një vendi në një tjetër. Duke respektuar procedurat diplomatike, për momentin nuk mund të jap detaje për kuadrot të cilat janë propozuar, për shkak se për emërimin e një ambasadori pjesëmarrje kanë edhe institucionet e tjera, siç është institucioni i presidentit të shtetit”, citohet të ketë thënë Hoxha.
Ndërkohë, Naim Mehmeti do të ushtrojë postin e ambasadorit në Kopenhagë, ndërsa ambasadorit aktual, Agron Buxhaku, i vazhdohet mandati në Paris të Francës