Lajme

Kosova bëhet me Sistem Informativ të Standardeve

Ky sistem, siç tha ministrja Kusari-Lila, ka për qëllim fuqizimin e qeverisjes ekonomike dhe promovimin e transparencës në Kosovë

Të gjithë qytetarët e Kosovës, por edhe ata të Diasporës, nga dita e sotit, do të kenë mundësi të informohen online për standarde vendore dhe ndërkombëtare, por edhe për ligjshmërinë që aplikohet në Kosovë. Krejt kjo u bë e mundur pa lëshimit në funksion të Sistemit Informativ të Menaxhimit të Standardeve (SIMS).

Ky sistem, siç u tha në një konferencë organizuar nga Ministra e Tregtisë dhe Industrisë,  ka për qëllim fuqizimin e qeverisjes ekonomike dhe promovimin e transparencës në Kosovë.

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari– Lila, tha se lansimi i sotëm i këtij projekti është vazhdimësi e përpjekjeve të Qeverisë së Kosovës për t’i mundësuar publikut, përmes këtyre portaleve në internet, qasjen në standardet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare.

“Qeveria e Kosovë është duke bërë përparime të jashtëzakonshme në drejtim të përmirësimit të transparencës, parashikueshmërisë dhe qeverisjes. Rritja e investimeve po ashtu edhe përmirësimin i mjedisit investues e afarist, duke rritur transparencën dhe llogaridhënien si në nivelin qendror dhe lokal, paraqesin bazën e rritjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik”, theksoi ajo.

Ministrja potencoi faktin se shtyllë themelore e qeverisjes është sigurimi se bizneset dhe qytetarët kanë qasje në kërkesat e përcaktuara me ligje dhe rregullore dhe se ky lloj i parashikueshmërisë dhe transparencës kontribuon në një mjedis më të fuqishëm afarist dhe të favorshëm për investime.

“Standardet janë të rëndësishme për aktivitetet e jetës së përditshme, përfshirë bizneset dhe qytetarët. Bizneset përdorin standardet për të sjellë prodhimet dhe shërbimet e tyre në vijë me kërkesat sipas rregullave të vendit dhe ato ndërkombëtare”, tha Kusari-Lila.

Sistemi Informativ i Menaxhimit të Standardeve, sipas saj, ofron një platformë për publikun që të përfshihet në procesin e zhvillimit teknik të standardeve, përmes monitorimit transparent në internet dhe ftesës për komente.

“Është obligimi ynë si qeveri që së bashku me të gjitha institucionet e tjera të bëjmë të pamundurën për t’i përmirësuar vazhdimisht shërbimet ndaj qytetarëve dhe bizneseve, duke ua bërë më të lehtë dhe më të lirë veprimtaritë individuale dhe biznesore”, tha ministrja Kusari-Lila.

Përveç, inaugurimi të Sistemit Informativ të Menaxhimit të Standardeve, sot u inaugurua edhe Sistemit Informativ Ligjor, i cili është përshëndetur edhe nga Kelly Degnan, zëvendësshefe e Misionit, në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

Degnan ka vlerësuar lartë rëndësinë e këtyre dy iniciativave, duke theksuar se ato janë dizajnuar për të ndihmuar bizneset dhe qytetarët e Kosovës në përgjithësi.

Edhe Terence Slywka, drejtor i projektit, Programi i USAID-it për Përmirësimin e Mjedisit Afarist, i ka vlerësuar si shumë të rëndësishme për sundimin e ligjit edhe për maksimizimin e rritjes ekonomike të Kosovës, dy sistemet në fjalë.

Ai vlerësoi se këto dy sisteme janë krijuar duke u bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare që përdoren në të gjithë Bashkimin Evropian