Lajme

Dhunimi, lufta që nuk përfundon kurrë!

Fatkeqësisht, gratë kanë qenë edhe shënjestra të drejtpërdrejta të dhunës si mjet lufte, luftë kjo e cila për to kurrë nuk do të ketë një fund, deklaroi presidentja Jahjaga

Presidentja e Kosovës, Aatifete Jahjaga kërkoi nga të gjitha institucionet relevante, vendore e ndërkombëtare, që të angazhohen për t’i vënën para drejtësisë të gjithë ata kriminelë që dhunuar gratë shqiptare gjatë luftës. Ajo tha se dhunimi seksual i përdorur si armë luftë, është një fenomen që nuk përfundon kurrë.

Këto deklarata presidentja kosovare i bërë gjatë lansimit të platformës për gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).

Ajo falënderoj Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ambasadën Britanike në Kosovë dhe Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, që po përkujdesen që zëri dhe nevojat e grave viktima të dhunës së drejtpërdrejtë në luftën e fundit në Kosovë të mos heshtën.

“Këto organizime njëkohësisht po ngrisin në vazhdimësi vetëdijen për parandalimin e përdorimit të dhunimit si mjet lufte dhe po kontribuojnë në identifikimin sa më adekuat të masave që duhet të ndërmerren për të adresuar pasojat afatgjate që kjo lloj dhune lë në shoqëritë e dala nga konflikti”, deklaroi presidentja Jahjaga.

Dhunimet, siç tha ajo, kanë lënë plagë të thella në Kosovë.

Gruaja në Kosovë, siç deklaroi më tej Presidentja, gjatë tërë periudhës së luftës, ka qenë pjesë e pandashme e tragjedisë dhe e përpjekjeve të përbashkëta për të siguruar një të ardhme më të mirë.

Si e tillë ajo, siç tha Jahjaga, ka qenë edhe viktima më e madhe e gjithë luftës, në rrethana aq të vështira sa janë të papërshkrueshme, ajo shumë shpesh ka bartur barrën e familjes dhe ka siguruar ekzistencën e saj.

“Fatkeqësisht, gratë kanë qenë edhe shënjestra të drejtpërdrejta të dhunës si mjet lufte, luftë kjo e cila për to kurrë nuk do të ketë një fund”, tha Jahjaga.

Gratë e përdhunuara gjatë konfliktit, sipas saj, jo vetëm që janë viktima të përdhunuesve, të mbijetuara të torturës dhe bartëse të kësaj episode të rëndë, por shpesh janë edhe viktima të rrethit në të cilin jetojnë, për shkak se përballen me përbuzjen dhe përjashtimin nga shoqëria.

Presidentja kosovare përmendi një rast kur një grua e cila ngjalli debat për dhunimin, u sulmua nga persona të panjohur.

“Si Presidente e Kosovës, u bëra thirrje deputetëve kosovare, komisioneve parlamentare, mekanizmave qeveritarë, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe grupeve të interesit, të përqendrohemi bashkërisht në gjetjen dhe përcaktimin e formës më të përshtatshme për ta ofruar ndihmën tonë si institucione dhe si shoqëri viktimave të dhunës seksuale të luftës”, tha Jahjaga.

Sipas saj, asnjëherë nuk do të gjenden përgjigjet e lehta në pyetjet e vështira. “Obligimi ynë si institucione dhe shoqëri ndaj grave të dhunuara nuk duhet të përfundojë me përgjigje legjislative, përkrahje morale dhe masa të tjera rehabilituese”, tha ajo, duke kërkuar drejtësi për to.

Sipas presidentes kosovare, viktimave të dhunës seksuale, që siç tha ajo, besohet të kenë përfshirë afro 20 mijë femra shqiptare në Kosovë, u duhet drejtësi, “sepse dhunuesit përgjegjës për këtë krim makabër kanë kaluar të pandëshkuar deri sot”.

Mosadresimi i drejtë dhe me seriozitet i këtij fenomeni të shëmtuar të luftës dhe mosndëshkimi i atyre që e bartën këtë strategji për qëllime të caktuara politike, i viktimizon edhe më tej gratë e prekura nga kjo dhunë dhe nuk e lejon integrimin e tyre”, deklaroi presidentja Jahjaga.

Drejtoresha Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) , Feride Rushiti paraqiti gjendjen aktuale të të mbijetuarave të dhunës seksuale, si dhe adresoi nevojat për mbështetje institucionale të kësaj kategorie.

Ambasador britanik, Iann Cliff tha se me gjithë përpjekjet e mëdha të komunitetit ndërkombëtar, Qeveria e Britanisë së Madhe, ka ende shumë punë për të bërë në luftimin e dhunës seksuale. “Besojmë që kultura e mosndëshkimit duhet të zëvendësohet me atë të ndëshkimit për autorët e krimeve të tilla”, tha ai.

Ambasadorja amerikane Treacy Jacobson, shfaqi kënaqësinë që SHBA-ja dhe Britania po e mbështesin financiarisht këtë projekt dhe shtoi se asnjë shoqëri nuk mund të ecë përpara duke injoruar të kaluarën.