Lajme
15 euro për një ditë burgu
Sipas statistikave zyrtare, janë më shumë se 3 mijë të burgosur politikë dhe të internuar që duhet t’u kompensohet koha e burgut. Një natë në burg kompensohet në vlerë prej 15 eurosh
Ish të burgosurit politikë kanë filluar të ndihen më të “lirë” prej kohës kur Qeveria e Kosovës vendosi t’ua kompensojë materialisht kohën që kanë kaluar në burg. Pavarësisht se paraja nuk ua kompenson vuajtjet shpirtërore, ata ndihet komod që po trajtohen si plejadë e shoqërisë.
Duke i trajtuar si kategori e sakrificës, ekzekutivi kosovar planifikon t’ua paguajë nga 15 euro çdo natë që ata kanë kaluar nëpër burgjet e Serbisë dhe të ish-Jugosllavisë. Në këtë kategori hyjnë edhe personat e internuar nga viti 1912 deri më 1999.
Disa nga të burgosurit, të cilët moshën e rinisë e kanë kaluar nëpër burgjet “mesjetare” serbe, thonë se paraja nuk është asgjë.
E veçanta e këtij vendimi të Qeverisë, sipas tyre, është se edhe të burgosurit politikë të Kosovës po trajtohen si të gjithë të burgosurit e vendeve postkomuniste të Ballkanit dhe të Evropës.
Mirëpo për të fituar statusin e ish-të burgosurit politik duhet të plotësohen disa formularë, që dëshmojnë se personi i caktuar ka qenë në burg. Kjo vlen edhe për shumë të burgosur që tani jetojnë në diasporë.
Duhet të dëshmohet qëndrimi në burg
Pas aplikimit është një komision ndërqeveritar i drejtuar nga Hydajet Hyseni, i cili do të verifikojë listat dhe do të pranojë vërtetësinë e ish të burgosurit politik.
Sipas statistikave zyrtare, janë mbi 3 mijë të burgosur politikë dhe të internuar që duhet t’u kompensohet koha e burgut.
“Albinfo.Ch” ka intervistuar disa nga ish-të burgosurit politikë nga regjimi i Serbisë dhe ish-Jugosllavisë. Siç deklaruan shumica prej tyre, nuk ka para që mund t’ua kompensojë një natë të kaluar në burgun famëkeq të Goli Otokut, Pozharevcit, Dubravës, etj.
Sala Shala është njëra nga shumë femrat kosovare që është dënuar politikisht nga regjimi i ish-Jugosllavisë dhe që ka vuajtur me vite nëpër qelitë e burgjeve të ish-Jugosllavisë.
Ajo e përshëndeti vendimin e qeverisë për kompensim të burgut, por tha se ky kompensim është më shumë moral sesa material.
“Absolutisht një natë e kaluar në burg nuk ka kompensim material. Kompensimi moral i tejkalon të gjitha kompensimet materiale. Ky vendim është njohje e përpjekjeve tona për liri dhe pavarësi”, deklaroi Shala, e cila aktualisht është deputete e Kuvendit të Kosovës.
S’ka ekuivalencë për një natë të burgut
Halit Krasniqi, i cili shumë vite kaloi parapa grilave, thotë se s’mund të gjendet një institut, apo një ekip ekspertësh që të vendosë një shumë ekuivalente me 24 orë në burgjet mesjetare të këtij regjimi.
“Tani ky vendim është më shumë një satisfaksion i vogël, sesa kompensimi material. Është një mirënjohje për ata që kanë qenë nëpër burgjet e ndryshme nëpër Serbi dhe të internuar. Kompensimi në të holla as përafërsisht nuk është ekuivalente me meritat e të burgosurve”, tha Krasniqi.
Edhe deputeti tjetër, Ahmet Isufi, i cili ka qëndruar 6 vjet në burg, thotë se vendimi për t’iu kompensuar e drejta të burgosurve politikë është dashur të merret edhe më herët, sepse ata meritojnë një trajtim pak më ndryshe në shoqërinë e Kosovës.
“Kjo nuk duhet të kuptohet se me efekte materiale mund t’iu dilet haku të burgosurve politikë. Nuk duhet të bëhet ky vendim, sepse është fatkeqësi e madhe nëse synohet që të përfitohet në fatkeqësinë e atyre që kanë vuajtur në burgje”, deklaroi Isufi.
Të njëjtin përshkrim të vuajtjet dhe vendimin qeveritar e bën edhe ish i burgosuri tjetër politik, Elmi Reçica. “Ka qenë momenti dhe koha e fundit që qeveria ta marrë një vendim të tillë”, tha ai.
Lëvizjet ilegale që kanë përfunduar me burgosje politike, sipas tij, kanë qenë shkëndija e vetme që ka sjellë lirinë, pastaj ato shkëndija, siç tha Reçica, kanë shkuar duke u rritur e zgjeruar deri të lufta e armatosur e UÇK-së.
“Të gjitha vendet postkomuniste këtë kategori e ka trajtuar në mënyrë të veçantë. Tashmë të burgosurit në aspektin moral dhe jo atë material do t’i kompensojnë gjithë ato vuajtje nëpër burgje dhe të gjitha ato përpjekje të pandaluara për lirinë e Kosovës”, tha Reçica.
Edhe Nait Hasani e konsideron vendimin e qeverisë mirënjohje për mundin dhe sakrificën e të burgosurve, edhe pse konsideron se nuk ka të holla që mund t’i shpaguhen vuajtjet dhe torturat që i janë nënshtruar të burgosurit nëpër burgjet e ndryshme.
“Vetëm një natë e kaluar në burgun e Dubravës dhe gjithë ajo masakër që është bërë dhe vuajtjet e maltretimet nuk kanë mjete materiale që mund t’i paguajnë. Por, vendimi i qeverisë është mirënjohje për sakrificën, e nuk bëhet fjalë për aspektin material”, deklaroi ai.
Disa aplikantëve iu është refuzuar kërkesa
Për të vërtetuar dëshminë e qëndrimit në burg Agjencia Shtetërore e Arkivit posedon të gjitha dëshmitë për ish-të burgosurit. Siç kanë raportuar mediet në Prishtinë, Adem Demaçi, Jakup Krasniqi, Azem Syla etj., kanë kërkuan dokumente për të dëshmuar se ishin të dënuar politikë nga regjimi.
Kryeshefi i kësaj agjencie, Ramë Manaj, thotë se 480 kërkesave i është kthyer përgjigje pozitive, ndërsa 300 kërkesave u është kthyer përgjigje negative. Ndërsa 180 kërkesa të tjera janë në procedim e sipër.
Ligji Për të drejtat e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë është miratuar në Kuvend më 29.10.2010, kurse është shpallur me Dekretin e Presidentit të Republikës së Kosovës më 18.11.2010.
Më 14 mars 2013 ndërkaq Qeveria miratoi rregulloren për procedurat dhe kriteret e kompensimit të ish të dënuarve politikë.
Kompensohen edhe familjarët e ish-të burgosurve të vdekur
Bazuar në rregulloren qeveritare, aplikantët që duan të kenë statusin e ish-të dënuarit politik duhet të sjellin në komision një dëshmi: vërtetim për vuajtjen e dënimit, aktgjykim të plotfuqishëm me të dhëna që vërtetojnë kohën në burg, dëshmi me shkrim nga shoqata e të burgosurve ose dëshmitë e dy dëshmitarëve bashkëvuajtës.
Rregullorja gjithashtu parashikon kompensimin e familjarëve në rast se ish i dënuari politik tashmë ka vdekur.
Në Kosovë ka shumë shqiptarë që kanë vuajtura më vite të tëra dënim vetëm pse kanë kërkuar të drejta të barabarta me popujt e tjerë të ish-Jugosllavisë, me serbët, malaziasit, maqedonasit, kroatët e sllovenët.
Adem Demaçi është njëri prej tyre që ka qëndruar rreth 28 vjet bë burg. Po ashtu ka edhe të tjerë që kanë qëndruar 18, 15, 12 e më poshtë. Ndërsa disa nga ish të burgosurit politikë edhe janë zhdukur nga regjimi i diktatorit Milosheviq, siç është rasti me Ukshin Hotin, Bardhyl Çaushin, etj
E-Diaspora
-
Një buqetë dritash, tingujsh e ngjyrash për Ditën e Flamurit, në Winterthur Manifestimi në Winterthur, i organizuar nga Ansambli “Trojet”, krahas muzikës pati si vlerë të shtuar edhe... -
Haradinaj konfirmon kandidaturën e parë për deputet nga diaspora -
Ekspozita personale “Gjurmët në Medalion” e Valbona Gashit hapet në Konsullatën e Kosovës në Gjenevë -
Krasniqi: Mijëra fletëvotime nga diaspora rrezikojnë të mos arrijnë në kohë në Kosovë -
Mbahen takimet poetike të Nëntorit në Lucern
Jeta në Austri
-
“Varg e Vi” me projekt në Vjenë Organizata e Pavarur Kulturore, “Varg e Vi”, në lokalin alternativ për aktivitete kulturore, “7stern”, në Vjenë... -
Policia bastisë shtëpinë e 46 vjeçarit në Austri, zbuluan simbole naziste -
Piloti austriak bën ulje emergjente afër kufirit me Italinë -
Influencerja e zhdukur austriake gjendet e vdekur, brenda një valixheje -
Me 23 nëntor mbahet në Vjenë “Turneu i Pavarësisë”











