Lajme

Azilin s’ka kush ta ndalë!

Numri i kosovarëve që po kërkojnë azil në vendet e Bashkimit Evropian është në rritje e sipër. Autoritetet flasin për mijëra kosovarë në burgjet hungareze

Pavarësisht deklaratave që vijnë nga Brukseli se Bashkimi Evropian nuk pranon refugjatë nga Kosova, pra kosovarët të lodhur nga varfëria dhe me një papunësi deri në 45 për qind, sytë i mbajnë ka perëndimi. Vetëm muajt e fundit është vërejtur një fluks i madh i të rinjve kosovarë drejt Evropës.

Mediet, ndërkaq raportojnë për mijëra kosovarë të burgosur nëpër burgjet e Hungarisë, shumica prej tyre të moshave të reja (18-35).

Sipas të përditshmes kosovare “Zëri”, BE konfirmon se mbi 11 mijë kosovarë kanë shkuar në Evropë gjatë vitit 2012, pa llogaritur edhe ata që shkojnë në Shtetet e Bashkuara, Kanada, e vende tjera.

Këto të dhënat po ashtu tregojnë se prej këtyre 11 mijë azilkërkuesve, shtetet evropiane 7 mijë prej tyre i kanë refuzuar, 1 mijë u kanë dhënë leje qëndrimi të përkohshëm, ndërsa rreth 3 mijë të tjera janë ende në shqyrtim.

Përveçse shumica përfundojnë të zhgënjyer duke iu refuzuar statusi i azilit, ka edhe më keq që përfundojnë nëpër burgje, siç është rasti i fundit me Hungarinë, ku është bërë e ditur se rreth 1000 emigrantë kosovarë janë në burgjet e këtij shteti.

Ndryshe, sipas të dhënave azilkërkuesit kosovarë vazhdojnë të mbeten në dhjetëshen e parë të vendeve që kërkojnë azil në Evropë. Në ranglistë me Kosovën qëndrojnë edhe Somalia, Gjeorgjia, Irani e Iraku, ndërsa në rajon primatin e azilkërkimit vazhdon ta mbajë Serbia me 18 mijë.

Të dhënat nga Brukseli tregojnë se fluksi më i madh i migrantëve nga Kosova vërehet muajt e fundi të vitit 2012. Atë kohë, Prishtina zyrtare u krenua se ka arritur të ulë numrin e azilkërkuesve, ndërsa shifrat tregojnë se numri është rritur për 1500 veta.

Nëse e krahasojmë numrin e azilkërkuesve kosovarë në shtetet e Evropës në vitin 2010, me afërsisht 14 mijë azilkërkues, vitin 2011 numri i tyre vërtet kishte rënë në rreth 9800 azilkërkues. Por, nga fillimi i vitit 2012 e këndej, numri i azil;kërkuesve është rritur në mbi 11 mijë.

Ndërsa vendi ku më së shumti kosovarët drejtohen në Evropë mbetet Franca, në të cilin vend vitin 2012 kanë kërkuar azil rreth 4 mijë kosovarë.

Në anën tjetër, gazeta raporton për rënien e arrestimit të personave që merren me kontrabandë me njerëz. Sipas Policisë së Kosovës, në vitin 2011 janë shënuar 23 raste të arrestimit ndërsa vitin 2012 vetëm 15 raste.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile, ndërkaq thonë se është e pamundur të kontrollohet i gjithë rrjeti i kontrabanduesve. Behxhet Shala, përfaqësues i të drejtave të njeriut në Kosovë, thotë se azilin nuk do ta ndalin kurrë, përderisa ndërkombëtarët vazhdojnë ta mbajnë Kosovën si të vetmin vend në Ballkan të izoluar.

“Sikur të rinjtë të kishin lirinë e lëvizjes pa viza, ata edhe pse do shkonin do të shihnin vetë se nga azili nuk ka asgjë dhe do ktheheshin. Pra është politika e gabueshme dhe diskriminuese e ndërkombëtarëve ndaj Kosovës”, tha ai.

“Bashkësia Ndërkombëtare ka dështuar edhe në zbatimin e projekteve që hapin vende të reja të punës. Edhe ato para që i kanë sjellë në Kosovë përsëri i kanë kthyer në vendin e tyre, duke mbajtur trajnime e gjëra koti e jo duke investuar në ndonjë projekt që hap vend pune”, konsideron Shala.

Numri i azilkërkuesve nëpër vite!

Vitin 2010 : 14310 azilkërkues; Viti 2011 : 9790 azilkërkues; Viti 2012 : 11 135 azilkërkues; Shteti evropian ku më së shumti drejtohen për azil kosovarët mbetet Franca, pastaj është Gjermania, Belgjika, Suedia, Austria e të tjera.
40 për qind e të cilëve janë të  moshës 18 – 35 vjeç.