Lajme

“Koha e torturimit të arinjve ka marrë fund”

Pas shpëtimit të "Kasandrës" ditë më parë “Vier Pfoten” ka shpëtuar edhe 14 arinjtë tjerë “të restoranteve” nga pjesë të ndryshme të Kosovës

Shpëtimi i arinjve nga mbajtja e tyre në “kopshtet zoologjike” private në Kosovë, ka bërë jehonë të madhe në shtypin gjermanofon. Organizata “Vier Pfoten” (katër shputat) që ka mundësuar këtë shpëtim, konsideron se arinjutë e murmë që mbaheshin nëpër restorante të ndryshme në Kosovë, si argëtim për vizitorët, i ishin nënshtruar keqtrajtimit të rëndë dhe mbaheshin në kushte të vështira të jetesës.

Pensionisti zviceran Bernard Leemann (69 vjeçar) i cili kishte vizituar Kosovën, ishte tronditur kur, para dy vitesh kishte parë një ari të mbyllur në një kafaz të ngushtë dhe të ndotur. “Kasandra”, kështu quhej ariu femër në një restorant të baktisur në rrethinën e Prizrenit. “Unë duhet ta shpëtoj këtë ari” ishte betuar aktivisti i organizatës “Vier Pfoten” dhe këtu i ka fillet aksioni spektakolar i para pak ditëve për shpëtimin e 15 arinjve ngakafazet e disa restoranteve kosovare, shkruan blick.ch.

Gazeta zvicerane Blick i kushton një videoreportazh aksionit të shpëtimit të arinjve Ari dhe Arina nga një “kopsht zoologjik” në Prizren, ku kanë marrë pjesë dy zviceranë, nga organizata “Vier Pfoten”. Pasi përshkruhet rezistenca e Vezir Shehut, pronarit të kafazit  ku mbaheshin arinjtë, aty sqarohet se organizata ka zotuar 1.3 milion franga për ngritjen dhe mirëmbajtjen e parkun e arinjve ku do të mbahen 15 arinjtë.

 

“Një sukses për shtetin juridik”, komenton ministri kosovar i ambientit, Dardan Gashi. Ai e di se duhen vite të tëra derisa të bëhet ndalimi i plotë i mbajtjes private të arinjve dhe se për këtë nevojitet ndihma nga jashtë. Aksioni spektakolar te Vezir Shehu duhet të dërgojë një sinjal: koha e torturimit të arinjve ka marrë fund”.

 

 

“Një kohë të gjatë në Kosovë nuk ka qenë e rregulluar me ligj mbajtja e arinjve. Të gjithë arinjtë e murrmë që mbaheshin privatisht, vegjetonin nëpër kafaze të vegjël pranë restoranteve, për të joshur vizitorët. Këtë keqtrajtim organizata ia pati paraqitur qeverisë së Kosovës që para mëse dhjetë vitesh, shkruan portali i “Vier Pfoten”.

Kur, në vitin 2010 përfundimsht kishte hyrë në fuqi ndalimi i mbajtjes së arinjve në regji private, “Vier Pfoten” kishte reaguar menjëherë dhe i kishte ofruar qeverisë mbështetjen për mundüesimin e strehimit human të “arinjve të restoranteve”. Sipas hulumtimeve të ekspertëve të organizatës, në Kosovë po mbaheshin në atë kohë 15 arinj në kushte të mjerueshme.  

Bisedimet sollën shpejt rezultatet e tyre. U nënshkrua një marrëveshje, e cila i mundëson organizatës “Vier Pfoten” që ekskluzivisht ajo të ketë kompetencë për mbajtjen e arinjve të murrmë. Më tutje, një marrëveshje me kryeqytetin, Prishtinën, mundëson shfrytëzimin pa pagesë të një pylli prej 16 hektarësh, për t`i strehuar arinjtë.

Punimet për ndërtimin e rrethojave dhe strofujve si dhe pellgjeve të ujit për arinjtë, në atë park ende nuk kanë përfunduar. Është planifikuar edhe ngritja e një Qendre Ndërkombëtare për mbrojtje të kafshëve dhe të natyrës. Mirëpo, ekspertët nga “Vier Pfoten” megjithatë nuk ka mundur të priste deri në përfunimin e gjithë projektit. Ata kanë ndërmarrë shpëtimin e ariut Kasandra, që jetonte në një kafaz të vogël. Pronari i tij e vizitonte gjithnjë më rrallë dhe po ashtu fare rrallë e ushqente. Për këtë arsye ekspertët e organizatës e morën Kasandrën nga kafazi prej 6 metrash katrorë dhe e vendosën në “Pyllin e arinjve Prishtina” i cili posa ishte rrethuar.

Ditë më parë “Vier Pfoten” ka shpëtuar edhe 14 arinjtë tjerë “të restoranteve” nga pjesë të ndryshme të Kosovës.