Lajme

Kosova nderon viktimat e Holokaustit

Një pllakë përkujtimore u zbulua në Prishtinë për t’i përkujtuar hebrenjtë që u vranë gjatë Holokaustit. “Populli i Kosovës nuk do t’i harrojë kurrë ata...” thuhet në përkujtim

Përfaqësuesit e institucioneve kosovare përkujtuan të enjten viktimat e Holokaustit. Për nderë të hebrenjve të rënë në Luftën e Dytë Botërore, përballë Kuvendit të Republikës së Kosovës në Prishtinë u zbulua një pllakë përkujtimore e cila përkujton “hebrenjtë e Kosovës”.

Zbulimi i kësaj pllake u bë në kuadër të Javës së Tolerancës, e cila po zhvillohet në Kosovë nga 20 deri më 26 maj. Në mbishkrimin në pllakë, në gjuhët shqipe, angleze, hebraike, thuhet…“ Populli i Kosovës nuk do t’i harrojë kurrë ata…”.

Sipas pjesëmarrësve në ceremoninë e zbatimit, komuniteti hebraik në Kosovë ka pasur një histori të gjatë, duke kontribuar shumë për diversitetin e vendit, ndërsa e bënë Kosovën shtëpi të tyre.

Shumë hebrenj, siç thuhet, u shpëtuan falë kodit të vjetër të nderit, të njohur si “besa”, ndërsa ata ikën nga regjimi për në Shqipëri, përmes Kosovës, gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ky kod bëri thirrje në mënyrë specifike për kujdesin për refugjatët. Fatkeqësisht, shumë hebrenj u vranë në kohën kur nazistët arritën në Kosovë afër përfundimit të luftës.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili zbuloi pllakën në një ceremoni zyrtare tha se Kosova po i kujton hebrenjtë e vet të cilët u vranë në kampet naziste gjatë Holokaustit. Ai tha se duhet të nxjerrët mësim nga kjo tragjedi e përmasave të papërfytyrueshme.

“Të mos i harrojmë kurrë familjet kosovare që shpëtuan popullatën hebraike gjatë kësaj periudhë të errët dhe gjithashtu duhet ta gjejmë forcë sot të lëvizim përtej konfliktit, përtej urrejtjes, për të bashkëpunuar me fqinjët tanë, për t’iu bashkuar komunitetit të kombeve të lira evropiane, liria e të cilëve është ndërtuar mbi gjakun e derdhur gjatë Luftës së Dytë Botërore”, tha ai.

Kryeministri po ashtu tha se derisa kujtohen viktimat e konfliktit, për të arritur pajtimin e vërtetë, gjatë këtij procesi, duhet të kujtohen edhe fajtorët.

I pranishëm në ceremoni ishte Yosef Levy, ambasador i shtetit të Izraeli. Ai tha se Izraelit përqafon dhe çmon përpjekjet për të ruajtur kujtimin për viktimat hebraike të Holokaustit në Kosovë.

“Izraeli shpreh mirënjohjen e tij për ripërtëritjen e jetës hebraike në Kosovë, duke përfshirë mirëmbajtjen e varrezave dhe vendosjen e pllakës në vendin e Sinagogës së shkatërruar në Prishtinë”, tha ai.

Vendi i përzgjedhur shënon vendin ku qëndronte Sinagoga e fundit. Ajo u shkatërrua nga regjimi komunist në vitet 1960-ta për t’u zëvendësuar me arkitekturën socrealiste, siç ishin shkatërruar edhe objektet të tjera të rëndësishme të trashëgimisë kulturore duke përfshirë pazarin e vjetër të qytetit.

Në takim ishte i pranishëm edhe Votim Demiri nga Bashkësia Hebraike e Kosovës. Ai tha se gati 70 vjet pas Holokaustit, dërgohet një mesazh i qartë për të ardhmen, me kërkesë , që kjo të mos përsëritët kurrë.

“Duke e vendosur këtë pllakë përkujtimore, shoqëria e Kosovës dëshmon pjekurinë e saj, duke treguar se ndërtimi i një shoqërie multikulturore dhe tolerante është hapi i duhur drejt integrimit evropian. Në emër të Bashkësisë Hebraike të Kosovës, dhe në emër të të gjithë hebrenjve nga e gjithë bota, falënderoj institucionet e Kosovës për këtë ngjarje”, tha ai.