Lajme

Filloi punimet konferenca “Java e Shkencës 2013”

Kjo konferencë, e cila sipas ministrit Buja është ndër më të mëdhatë në Ballkan, po marrin pjesë rreth 500 pjesëmarrës nga vendet e rajonit dhe diaspora

Nën patronatin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), të martën në Prishtinë ka filluar punimet “Java e Shkencës 2013”, e cila ka pikësynim, prezantimin dhe promovimin e të arriturave shkencore në institutet shkencore të Kosovës, në Universitetin e Prishtinës dhe në institucione të tjera të arsimit të lartë.

Me rastin e hapjes së punimeve të konferencës, ministri i Arsimit, Ramë Buja tha se janë shënuar arritje në fushën e shkencës, duke theksuar se këtë vit është bërë edhe një hap për konsolidimin e infrastrukturës ligjore të fushës së shkencës.

Këtë konferencë, ministri Buja e vlerësoi si ndër më të mëdhatë në Ballkan, ku po marrin pjesë rreth 500 pjesëmarrës nga vendet e ndryshme të rajonit, por edhe nga vendet e botës.

“Aktiviteti i kërkimit dhe hulumtimit shkencor në Kosovë tashmë ka mbështetje ligjore të mirëfilltë, përmes ligjit të miratuar me anë të të cilit është hapur një rrugë për themelimin edhe të një institucioni të veçantë që merret ekskluzivisht me shkencën, që është Agjencia për Promovim të Kërkimit Shkencor”, tha ministri Buja.

Qeveria e Kosovës, sipas tij, ka hartuar dhe miratuar Planin Kombëtar të Shkencës, i cili është dokumenti bazë strategjik për mbështetje të veprimtarisë kërkimore shkencore.

Në vazhdim, ministri Buja theksoi faktin se në këtë konferencë po marrin pjesë përfaqësues të vendeve të rajonit dhe tha se kjo ngjarje është kontribut serioz në promovimin dhe prezantimin e shkencës jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë rajonin.

“Vetëm komunikimi dhe këmbimi i përvojave shkencore flet shumë për qasjen e  MAShT-it ndaj hulumtimeve shkencore”,  deklaroi Buja.

Ndërsa, rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Ibrahim Gashi tha se “Java e Shkencës” është një mundësi e mirë për të paraqitur të arriturat shkencore, për të ngritur dhe debatuar temat, si dhe për të iniciuar projekte të së ardhmes.

Ai theksoi se Universiteti ka hartuar një strategji, përmes së cilës synohet që të përfitohen fonde për kërkime shkencore.

“Universiteti i Prishtinës ka kapacitetet më të mëdha njerëzore dhe infrastrukturore në Republikën e Kosovës, mirëpo mbeten sfidë që të rriten kapacitete deri në nivelet e krahasueshmërisë me institucionet e avancuara ndërkombëtare. Këtë synojmë ta arrijmë duke përkrahur kërkime shkencore dhe artistike”, tha Gashi.

Në emër të shkencëtarëve kosovarë nga diaspora, punimet e konferencës i përshëndeti edhe dr. Jahja Koka,  i cili aktualisht jeton dhe punon në Kuvajt.

Ai tha se ngritja shkencore në nivel të magjistraturës dhe doktoraturës dhe post-doktoraturës, në mënyrë profesionale, do të jetë burim për jetën akademike dhe pedagogjike në të ardhmen.

Ndryshe, Konferenca “Java e Shkencës 2013”, ka rreth 500 pjesëmarrës nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Bullgaria, Sllovenia, Turqia, etj., të cilët do të prezantojnë kumtesat e tyre, për të vazhduar me diskutime të ndryshme.

Konferenca do të hapë perspektiva të reja zhvillimi për shkenctarët dhe institucionet kosovare, të cilat kanë nevojë për hapjen e mundësive për hulumtimin dhe zhvillimin e shkencës.

Konferenca “Java e Shkencës” do të zgjasë pesë ditë, ndërsa do të prezantohen të arriturat e fundit në shkencat mjekësore, studimet shoqërore dhe ekonomike, studimet në fushën e edukimit, historisë, gjuhësore dhe kulturore, burimet natyrore, energjinë dhe mjedisin, prodhimin bujqësorë dhe sigurimin e ushqimit, shkencat teknik.. etj