Lajme
Nënshkruhet marrëveshja; pasojnë reagimet
Albinfo.ch sjell tekstin e Marrëveshjes të nënshkruar në Bruksel nga kryeministri i Kosovës dhe ai i Serbisë
Kryeministri Thaçi tha se kjo marrëveshje është zgjidhja më e mirë e mundshme për Kosovën dhe Serbinë. Ivica Daçiq thot se firma e tij nuk nënkupton se marrëveshja është punë e kryer
Dy kryeministrat me ngarkesën më të madhe të hasmërisë në Ballkan, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, janë pajtuar që t’i japin fund mosmarrëveshjeve shekullore dhe t’i hapin rrugë bashkëpunimit.
Dy kryeministrat nën ndërmjetësimin e baroneshës britanike, Catherine Ashton kanë nën shkruar të premten një marrëveshje me të cilin i japin fund “’rebelizmit” serb në komunat veriore të Kosovës dhe me këtë rast i japin shans bashkëpunimit fqinjësor dhe integrimit në BE.
Megjithatë kjo marrëveshje vazhdon të mbetet “ekuacion me disa të panjohura” për shkak të polisemive që kanë disa nga 15 pikat e marrëveshjes. Pavarësisht kësaj, marrëveshje Kosovë-Serbi është përshëndetur nga kancelaritë më me ndikim në botë, por edhe nga subjektet dhe institucionet në Kosovë e Serbi.
Kjo marrëveshje, nuk ka marrë mbështetjen e të gjithëve. Ka edhe subjekte politike që i akuzojnë palët për tradhti.
Thaçi: Zgjidhja më e mirë e mundshme
“Ne sapo kemi nënshkruar marrëveshjen e parë historike ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë, me garancitë e baroneshës Ashton. Kjo marrëveshje është nënshkruar inicialisht mes dy kryeministrave të dy shteteve me garancinë e baroneshës Ashton”, ka deklaruar kryeministri Hashim Thaçi.
Arritja e kësaj marrëveshjeje, sipas tij, është njohje e Kosovës, e subjektivitetit ndërkombëtar, sovranitetit dhe integritetit territorial.
“Marrëveshja është bazë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve tona dhe popujve tanë, prandaj jam i kënaqur që gjendem sot këtu në Bruksel me baroneshën Ashton dhe kryeministrin Daçiq, që kemi arritur këtë marrëveshje për të ardhmen e të dy vendeve tona, të ardhmen evropiane”, deklaroi Thaçi.
Kryeministri kosovar tha se është i vetëdijshëm se disa njerëz edhe në Kosovë edhe në Serbi, nuk do të jenë të kënaqur me këtë zgjidhje, por kjo, sipas tij, është zgjidhja më e mirë e mundshme edhe për Kosovën edhe për Serbinë edhe për rajonin.
“Jemi të vendosur që ta zbatojmë në praktikë këtë marrëveshje në ditët e ardhshme, që do të bëjmë marrëveshjen për implementimin. Do të thotë deri më 26 prill ne do të kemi edhe draftin përfundimtar për implementim dhe aktorët implementues, institucionet e Republikës së Kosovës, EULEX-in, NATO-n, dhe një rol lehtësues të Serbisë”, ka thënë kryeministri i Kosovës.
Kryeministri Thaçi pas kësaj marrëveshje ka takuar përfaqësuesit e NATO-s në Bruksel, ndërsa ka marrë garancë nga sekretari i kësaj aleance, Andres F.Rasumesen se NATO do ta ndihmojë implementimin e marrëveshjes në veri
Daçiq: Marrëveshjen e miraton qeveria
Mirëpo, kryeministri IvicaDaçiq ka thënë se për miratimin ose jo të tekstit do të deklarohet qeveria për të cilën thotë se do të jetë unike, dhe i ka hedhur poshtë pohimet e kryeministrit Thaçi se me këtë marrëveshje Serbia e ka njohur Kosovën
Sipas RTK-së, partitë në pushtet e kanë cilësuar marrëveshjen si hap të madh madje edhe historik të kreut të shtetit në drejtim të zgjidhjes së qëndrueshme, e cila nga aspekti i mbrojtjes së identitetit kombëtar është më e pranueshme në këto rrethana.
Sipas tyre ajo i hap dyert e rimëkëmbjes evropiane Serbisë, kurse serbët në Kosovë do të marrin garanci nga BE për vetëqeverisjen e tyre dhe lidhjet e fuqishme me shtetin amë, dhe shtohet se me këtë ka nisur normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë e Kosovës që është me rëndësi esenciale për stabilitetin dhe evropeizmin e rajonit tonë.
Mirëpo, për momentin kundër marrëveshjes është deklaruar ish kryeministri Vojisllav Koshtunica i cili konsideron se pushteti me firmosjen e saj ka pranuar pezullimin e shtetit të Serbisë në Kosovë, e ka dorëzuar popullin serb në mëshirën dhe pamëshirën separatistëve shqiptar.
“Unë i kam vënë inicialet në tekstin e propozuar, për pranimin ose refuzimin e të cilit të dyja palët do të deklarohen gjatë ditëve në vazhdim”, ka thënë kryeministri Daçiq, duke shtuar se ky tekst sot është gjithsesi më i përshtatshëm seç kanë qenë propozimet e deritashme.
Bashkësia e komunave serbe do të ketë autorizime të mëdha, kur bëhet fjalë për zgjedhjen e komandantit, përkatësisht ajo do ta propozojë komandantin rajonal të policisë; do të ketë përbërje serbe në sistemin e drejtësisë, do të ketë një përafërsi të gjykatës së qarkut në veri të Mitrovicë”, tha ai.
Barroso: Marrëveshja të zbatohet shpejt
Marrëveshja e arritur është një akt historik, e cila tani duhet të zbatohet sa më parë, thotë presidenti i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso, në kumtesën e tij ku përshëndet marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë.
“Jam i bindur se marrëveshja e arritur mes palëve do të hap rrugën që Këshilli të merr vendimet për hapat e Serbisë dhe Kosovës në integrimet evropiane. Populli i Serbisë dhe Kosovës dëshiron që të ecën përpara, dhe të shohin perspektivën e tyre evropian në realitet”, ka thënë Barroso raporton “Zëri”.
“Unë përgëzoj arritjen e Serbisë dhe Kosovës në dialogun e tyre. Kjo është një marrëveshje historike, e cila tani duhet të zbatohet sa më shpejt që është e mundur. Unë uroj të dy liderët për përkushtimin, kurajon dhe vizionin e tyre”, tha ai.
Pas marrëveshjes pasojnë reagimet e gjithanshme
Menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshje pasuan reagimet gjithandej Ballkanit. Mbështetje kësaj marrëveshje i ka dhënë Shqipëria, Maqedonia, Shtete e Bashkuara të Amerikës, BE, presidentja Atifete Jahjaga, përfaqësuesit e partitë politike kosovare, etj.
“Ambasada e SHBA-ve uron Kosovën dhe Serbinë për marrëveshjen e arritur sot. Ne mirëpresim këtë zhvillim pozitiv si një hap të rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve në të mirë të qytetarëve të të dyja shteteve”, thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë.
“Ne vlerësojmë përkushtimin e Përfaqësueses së Lartë të BE-së Catherine Ashton dhe ekipit të saj, dhe lidershipin e treguar nga kryeministrat dhe ekipet e tyre. Ne do të vazhdojmë të përkrahim zbatimin e marrëveshjes dhe normalizimin e mëtutjeshëm i cili është vendimtar për të ardhmen evropiane të të dyja shteteve:, thuhet në reagim.
Kryeministri shqiptar Sali Berisha përshëndeti marrëveshjen, duke e konsideruar si një arritje historike për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Marrëveshja e Brukselit ka një rëndësi të madhe për të gjithë rajonin tonë, për paqen, bashkëpunimin dhe integrimin rajonal dhe evropian. Marrëveshja e sotme hap një kapitull të ri në marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbëve në rajonin tonë, në përpjekjet e tyre për një të ardhme të përbashkët evropiane”,, thotë Berisha.
Në emër të qeverisë shqiptare, kryeministri përshëndet vizionin e të dyja palëve, të dy kryeministrave Thaçi dhe Daçiq, për arritjen e marrëveshjes, Baroneshën Ashton për ndërmjetësimin e suksesshëm, si dhe mbështetjen e SHBA-së, që siç shprehet kryeministri “bënë të mundur këtë arritje historike për Kosovën, Serbinë dhe rajonin tonë”.
Edhe lideri i opozitës shqiptare, Edia Rama ka përshëndetur në rrjetin social Twiter marrëveshjen e Brukselit. Ai shprehet krenar për Kosovën, duke vlerësuar edhe Serbinë për këtë hap të rëndësishëm.
“Krenar për Kosovën që falë një lidershipi vizionar fitoi luftën dhe paqen me dinjitetin më të madh! Më në fund dhe Serbia bëri gjënë e duhur”, ka deklaruar Rama.
Jahjaga: Dialogu i pa alternativë
Ndërsa presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga vlerëson se marrëveshja e arritur ndihmon në vendosjen e bashkëpunimit të gjithanshëm si dhe relakson raportet ndërmjet dy vendeve, duke ndihmuar në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe është kontribut konkret për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë.
“Dialogu nuk ka alternativë dhe është mënyra e vetme për gjetjen e zgjidhjeve që ndihmojnë në lehtësimin e jetës së qytetarëve nga të dyja anët e kufirit”, ka thënë ajo.
Ndërsa Lëvizja për Bashkim është deklaruar kundër marrëveshjes së Brukselit. Kjo lëvizje thotë se përfaqësuesit e Kosovës kanë qenë tërësisht të papërgatitur për këto bisedime dhe në to nuk kanë shkuar për t’i zgjidhur problemet reale midis Kosovës dhe Serbisë, por për të përmbushur një kusht që evropianët e kanë vendosur për Serbinë.
“Lëvizja për Bashkim është e bindur se kjo marrëveshje do të prodhojë një paqe të rrejshme midis palëve dhe se pasojat e vërteta dhe shumë të dhimbshme të saj për vendin do të vërehen tek më vonë”, konsideron ajo.
Marrëveshja e Brukselit
1. Do të ketë një Asociacion/Bashkësi të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Me marrëveshjen e anëtarëve të asociacionit, anëtarësimi do të jetë i hapur për çdo komunë tjetër.
2. Asociacioni/Bashkësia do të krijohet me statut. Shpërbërja e asociacionit mund të ndodh me vendimin e komunave anëtare/pjesëmarrëse. Garanci ligjore do të ofrohen nga ligjet në fuqi dhe ligjet kushtetues (përfshirë edhe shumicën prej 2/3).
3. Strukturat në Asociacion/Bashkësi do të themelohen në bazë të statutit ekzistues të Asociacionit të Komunave të Kosovës psh. Presidenti, zëvendës-presidenti, kuvendi, këshilli.
4. Në përputhje me kompetencat e dhëna nga Karta Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale dhe sipas ligjeve të Kosovës, komunat pjesëmarrëse do të kenë të drejtë të bashkëpunojnë me qëllim ushtrimin e fuqive të tyre në mënyrë kolektive përmes Asociacionit/Bashkësisë. Asociacioni/Bashkësitë do të kenë një vështrim të plot të zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural të rajoneve që përfaqësojnë.
5. Asociacioni/Bashkësia do të ushtrojë kompetenca shtesë ashtu siç i delegohen ato nga autoritetet qendrore.
6. Asociacioni/Bashkësia do të ketë një rol përfaqësues në autoritetin qendror dhe me këtë qëllim do të ketë një ulëse në Këshillin konsultativ të komuniteteve. Në zbatimin e këtij roli parashihet një funksion monitorues.
7. Në Kosovë do të ketë vetëm një forcë policore, e cila do të quhet Policia e Kosovës. E gjithë forca policore në Kosovën veriore do të integrohet në kornizën e Policisë së Kosovës. Pagat do të merren vetëm nga Policia e Kosovës.
8. Anëtarëve të strukturave serbe të sigurisë do t’u ofrohet një vend ekuivalent në strukturat e Kosovës.
9. Do të ketë një Komandant Rajonal të Policisë për katër komunat me shumicë serbe (Mitrovicë veriore, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq). Komandanti i këtij rajoni do të jetë Serb Kosovar i emëruar nga Ministria e Punëve të Brendshme nga lista që asaj do t’i ofrohet nga katër kryetarët e këtyre komunave dhe në emër të Asociacionit/Bashkësisë. Përbërja e Policisë së Kosovës në veri do të reflektojë përbërjen etnike të katër komunave. ( Do të ketë edhe një tjetër Komandant Rajonal për komunat e Mitrovicës Jugore, Skënderajt dhe Vushtrrisë). Komandanti rajonal dhe katër komunat veriore do të bashkëpunojnë me komandantët e tjerë rajonalë.
10. Autoritetet gjyqësore do të jenë të integruara dhe do të veprojnë sipas kornizës ligjore në Kosovë. Gjykata e Apelit në Prishtinë do të krijojë një panel të përbërë me shumicë gjyqtarësh serbë kosovarë, të cilët do të merren me të gjitha komunat me shumicë serbe në Kosovë.
11. Një divizion i kësaj Gjykate të Apelit, e përbërë nga personeli administrative dhe gjykatësit do të ketë selinë e përhershme në Mitrovicën veriore (Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë. Secili panel i divizionit të sipër-përmendur do të përbëhet nga shumica gjykatës serbë të Kosovës. Gjykatësit e duhur do të caktohen varësisht nga rasti që do gjykuar.
12. Me ndihmën e OSBE-së, gjatë vitit 2013, në komunat veriore do të organizohen zgjedhjet komunale, të cilat do të mbahen në përputhje me ligjet e Kosovës dhe standardet ndërkombëtare.
13. Diskutimet për Energjinë dhe Telekomin do të intensifikohen nga të dyja palët dhe do të përfundojnë deri më 15 qershor.
14. Është arritur pajtimi që asnjëra palë të mos bllokojë, as të inkurajojë të tjerët për bllokimin e përparimit të palës tjetër drejt rrugës për në BE.
15. Me ndihmën e BE-së, do të krijohet një komitet për zbatimin e marrëveshjes nga të dyja palët.
E-Diaspora
-
Një buqetë dritash, tingujsh e ngjyrash për Ditën e Flamurit, në Winterthur Manifestimi në Winterthur, i organizuar nga Ansambli “Trojet”, krahas muzikës pati si vlerë të shtuar edhe... -
Haradinaj konfirmon kandidaturën e parë për deputet nga diaspora -
Ekspozita personale “Gjurmët në Medalion” e Valbona Gashit hapet në Konsullatën e Kosovës në Gjenevë -
Krasniqi: Mijëra fletëvotime nga diaspora rrezikojnë të mos arrijnë në kohë në Kosovë -
Mbahen takimet poetike të Nëntorit në Lucern
Jeta në Austri
-
“Varg e Vi” me projekt në Vjenë Organizata e Pavarur Kulturore, “Varg e Vi”, në lokalin alternativ për aktivitete kulturore, “7stern”, në Vjenë... -
Policia bastisë shtëpinë e 46 vjeçarit në Austri, zbuluan simbole naziste -
Piloti austriak bën ulje emergjente afër kufirit me Italinë -
Influencerja e zhdukur austriake gjendet e vdekur, brenda një valixheje -
Me 23 nëntor mbahet në Vjenë “Turneu i Pavarësisë”










