Lajme

Subvencione edhe për vreshtarë dhe verëtarë

Ministra e Bujqësisë ka ndarë rreth 1.1 milion euro për subvencionimin e vreshtarëve dhe verëtarëve kosovarë. 900 mijë do të jenë subvencione ndërsa 200 mijë grante investive

Duke e parë se sektori i vreshtarisë dhe i verëtarisë ka shënuar progres në plasimin e produkteve të tyre jashtë vendit, Ministra e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) ka ndarë një donacion në vlerë 1.1 milionë euro për subvencionimin e vreshtarëve.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, në gjashtë vitet e fundit, Kosova ka arritur të eksportojë rreth 29 milionë litra verë në 24 shtete të ndryshme të rajonit dhe Evropës. Eksporti më i madh i verërave ka qenë në Gjermani, Kroaci, Maqedoni, Slloveni dhe Serbi.

E në bazë të këtyre të dhënave, del se prodhimi i verërave ka shënuar rritje viteve të fundit, ku vetëm gjatë vitit të kaluar, verëtarët kosovarë kanë arritur të prodhojnë mbi 5 milionë litra verë.

Ndryshe, në gjithë territorin e Kosovës vlerësohet se janë 4965 vreshtarë, të cilët e kultivojnë rrushin në një sipërfaqe prej 3217.45 hektarë, ku varietetet për prodhimin e verës kultivohen në një sipërfaqe prej 2538 hektarë, rrushi i tryezës në një sipërfaqe prej 677 hektarë, dhe rrushi për tharje në një sipërfaqe prej 2.45 hektarë.

Duke parë rëndësinë e këtij sektori dhe konkurrueshmërinë e verërave kosovare në tregjet e huaja, Ministria e Bujqësisë, siç raporton KosovaPress, sivjet e ka rritur përkrahjen financiare për prodhuesit e këtij sektori.

Zëdhënësi i MBPZhR-së, Adil Behramaj, thotë se përmes kësaj mbështetje, synojnë shtimin e sipërfaqeve me vreshta të reja me rrush tryeze, përmirësimin e strukturës varietore dhe modernizimin e sistemeve mbështetëse për këto vreshta.

Kosova, sipas tij, ka kushte agroklimatike shumë të përshtatshme për zhvillimin e vreshtarisë dhe verëtarisë.

“Ne jemi fokusuar në ngritjen e vreshtave të reja të rrushit të tryezës dhe në rritjen e qëndrueshmërisë në prodhimtarinë e vreshtave ekzistuese, të cilat sivjet do të subvencionohen me nga 200 euro për një hektarë”, tha Behramaj.

Stoqet e verës, si rezultat i rritjes së eksportit në dy vitet e fundit, sipas tij, kanë rënë për 4.3 milionë litra.

“Në masë të madhe jemi të fokusuar edhe në modernizimin e infrastrukturës në mënyrë që të përmirësojë efikasitetin dhe vlera e përgjithshme e përkrahjes së planifikuar arrin në 1.1 milionë euro, ku 600 mijë do të jenë subvencione, 200 mijë grante investive dhe 300 mijë të tjera janë planifikuar për subvencionimin e stoqeve të verës”, thotë zëdhënësi Behramaj.

I gjithë ky investim i ministrisë, sipas drejtorit të Shoqatës së Prodhuesve të Verës “Enologjia”, Ismet Haxhimurati, do të ndikojë pozitivisht në shtimin e rendimentit të rrushit dhe në përmirësimin e cilësisë së prodhimeve kosovare