Lajme
Dialogu në fazën kritike
Prishtina zyrtare është optimiste se në këtë raund negociatash do të merren vesh për heqjen e strukturave ilegale serbe nga veriu. Në Serbi thonë se në veri nuk ka ilegalë
Dialogu për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po hyn në fazën kritike. Sot në Bruksel për të pestën herë me radhë po i shtrëngojnë duart dy kryeministrat, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, ndërsa pritet të merren vesh për heqjen e strukturave ilegale në veri.
Në Prishtinë janë ngritur dilemat se në këtë raund bisedimesh do të diskutohet edhe modeli i dy Gjermanive, i cili po gjen mbështetje nga Brukseli, ndërsa është pranuar në parim edhe nga Beogradi. Ky model i ka siguruar Gjermanisë Lindore ulëse në OKB, por jo njohje formale të njëra-tjetrës.
Raportuesja për Kosovën e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek vlerëson se ky koncept, si model, mund të gjejë zbatim në rastin e Kosovës dhe Serbisë, për të ndihmuar normalizimin e raporteve mes dy vendeve.
“Mendoj se ky mund të jetë një opsion, meqë ka funksionuar për një kohë të gjatë mes dy Gjermanive. Mendoj se mund të jetë e mundshme. Tani, më shumë se gjysma e vendeve anëtare të OKB-së e kanë njohur Kosovën, dhe mendoj se me Serbinë e cila ecën përpara, duke bërë shumë gjëra si në rastin e marrëveshjes së IBM-it dhe të tjera, mund të hap rrugën për më shumë pjesëmarrje të Kosovës në organizata ndërkombëtare,” tha ajo, raporton REL
Kryeministri Hashim Thaçi, ndërkaq ka shfaqur besimin se takimi maratonik dyditor mund të rezultojë me një marrëveshje konkrete për shuarjen e strukturave ilegale serbe të sigurisë që veprojnë në veri të vendit.
Thaçi tha se pozicioni i palës kosovare në këto bisedime është i qartë: “shtrirja e autoritetit të shtetit të Kosovës në çdo cep të territorit, përfshirë edhe veriun, dhe shpërbërjen e strukturave ilegale të Serbisë atje”. Sipas tij, këto janë edhe parakushte për integrimin e serbëve të veriut në institucionet shtetërore të Kosovës.
“Ky proces nën udhëheqjen e BE-së dhe mbështetjen e fuqishme të SHBA-ve, besojmë se do të përmbyllet me njohje reciproke të dy shteteve, me qëllim që të përmbyllet gjithë ai kapitull apo ajo periudhë 100-vjeçare e problemeve dhe konflikteve, dhe të hapet periudha e njohjes reciproke”, tha Thaçi.
Ndërsa zëvendësshefi i Qeverisë, Hajredin Kuçi tha se takimi maratonik dyditor që është i pesti me radhë, do të rezultojë me një marrëveshje konkrete për shpërbërjen e strukturave ilegale serbe në veri të vendit.
“Ka sinjale edhe nga Beogradi se do të shpërbëhen strukturat ilegale të sigurisë të ngritura nga Serbia dhe në këtë drejtim ka gatishmëri edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë, BE-ja dhe SHBA-të, duke marrë parasysh se ato struktura kanë vepruar ilegalisht jo vetëm në kundërshtim me Kushtetutën Kosovës, por edhe Rezolutën 1244 të OKB-së”, ka thënë ai.
Qëllimi i dialogut ne mes Kosovës dhe Serbisë, sipas tij, është normalizimi i raporteve në mes të dy vendeve, i cili do të përmbyllet me një Traktat Paqeje, apo marrëveshje ndërkombëtare, e cila do të respektonte tërësinë territoriale.
“Kosova do ta bëjë kërkesën për ta përfunduar gjithë këtë proces me një Trakt Paqeje. Ndërkaq se kur përfundon dialogu besoj se kjo varet edhe nga ne, dhe faktorët tjerë BE-ja dhe Serbia, por qëllimi i përfundimit të bisedimeve duhet të arrihet, edhe pse ndoshta koha mund të jetë më fleksibile”, ka thënë Hajredin Kuçi.
Se takimi i pestë do të jetë mjaft sfidues për të dy palët, kjo është konfirmuar edhe nga ndërmjetësuesja e dialogut, Baronesha Catherine Ashton.
Ndërsa nga Beogradi vijnë sinjale të tjera. Kryeministri Ivica Daçiq thotë se në veriun e Kosovës nuk ekzistojnë struktura ilegale. “Ato janë struktura qeverisëse të krijuara nga vetë populli në veri. Serbia nuk ka struktura të saja të sigurisë atje”, ka thënë kryeministri Daçiq.
E-Diaspora
-
Një buqetë dritash, tingujsh e ngjyrash për Ditën e Flamurit, në Winterthur Manifestimi në Winterthur, i organizuar nga Ansambli “Trojet”, krahas muzikës pati si vlerë të shtuar edhe... -
Haradinaj konfirmon kandidaturën e parë për deputet nga diaspora -
Ekspozita personale “Gjurmët në Medalion” e Valbona Gashit hapet në Konsullatën e Kosovës në Gjenevë -
Krasniqi: Mijëra fletëvotime nga diaspora rrezikojnë të mos arrijnë në kohë në Kosovë -
Mbahen takimet poetike të Nëntorit në Lucern
Jeta në Austri
-
“Varg e Vi” me projekt në Vjenë Organizata e Pavarur Kulturore, “Varg e Vi”, në lokalin alternativ për aktivitete kulturore, “7stern”, në Vjenë... -
Policia bastisë shtëpinë e 46 vjeçarit në Austri, zbuluan simbole naziste -
Piloti austriak bën ulje emergjente afër kufirit me Italinë -
Influencerja e zhdukur austriake gjendet e vdekur, brenda një valixheje -
Me 23 nëntor mbahet në Vjenë “Turneu i Pavarësisë”











