Tematike

Randevu e tokës me asteroidin

Emrin 2012 DA14 duhet mbajtur mend. Të premten e javës së ardhshme kjo copë shkëmbore e madhësisë 45 metra do të fluturojë shumë afër tokës. Për astronomët kjo ngjarje është një sheqerkë

 

Është një ngjarje që nuk ndodh çdo ditë. Të premten, më 15 shkurt, në orët e hershme të mbrëmjes një asteroid i madhësisë 45 metra do ta sodisë tokën nga një distancë jashtëzakonisht e afërt. Në momentin e afërsisë më të madhe, largësia e tij do të jetë rreth 28 000 kilometra. Kjo është një largësi e mjaftueshme për ta shmangur përfundimisht ndeshjen me tokën. Ndeshjet e tilla ju ndodhin shpesh copave shkëmbore të planeteve tona brenda orbitës gjeostacionare të satelitëve, pra të atyre që lëvizin në një largësi prej 36 000 kilometrash rreth tokës.

Mjafton një dylbi

Që një copë e tillë shkëmbore të ketë fluturuar kaq afër tokës nuk ka ndodhur që nga viti 1990 kur u fillua me kërkimin sistematik të asteroidëve që gjenden afër tokës. Edhe interesimi për ngjarjen është po ashtu i madh. Astronomët amatorë kudo po përgatiten për ta ndjekur “pranëfluturimin”. Për këtë mjaftojnë dylbi të mira apo një teleskop. Edhe NASA nuk do të lë t’i shpëtojë rasti. Siç bëri të ditur dje në një komunikatë për shtyp, ajo do të përpiqet që javën e ardhshme të mbledhë sa më shumë informacione mbi copën shkëmbore të quajtur 2012 DA14. Nga këto informacione nuk premtohet vetëm parashikimi më i saktë i orbitës së tij, por gjetja e formës së shkëmbit, shpejtësia e tij e rrotullimit dhe përbërja e tij.

Edhe pse asteroidi edhe në të kaluarën i ishte afruar tokës vazhdimisht, mbi ekzistencën e tij nuk dihej deri në vitin e kaluar. Zbulimi i tij është meritë e astronomëve amatorë, të cilët në Spanjën Jugore me një teleskop të vogël hulumtojnë sistematikisht mbeturinat hapësinore dhe kërkojnë objekte të vogla  afër tokës. Ata, natën mes 22 dhe 23 shkurtit 2012 hasën në një objekt deri atëherë të panjohur, i cili fluturonte me shpejtësi në qiell.

Vëzhgimet pasuese vërtetuan se është fjala për një asteroid, i cili rrotullohet në një orbitë të ngjashme si të tokës rreth diellit. Për këtë arsye edhe takimet e  tyre të rregullta janë të paraprogramuara. Një afrim i tillë sikur ky tash nuk do të ndodhë për decenie, theksoi në konferencën për shtyp Donald Yeomans nga Jet Propulsion Laboratory i NASA-s. Meqenëse asteroidi fluturon shumë afër tokës do të zhvendoset aq shumë nga orbita e tij sa që në të ardhmen do të jetë dukshëm më i parrezikshëm.

Maja e Ajsbergut

Zatën nuk ka arsye për t’u brengosur për sigurinë. Sipas vlerësimit të ekspertëve në afërsi të tokës gjenden rreth 500 000 asteroidë të madhësisë përafërsisht të njëjtë sikur 2012 DA14. Mesatarisht duhet llogaritur në çdo 40 vjet me një pranëfluturim në largësi të kufizuara. Dhe çdo 1200 vjet mund të ndodhë rënia e ndonjërit prej tyre në tokë.

Ndryshe nga ndikimi i  një objekti me diametër 1 kilometër, pasojat e një goditjeje si kjo do të ishin të kufizuara regjionalisht. Megjithatë pasojat nuk do të ishin për t’u nënçmuar. Këtë e tregon e ashtuquajtura „Ngjarja – Tunguska“ e vitit 1908. Në një regjion pyjor dhe pothuajse të pabanuar të Siberisë ekspoldoi atëkohë një asteroid apo një kometë dhe këputi me radhë drunjtë në një sipërfaqe prej 2 000 kilometra katrorë. Forca e eksplodimit është ende temë diskutimesh. Shkohet nga ajo se trupi eksplodues kishte madhësi të njejtë sikurse 2012 DA14.

Deri tash nuk janë të njohur asteroidë që paraqesin rrezik për tokën, thotë Detlef Koschny nga Agjensia Hapësinore Evropiane ESA, i cili udhëheq programin „Space Situational Awareness“. Hulumtuesit i brengos megjithatë numri i atseroidëve ende të panjohur. Prej rreth 500 000 asteroidëve sa vlerësohen të jenë të një madhësie të ngjashme si 2012 DA14 sot janë të njohur më pak se një për qind. Se do të ndodhë diç me ne  për të cilën nuk dimë është një paramendim shqetësues, thotë Koschny.

Ç’është e vërteta kjo gjendje nuk do të ndryshojë shumë as në të ardhmen, sepse agjensioneve të mëdha për hulumtimin e gjithësisë ju mungojnë paratë për ta studiuar tërësisht këtë popullim të shumtë të asteroideve të vogla. Derisa NASA  i ka shtruar vetes si qëllim hulumtimin e objekteve potencialisht të rrezikshme të madhësisë mbi 140 metra, ESA po shkon në një rruge tjetër. Përmes një sistemi ende të parealizuar të teleskopëve automatikë ajo synon t’iu bie në gjurmë  asteroidëve të paktën tri javë para ndeshjes së rrezikshme. Kështu do të mbetej kohë për të paktën evakuimin e regjionit të rrezikuar.

Autor: Christian Speicher, NZZ 

Përkthimi: Nexhmedin Gerguri