Lajme

Nisin hetimet për vrasjen e Mustafës

Sipas EULEX-it, një deputet aktual i Kuvendit të Kosovës dhe një zyrtar i lartë policor janë të dyshuarit kryesor për vrasjen e Xhemajl Mustafës

Një deputet dhe një polic kosovar dyshohet se kanë marrë pjesë në vrasjen e Xhemajl Mustafës, njëri nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të ish-presidentit Ibrahim Rugova. Siç njofton  misioni i BE-së në Kosovë (EULEX) tashmë kanë nisë hetimet për këtë vrasje.

EULEX-i, siç raportojnë mediet kosovare, ka intervistuar bashkëshorten e Mustafës, ish-zyrtari i lartë i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe personat që janë të dyshuar për këtë rast. Jo zyrtarisht, EULEX-i rikonfirmon se një deputet dhe një zyrtar policor janë të dyshuarit kryesorë për këtë vrasje.

Burime të gazetës “Express” kanë konfirmuar se tashmë janë intervistuar disa persona në lidhje me vrasjen Mustafës.

“Po, janë marrë në pyetje disa njerëz, por edhe personat që dyshohen se kanë gisht në vrasjen e tij”, i ka thënë një burimë ndërkombëtar këtij mediumi.

Përveç tyre më herët është marrë në pyetje edhe Bahrije Mustafa, bashkëshortja e Xhemajl Mustafës.

“E bija e Mustafës, Beriana konfirmon se Prokuroria Speciale e EULEX-it e ka ftuar më herët në intervistë nënën e saj. Prokuroria ka marrë në pyetje nënën time, por prej asaj kohe më nuk kemi asnjë informatë nga EULEX-i”, ka thënë Beriana Mustafës.

Një burim i gazetës, mirë i informuar, ka thënë se EULEX tashmë posedon disa emra që dyshohen si të përfshirë në rastin e vrasjes.

“Njëri nga ta është deputet aktual në Kuvendin e Kosovës. Njëri po ashtu është zyrtar i lartë në Policinë e Kosovës. Por nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe të dyshuar të tjerë të përfshirë në këtë vrasje e cilësuar si politike”, ka thënë burimi i gazetës “Express”.

Ndryshe vrasje e Xhemajl Mustafës e cila kishte ndodhur menjëherë pas zgjedhjeve të para demokratike në Kosovë , në vitin 2000, kishte tronditur opinionin kosovar. Mustafa kishte qenë krahu i djathë i Rugovës dhe këshilltar i tij politik dhe medial