Lajme

Kthehet në rigjykim rasti Kleçka

Një trup gjykatësish të Gjykatës Supreme të Kosovës në përbërje, tre gjyqtarë të EULEX-it dhe dy gjyqtarë kosovarë, e kamë kthyer në rigjykim lëndën kundër deputetit të Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limajt dhe tre të akuzuarve të tjerë në rastin e ashtuquajtur Kleçka. Me këtë rast, trupi gjykues i Gjykatës Suprem e miratoi pjesërisht ankesën […]

Një trup gjykatësish të Gjykatës Supreme të Kosovës në përbërje, tre gjyqtarë të EULEX-it dhe dy gjyqtarë kosovarë, e kamë kthyer në rigjykim lëndën kundër deputetit të Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limajt dhe tre të akuzuarve të tjerë në rastin e ashtuquajtur Kleçka.

Me këtë rast, trupi gjykues i Gjykatës Suprem e miratoi pjesërisht ankesën e prokurorit special të EULEX-it dhe e anuloi vendimin e gjykatës së shkallës së parë me anë të së cilit ishin shfajësuar Fatmir Limaj, Nexhmi Krasniqi, Naser Shala dhe Naser Krasniqi, ish-udhëheqës të UÇK-së në Zonën e Pashtrikut.

Të pandehurit ishin akuzuar për krime të luftës kundër popullsisë civile dhe të burgosurve të luftës. Ndërsa ndryshe nga vendimi shkallës së parë, Gjykata Supreme i shpalli të pranueshme edhe dëshmitë e Agim Zogajt, i njohur si “Dëshmitari X”, i cili u vetëvra në Gjermani në shtatorin e vitit të kaluar.

Prokurori i rastit, kërkoi nëndaj katër ish guerilëve të UÇK-së të caktohet masa e paraburgimit, mirëpo Gjykata Supreme nuk vendosi kështu. “Kërkesa e prokurorit për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurit u hodh poshtë si e papranueshme nga Gjykata Supreme”, thuhet në njoftimin e EULEX-it.

Gjykata e Qarkut e Prishtinës e kishte ndarë rastin Kleçka, me ç‘rast ishin nxjerrë dy aktgjykime. Në atë kohë gjykata i shpalli dëshmitë e Agim Zogajt si të papranueshme dhe i shfajësoi të gjithë të pandehurit me anë të këtyre dy vendimeve.

Lidhur me këtë vendim reagoi pala mbrojtëse duke konsideruar këtë vendim si të padrejtë. Ndërsa Qeveria e Republikës së Kosovës thekson se drejtësia duhet të jetë e pavarur, e paanshme dhe profesionale, dhe të mos ndikohet nga askush.

“Qeveria e Republikës së Kosovës beson në pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe përpjekjet për të njollosur këtë luftë nuk do të kenë sukses. Qeveria dhe të gjithë qytetarët e Kosovës ndihen krenar me luftën e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në një reagim.