Lajme

Mbi 100 pjesëmarrës në “Gërmia Hill”

Kjo Konferencë synon të internacionalizoj Kosovën si shtet demokratik, ndërsa Prishtinën si bazë të takimeve të ekspertëve eminentë botërorë

Mbi 100 pjesëmarrës të profileve të ndryshme, të jetës politike dhe ish-përfaqësues institucionesh nga disa vende të botës, po marrin pjesë në Konferencën “Gërmia Hill” e cila po mbahet për herë të dytë në Prishtinë. E organizuar nga Ministria kosovare e Punëve të Jashtme, kjo konferencë synon të internacionalizoj Kosovën si shtet demokratik, ndërsa Prishtinën si bazë të takimeve të ekspertëve eminentë botërorë.

E filluar të enjten pasdite, “Gërmia Hill” po vazhdon sot me diskutime nga politikanë e diplomatë të ndryshëm botëror. Partneri i MPJ-së në organizim të kësaj konference është edhe Këshilli Evropian për Punë të Jashtme, si dhe Qeveria e Britanisë së Madhe dhe ajo e Norvegjisë.

Në edicionin 2012 të “Germia Hill”, janë prezentë ECFR, Këshilli Atlantik, Instituti Hoover, Brookings Instituti, Instituti Trans-Atlantik, John Hopkins, Instituti SAIS, Chatham House, Grupi Ndërkombëtar i Krizave, etj.

“Janë të ftuar edhe ekspertë nga bota, rajoni dhe Kosova të cilët marrin pjesë rëndom në debatet strategjike të politikës së jashtme.

Nuk janë ftuar liderët politikë e as funksionarë shteti pasi që rregullat e konferencës dhe marrëveshja me partnerët kërkojnë që fokusi i konferencës të jenë tema eksterne e jo interne”, tha Drilon Zogaj, zyrtar për Informim në MPJ.

Në “Germia Hill 2012” janë ftuar ekspertë kosovarë dhe pjesëmarrës nga të gjitha partitë politike, por nuk janë ftuar liderët politik, përfshirë atyre në Qeveri, sepse evenimenti, sipas MPJ-së, nuk i është dedikuar temave kosovare..

Në fillim të kësaj konference, presidentja e shtetit, Atifete Jahjaga kërkoi që “Gërmia Hill” dhe debatet konstruktive që dalin nga ajo, të shërbejnë si modele, për një bashkëpunim të mirëfilltë dhe të sinqertë ndërmjet vendeve dhe popujve.

”Duke qenë vatra e fundit e luftës në Ballkan dhe rrëfimi më i madh i suksesit të përbashkët vendas, rajonal e ndërkombëtar që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, Kosova e ka të freskët përvojën e veprimit multilateral dhe bashkëpunimit të ngushtë amerikano-evropian në parandalimin e gjenocidit, vendosjen e paqes dhe tash së fundi në procesin e shtet-ndërtimit”, tha ajo.

Realizimi i paqes së qëndrueshme, demokracisë së mirëfilltë dhe krijimi i shoqërive gjithëpërfshirëse, sipas Jahjagës, është ngushtë i lidhur me integrimin e plotë të vendeve të Evropës Juglindore në Bashkimin Evropian dhe në NATO. “Integrimi ynë si rajon në BE dhe në NATO gjithashtu do të ndihmojë reformimin tonë shoqëror”, tha jo.

Presidentja e Kosovës në këtë konferencë i dha mbështetje të plotë dialogut Prishtinë Beograd në nivel kryeministrash.”Republika e Kosovës është e përkushtuar për dialogun si rrugën e vetme për normalizimin e marrëdhënieve dhe të zgjidhjes së të gjitha çështjeve”, tha Jahjaga, sipas të cilës, kjo rrugë nuk ka alternativë.

I të njëjtës vij ishte edhe ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj, i cili i dha mbështetje të fuqishme dialogut me Serbinë, ndërsa bisedimeve si alternativë demokratike, i dhanë mbështetje edhe ambasadori i Britanisë së Madhe dhe ai i Norvegjisë të akredituar në Prishtinë.