Lajme

VV: Duam debat televiziv me Thaçin

Lideri i Vetëvendosje, Albin Kurti nuk është i gatshëm të takohet me kryeministrin Hashim Thaçi, por kërkon debat televiziv me të

Lëvizja Vetëvendosje nuk është e gatshme që ta pranojë në selinë e tyre kryeministrin Hashim Thaçi as zëvendësin e tij, Hajredin Kuçi, por kërkojnë një debat televiziv, në cilido televizion kosovarë, ndërmjet kryeministri Thaçi dhe liderit të Vetëvendosje, Albin Kurti. 

Kjo përgjigje e Vetëvendosjes ka ardhur pas gatishmërisë së zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi, për t’u takuar me përfaqësuesit e Vetëvendosjes në selinë e tyre. Kuçit tha se vetë ai, si dhe kryeministri Thaçi janë të gatshëm të takohen kurdo dhe kudo, me liderin e Vetëvendosjes, Kurti dhe zyrtarët tjerë të kësaj lëvizjeje. 

Kjo gatishmëri e Kuçit ka ardhur pas protestave të fundit të Vetëvendosjes, të cilat përfunduan me disa t lënduar dhe me dhjetëra të arrestuar. “Është e pahijshme që të ketë përplasje në rrugët e Prishtinës për një veprim që ka të bëjë me relacionin Kosovë – Serbi”, tha Kuçi. 

Mirëpo përfaqësuesit e Vetëvendosjes këtë gatishmëri të Kuçit dhe kryeministri Hashim Thaçi e konsiderojnë si veprim të pasinqertë, pas dhunës policore kundër protestuesve.   

“Ne e pranojmë dhe kërkojmë ballafaqim të drejtpërdrejtë ndërmjet kryeministrit Hashim Thaçi dhe kryetarit të Lëvizjes, Albin Kurti. Takimi le të mbahet në cilindo nga televizionet nacionale të Kosovës, ku do t’i ballafaqonin konceptet dhe argumentet të dytë”, ka thënë Erzen Vraniqi nga Vetëvendosje. 

I të njëjtit mendim ka qenë edhe nënkryetari i Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti në një intervistë dhënë KTV-së.