Lajme

Policia për bashkatdhetarët përgatitë “Sezonën verore”

Si asnjëherë më parë, Policia e Kosovës ka menduar shumë më herët, para sezonës së verës, për sigurinë e qytetarëve që marrin pjesë në trafik.

Forcat e rendit kanë menduar në mënyrë të veçantë, të parashikojnë operacione për tre muajt e kësaj stine, duke nisur nga qershori deri në gusht.

Kjo për faktin se gjatë muajve të verës, me ardhjen e bashkatdhetarëve në pushime, rrugët e Kosovës stërmbushen me lëvizje veturash.

Ndërkohë, edhe operacionet e policisë së trafikut, gjatë kësaj periudhe kohore, duket se do të jenë më mirë të organizuara.

Arsye për këtë parapërgatitje të policisë, duket se janë edhe statistikat e aksidenteve në trafik.

Vetëm për katër muajt e parë të këtij viti, janar-prill 2012, kanë ndodhur 27 vdekje nga aksidentet në komunikacion.

Madje, gjatë kësaj kohe, kanë pësuar me vdekje edhe dhjetë këmbësorë, kurse 1 mijë e 89 raste, aksidentet kanë rezultuar me lëndime, derisa në përgjithësi kanë ndodhur 5 mijë e 679 raste.

E të gjitha këto aksidente kanë ndodhur gjatë një periudhe të zakonshme, pa shtimin e fluksit të personave pjesëmarrës në trafik, ose thënë më ndryshe, ende pa ardhur rreth 300 mijë bashkatdhetarë.

Për këtë arsye, ndryshe nga herët e kaluara, këtë radhë, forcat e rendit kanë menduar që të hartojnë plane parandaluese dhe jo vetëm të jetë dëshmitarë të aksidenteve të rënda në komunikacion.

Baki Kelani, një nga zëdhënësit e Policisë së Kosovës, ka treguar për Albinfo.ch se angazhimet shtesë, janë si masë përgatitore të njësive të trafikut për përmirësimin e gjendjes në sigurinë e komunikacionit rrugor në prag të sezonës verore

Ai tregon se tashmë Departamenti për Hartimin, Zbatimin dhe Monitorimin e Politikave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me Departamentin për Siguri Rrugore të Policisë së Kosovës, kanë filluar një raund takimesh në Drejtoritë rajonale.

“Temë diskutimi është siguria në komunikacionin rrugor. Këto angazhime shtesë vinë si masë përgatitore i njësive të trafikut për përmirësimin e gjendjes në sigurinë e komunikacionit rrugor në prag të sezonës verore”, ka sqaruar Kelani për Albinfo.ch.

Sipas tij, Policia e Kosovës, gjatë kësaj periudhe do të zbatojë planet e përgatitura ekskluzivisht për sezonin veror, gjë që do të garantojë siguri më të madhe, si dhe shkelësve të rregullave të komunikacionit do tu shqiptohen gjoba konform Ligjit për sigurinë e komunikacionit rrugor.

Ditë më parë, në Drejtorinë Rajonale të Prishtinës – në njësinë rajonale të trafikut në Fushë Kosovë, është mbajtur një takim i zyrtarëve përkatës të forcave të rendit.

Përfaqësuesi i Policisë së Kosovës për Departamentin e sigurisë rrugore, kapiten Jeton Rexhepi ka deklaruar se edhe këtë vit, gjatë sezonës verore do të ketë angazhime shtesë nga njësitet e trafikut.

“Me fillimin e sezonës verore, policia ka përgatitur një urdhër operativ me emrin ‘Sezona Verore’ i cili do të shpërndahet te të gjitha drejtoritë rajonale e që ka për qëllim përmirësimin e gjendjes së sigurisë në komunikacionin rrugor si dhe ruajtjen e rendit dhe të qetësisë publike”, është shprehur ai pas takimit.

Sipas tij, në bazë të këtij urdhri operativ do të shtohet numri i patrullave policore në lokacionet ku ka frekuentim më të madh të qytetarëve si në vende turistike, pishina etj.

Ndërkohë, Behar Ramadani, zyrtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke folur për gjendjen aktuale të sigurisë në komunikacionin rrugor, potencoi se theks i veçantë tani i kushtohet sezonit veror ku numri i automjeteve do të shtohet.

“Synim yni dhe besoj synim i të gjithëve është që veturat përfundimisht t’i heqim nga shkaktarët e vdekjes. Në njëfarë mënyre, të gjithë ne jemi përdorues të rrugës si në rolin e drejtuesit të automjetit, në rolin e këmbësorit, ose në rolin e pasagjerit pra për të gjithë ne problemi i sigurisë rrugore është një problem që na takon të gjithëve”, është shprehur Ramadani.

Fakte

Periudha Janar-Prill 2012

Aksidente fatale 26 raste

Persona të vdekur 27

Këmbësor të vdekur 10

Aksidente me lëndime 1089

Personat e lënduar 1987

Këmbësor të lënduar 252

Aksidente me dëme 4259

Godit dhe ik 305

Total aksidente 5679

Tiketa të shqiptuara 75135