Lajme

Zbritet tarifa kufitare për banorët e Luginës së Preshevës

Banorët shqiptarë të Luginës së Preshevës, por edhe të gjithë banorët e Serbisë që duan të hyjnë me veturë në Kosovë, nga një qershori do të paguajnë vetëm 20 euro për shtatë ditë qëndrimi në Kosovë. Kjo është bërë e ditur pas takimit që kishte Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, me Drejtorin e Bordit të Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Rrahim Pacolli.

Ky i fundit theksoj se ky ka qenë maksimumi që kanë mundur të bëjnë kompanitë e sigurimeve. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se ky lirim i çmimeve është një vepër kombëtare e bërë nga Byroja e Sigurimeve të Kosovës, raportojnë mediat kosovare.

Çmimi aktual është 60 euro për 15 ditë.

Qytetarët e Kosovës do të vazhdojnë të paguajnë çmime të njëjta kur kalojnë për në Serbi, pasi që ulja e taksave është hap i njëanshëm i Kosovës.