Lajme

1 mijë e 781 varëse të rrobave me nga një pikëpyetje

Aq është edhe numri i të pagjeturve të Kosovës thanë organizatorët e kësaj performance në shenjë përkrahje dhe solidarizimi me familjarët

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë prezantoi në sheshin Nënë Terezë në Prishtinë një performancë, me 1 mijë e 781 varëse të rrobave me nga një pikëpyetje, aq sa është edhe numri i të pagjeturve.

 Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë prezantoi në sheshin Nënë Terezë në Prishtinë një performancë, me 1 mijë e 781 varëse të rrobave me nga një pikëpyetje, aq sa është edhe numri i të pagjeturve.

Liridon Zeka, pjesëtar i kësaj nisme, tha se këtë ide e kanë paraqitur në shenjë përkrahje dhe solidarizimi me familjarët, duke parë mungesën e institucioneve për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

“Duke parë mungesën e angazhimit të Institucioneve përkatëse për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur ne si aktivist kemi parë të arsyeshme që të organizojmë aktivitete më qëllim që të bëjmë presion në mënyrë që të jenë më efikas në punët e tyre”, tha ai, njofton RTK.

Ai tha se institucionet duhet të zbardhin të vërtetën dhe të vendoset drejtësia, sepse 1 781 nuk është numër, por njerëz që i mungojnë Kosovës që 13 vjet.

Zeka tha se performancat dhe nismat e tyre në përkrahje të familjarëve të të pagjeturve nuk kanë pasur ndikim të duhur te institucionet përkatëse, por sipas tij, është sensibilizuar opinioni se fati i të pagjeturve duhet të ndriçohet sa më shpejt.

Ndërkaq Prenk Gjetaj, drejtues i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur thotë se komisioni po vazhdon edhe më tutje takimet me institucionet ndërkombëtare dhe vendore për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Për këtë vit komisioni ka paraparë që të bëhen gërmime në 36 lokacione dhe të dihet rreth rastit të Rashkës.  

Shefi i EULEX-it, Xavier de Marnhac, në ditën e të pagjeturve përmes një deklarate për media theksoi se ende ka shumë sfida, por sipas tij EULEX-i do të vazhdojë ta mbështesë fuqishëm

Departamentin për Mjekësi Ligjore në përpjekjet për të zbardhur fatin e atyre që nuk janë gjetur ende.

Ai thekson se këtë vit do të bëhen kërkime në më shumë se 30 lokacione potenciale. Përveç kësaj,thuhet se do t’i fillojnë hetimet e tyre për rastet e mundshme të identifikimeve të gabuara si dhe operacionet në terren, të ndihmuara nga ekspertët e EULEX-it për mjekësi ligjore.

“Edhe 1781 persona vazhdojnë të jenë të pagjetur nga konflikti në Kosovë. Prandaj, kjo është arsyeja pse EULEX-i po e ndihmon Departamentin e Mjekësisë Ligjore (DML) të Ministrisë së

Drejtësisë në Kosovë, në përpjekjet e tij për të zbardhur fatin e të pagjeturve. Veç kësaj, lidhur me këtë çështje DML/EULEX po bashkërendon në mënyrë intensive me shoqatat e familjeve, familjet veç e veç dhe me disa palë të tjera të interesit”, thekson Marnhac.

Ai njoftoi se deri më sot, familjeve u janë kthyer mbetjet mortore të rreth 300 personave. 

Marnhac thekson se mjekët e EULEX-it vazhdojnë t’i mentorojnë dhe monitorojnë vendorët në strukturimin e një departamenti modern të mjekësisë ligjore.