Lajme

Shqipëtarët e veriut kërkojnë më shumë siguri

Banorët shqiptarë që jetojnë në veri kërkojnë të shtohen masat e sigurisë në mënyrë që të mos eskalojë situata

Për të koordinuar qëndrimet, zyrtarët komunalë të Mitrovicës kanë mbajtur të martën një takim me përfaqësuesit e banorëve shqiptarë që jetojnë në veri të qytetit.

Ata janë dakorduar për vazhdimin e komunikimit të afërt si institucione dhe qytetarë në mënyrë që bashkërisht të merren vendime në këtë situatë të tensionuar pas vrasjes së Selver Haradinajt dhe plagosjes së tre fëmijëve të tij.

U kërkua maturi dhe syqeltësi si prej institucioneve ashtu edhe prej banorëve.

 Kryetari i komunës, Avni Kastrati, ka përgëzuar qytetarët për pjekurinë e tyre qytetare dhe kombëtare, duke pasur parasysh provokimet e vazhdueshme nga strukturat ilegale serbe.

Ai ka deklaruar se komuna dhe të gjitha institucionet do të jenë pranë banorëve në çdo moment, në mënyrë që sa më lehtë të kalohet situata e krijuar.

Ai potencoi se qytetarët duhet të vazhdojnë të jenë syçelë, duke pasur parasysh gjendjen e krijuar, mirëpo secili ka të drejtë të mbroj pronën dhe familjen e tij nëse sulmohet.

“Secili duhet të kontribuoj në qetësimin e situatës, mirëpo secili ka të drejtë dhe duhet të mbroj pragun e shtëpisë nëse sulmohet”, ka theksuar ai. 

Banorët kanë shprehur shqetësimin e tyre për tensionim e situatës pas vrasjes së një qytetari shqiptar në shtëpinë e tij në zonën e “Tre rrokaqiejve”. 

Ata theksuan se në këto momente ndjehen të pasigurt, andaj kanë nevojë urgjente që të shohin një prani më të madhe të strukturave të sigurisë. 

Musa Miftari, përfaqësues i banorëve të Lagjes së Doktorëve, tha se strukturat e sigurisë duhet të ndërmarrin masa shumë shpejt sa i përket krijimit të sigurisë. 

“Nuk kemi nevojë për mbështetje morale, por për aksione konkrete”, ka theksuar ai.

Ai theksoi që 13 vjet pas luftës vrasjet ndaj shqiptarëve në veri nuk janë ndalur dhe këto po vazhdojnë edhe sot. 

“Duhet të gjendet zgjidhje për të mbrojtur elementin shqiptar në veri”, ka deklaruar ai, duke shtuar se krahasuar me vitet e pasluftës tash situata është më ndryshe sepse ekzistojnë mekianizmet e shtetit të Kosovës që duhet të veprojnë. 


Pas takimit në komunë, kryetari Kastrati me bashkëpunëtorë ka vizituar disa lagje të veriut.

Ai ka biseduar me qytetarë, të cilëve ua ka thënë se do të jenë bashkë në çdo situatë.

17:00 – Protestë te Ura e Mitrovicës

Rreth 100 qytetarë shqiptarë janë duke protestuar në jug të urës së Ibrit në Mitrovicë

Qytetarët po protestojne në shenjë revolte për ngjarjet e fundit që ndodhën në pjesën veriore të këtij qyteti, raporton KTV-ja.

Në vendngjarje ka edhe forca të shumta të EULEX-it dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës, vazhdon njoftimi, i cili vazhdon se në vendin e ngjarjes ka dalë edhe drejtori i policisë për rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi. Zyrtarët e EULEX-it kanë thënë se paraprakisht kanë marrë një informatë për mbajtjen e një proteste dhe se kanë dalë në terren për të mbajtur situatën nën kontroll.

Lajmi për mbajtjen e protestës ka qarkulluar gjatë ditës së djeshme nëpër rrjetet sociale.