Lajme

Kacin, Serbisë: Harroje veriun e Kosovës

Ai ka thënë se Beogradi duhet të harrojë idenë se veriu i Kosovës de fakto do të mbetet pjesë e Serbisë

Raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, Jelko Kacin, ka deklaruar se Bashkimi Evropian duhet të vazhdojë të shpërblejë qëndrimin konstruktiv të Prishtinës zyrtare në bisedimet me Beogradin.

Ai ka thënë se Beogradi duhet të harrojë idenë se veriu i Kosovës de fakto do të mbetet pjesë e Serbisë. Sipas tij, përveç qasjes së BE-së ndaj Kosovës, integrimi i kësaj të fundit varet nga vullneti i autoriteteve kosovare për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.

“Studimi i fizibilitetit ka filluar, e po ashtu edhe puna për liberalizimin e vizave. Ne kemi nevojë për të siguruar se këto procese do të realizohen në të ardhmen e afërt. Kosova është vendi i fundit në rajon, ku qytetarët e saj kanë nevojë për vizë për të udhëtuar në zonën Shengen. Andaj ne duhet të bëjmë pjesën tonë të punës në mënyrë që t’iu japim fund këtyre vështirësive sa më shpejt të jetë e mundur”, ka thënë ndër të tjera Kacin para eurodeputetëve.