Lajme

Komisioni Evropian mbështet projektet në energji

Komisionari për Energji i Komisionit Evropian, Gunther Oettinger, ka mirëpritur angazhimin dhe pjesëmarrjen e Kosovës në projektet e infrastrukturës për energji elektrike dhe gaz dhe ka theksuar përkrahjen e Komisionit Evropian në këto projekte.

Gjatë takimit me ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, komisionari Oettinger shprehu mbështetjen e tij për procesin e integrimit të Kosovës, si dhe të rajonit të Ballkanit Perëndimor, në Bashkim Evropian dhe në iniciativat evropiane për energji, thuhet në njoftimin e MZHE-së.

Sipas njoftimit, ministri Beqaj e ka informuar komisionerin Oettinger për zhvillimet e fundit në sektorin e energjisë dhe për punën që është duke u bërë në përafrimin e Kosovës me standardet Evropiane.

Ministri e informoi komisionarin e BE-së për punëm dhe angazhimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik në projektet e ndërtimit të TC Kosova e Re, privatizimin e KEDS-it dhe projektet në fushën e promovimit dhe gjenerimit të energjisë nga burime të ripërtërishme dhe në fushën e efiçiencës së energjisë.

Beqaj ka fol edhe për planifikimin e organizimit të një konference të donatorëve në të cilën do të diskutohej për efiçiencën e energjisë, energjinë e ripërtërishme dhe projektet tjera në sektorin e energjisë.

Bashkëpunimin me shoqërinë civile në projektet e energjisë, vazhdimin e përfaqësimit të Kosovës në komunitetin e energjisë dhe nevoja e vazhdimit të mbështetjes financiare për zhvillimin e këtij sektori ishin tema për të cilat u fol në këtë takim, theksohet në njoftim.

Ministri Beqaj është takuar edhe me Peter Bekx, drejtor i Drejtorisë për Marrëdhënie Ekonomike Ndërkombëtare dhe Financiare në Drejtorinë e Përgjithshme për Ekonomi dhe Financa në Komisionin Evropian.