Lajme

Vidhen shtëpitë e mërgimtarëve

Albinfo.ch ka siguruar nga Policia të dhëna zyrtare për vitin 2011, sipas të cilave, kanë ndodhur 7.902 vjedhje të shtëpive të banimit

 Shumë prej tyre janë ato të mërgimtarëve.

Isen Këçiku, 50-vjeçar nga Gjilani, e ka paguar me jetën e tij, mundimin për t’ia ruajtur shtëpinë vëllait të tij që ndodhet në gurbet.

Para disa javësh, Iseni ka vdekur pas plagëve të marra me thikë nga tre të rinj, që kishin hyrë për të vjedhur në shtëpinë e të vëllait, në lagjen “Dheu i Bardhë” në këtë qytet.

Derisa Iseni ka vdekur, vëllai tjetër i tij, 53-vjeç, ka marrë lëndime të rënda. Në lidhje me këtë rast, policia ka arrestuar si të dyshuar L. Zeqirin (1994), F. Lecin (1993) dhe L. Zeqirin (1983).

Por ky rast i rëndë i vjedhjes së shtëpive të lëna bosh nga mërgimtarët, nuk është i vetmi në Kosovë. Megjithatë, ky rast është më i veçanti për shkak se epilogu ishte shumë tragjik.

Raste të vjedhjeve të shtëpive të mërgimtarëve në Kosovë, Policia e vendit has thuajse çdo ditë edhe pse ata nuk i veçojnë nga vjedhjet e tjera.

Pra, organet e rendit, vjedhjet e shtëpive të mërgimtarëve, i fusin në të njëjtën kategori me ato të shtetasve që jetojnë në Kosovë. Sidoqoftë, vjedhjet e shtëpive dhe banesave në Kosovë, mbesin në nivel mjaft të lartë. Të dhënat e policisë tregojnë se hajnat e shtëpive janë mjaft aktiv.

© albinfo.ch: Kjo shtëpi ndodhet në Fushë Kosovë. Ajo është një prej shumë shtëpive të tilla të ndërtuara nga mërgimtarët, e të cilat qëndrojnë thuajse gjithmonë bosh

Shtëpitë ose banesat e mbetura bosh, e të mobiluara nga brenda, duket se mbeten edhe më tej më të lakmueshmet për ta. Ato të ndërtuara nga mërgimtarët, të cilët i shfrytëzojnë shumë rrallë, vetëm gjatë pushimeve të pakta kur vijnë në Kosovë, mbeten cak mjaft i lehtë për t’u grabitur.

Edhe pse Policia e Kosovës nuk ka të dhëna të ndara se sa shtëpi ose banesa të vjedhura gjatë një viti janë të mërgimtarëve, megjithatë nga numri i përgjithshëm i thyerjeve që bëhet, mund të nxirret një pasqyrë e përafërt.

Albinfo.ch ka siguruara nga Policia e Kosovës të dhëna zyrtare për vitin 2011, sipas të cilave, në Kosovë kanë ndodhur 7 mijë e 902 vjedhje të shtëpive të banimit.

Baki Kelani, një nga zëdhënësit e Policisë së Kosovës, konfirmon për Albinfo.ch, se ata nuk i kanë këto të dhëna të ndara se cilat shtëpi janë të mërgimtarëve, por ai thekson se të gjitha rastet hyjnë në kategorinë e vjedhjeve të rënda.

© albinfo.ch: Arrestimet nga policia e Kosovës

“Këto vjedhje të rënda përfshihen nën nenin 253, e ku janë të përfshira edhe rastet e vjedhjeve të shtëpive të banimit”, thotë Kelani për Albinfo.ch.

Sipas të dhënave zyrtare, del se nga vjedhjet e kryera në vitin 2011, ende janë të hapura 3 mijë e 137 raste.

Përveç kësaj, 109 prej tyre konsiderohen pasive, 17 që janë dërguar në prokurori, 4 mijë e 479 të tjera me të cilat është marrë gjykata, 23 të mbyllura, janë ngritur 50 aktakuza dhe në 87 raste është marrë vendimi përfundimtar.

Ndërkohë, teknika e përdorur nga hajnat për të vjedhur shtëpinë e vëllait të Isen Këcikut nga Gjilani, sipas policisë është një prej më të shpeshtave.

Hajnat kishin hyrë me forcë në shtëpi rreth orës 1 e 20 minuta pas mesnate, duke e ditur që pronari i vërtetë i saj jeton e punon jashtë shtetit me familje.

Të dy vëllezërit e tij, të cilët ishin përgjegjës për t’i ruajtur shtëpinë, Isen Këçiku (1962) dhe Hajredin Këçiku (1959), kishin vërejtur lëvizjet e të dyshuarve në shtëpinë e vëllait të tyre dhe kanë reaguar.

Sipas versionit të policisë, me këtë rast, kishte pasur një konfrontim fizik ndërmjet dy vëllezërve të moshës së mesme dhe hajnave, tre djem, dy rreth 20-vjeç dhe tjetri rreth 30-vjeç.

“Në përleshje e sipër të dyshuarit kanë përdorur mjete të mprehta, thikë, me ç’rast i kanë shkaktuar plagë të rënda viktimave dhe më pas kanë ikur në drejtim të panjohur”, ka treguar Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit.

Hashani ka treguar për Albinfo.ch se viktimat, me urgjencë janë dërguar në Qendrën e Emergjencës Rajonale në Gjilan për trajtim spitalor .

“Përkundër përpjekjeve të bëra nga ana e personelit mjekësor nga plagët e marra, viktima Isen Këçiku ndërroi jetë, përderisa viktima Hajredin Kçiku i lënduar rëndë është transferuar në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë për trajtim të mëtejmë”, ka thënë ai.

Ndërkohë, të dyshuarit e arrestuar nga policia, ishin L. (M) Zeqiri, (1994), F. (T) Leci (1993) dhe L. (V) Zeqiri (1983), shtetas të Kosovës me vendbanim të përhershëm në komunën e Gjilanit.

Viti 2011

Numri i përgjithshëm i vjedhjeve——————————7902

Rastet e hapura—————————————————3137

Pasiv——————————————————————109

Te hedhura nga Prokurori——————————————17

Referuar ne Prokurori/Gjykate———————————4479

Te mbyllura për arsye te veçanta—————————– — 23

Aktakuze te bere—————————————————-50

Vendimi përfundimtar———————————————–87

Votoni në sondazhin e albinfo.ch:

A jeni të mbrojtur (alarm, sigurim) kundër vjedhjeve eventuale në shtëpinë/banesën tuaj në vendlindje?