Lajme
Frika nga reciklimi i përplasjeve*
Tensionimi ndëretnik në Maqedoni dhe qëndrimi qeveritar karshi krizave të fundit
Lajmet që kanë ardhur nga Maqedonia gjatë kësaj jave kanë shqetësuar opinionin ndërkombëtar, si edhe atë të brendshëm. Vrasja e dy të rinjve shqiptarë në Gostivar nga një polic maqedonas ishte fillimi i një faze tejet të tendosur, përcjellë edhe me përplasje ndëretnike të të rinjve, ku kryesisht viktimat ishin nxënësit e komunitetit shqiptar nëpër lagjet e Shkupit. Nuk munguan edhe veprime të ngjashme edhe në drejtim të kundërt nga disa të rinj shqiptarë ndaj ndonjë të pafajshmi të komunitetit maqedonas.
E gjithë kjo krijoi një situatë tejet të tendosur, me komente nga më të ndryshmet nga faktorë të ndryshëm vendës dhe të jashtëm që kryesisht bënin thirje për qetësi, drejtësi, por edhe të atillë që fajtorin gjithmonë e kërkojnë vetëm te ”të tjerët”.
Faktori ndërkombëtar prezent në vend, por edhe nga zyrat e shteteve përkatëse, të vetëdijshëm për rëndësinë e marrëdhënieve të mira ndëretnike dhe rrezikun që mund të bëjë destabilizimi i këtyre raporteve, si çdo herë ishin tejet të qarta dhe koncize në deklaratat e tyre, duke kërkuar nga organet të marrin masa ligjore dhe gjyqi të dënojë fajtorët.
Fatkeqësisht, nuk ishin që në fillim të tilla edhe informatat që jepeshin nga autoritetet përgjegjëse të organeve të ndjekjes, në veçanti të policisë, e cila me deklaratat e zëdhënësit të vet futi më shumë huti, cenoi autoritetin edhe ashtu të lëkundur të këtij institucioni për t’iu besuar pastrimi i situatës në raste të tilla që çoi në akuza të ndërsjella, mosqetësim të situatës dhe krijimin e kushteve për keqpërdorim të kësaj gjendjeje nga disa segmente shoqërore, duke mos përjashtuar edhe ndonjë parti politike.
Vlerësohet si e pahijshme dhe joreale edhe deklarata e ministres për Punë të Brendshme, e cila në vend se të marrë masa për cenuesit e ligjit dhe për vartësit e vet, në këtë kontekst u bën “apel” faktorëve të tjerë që “të mos e keqpërdorin situatën“, ”të evitojnë gjuhën e urrejtjes”, etj. Nga vëzhgues të shumtë dhe njohës të mirë të rrjedhave këtu, kjo qasje përveç se u kritikua, flet edhe për faktin se anëtarë të rëndësishëm të kësaj qeverie, me sa duket, nuk janë të vetëdijshëm(ose nuk duan t’ia dinë) se këto përplasje dhe kjo klimë në një masë të madhe është rezultat i ngarkesës afatgjatë të ambientit me një ”frymë nacionaliste” të gjeneruar edhe nga vetë qeveria nëpërmjet projekteve të saj për të ashtuquajturën ”forcim të identitetit antik”, nivelin e ulët të harmonisë në mes të partnerëve qeveritarë, ku tanimë është evidente margjinalizimi i skajshëm i disa ministrave shqiptarë dhe i shumë interesave të tjera të shqiptarëve në RM.
Prandaj ajo që do duhej bërë është që këto shqetësime dhe vlerësime të bëhen pjesë e debatit në qeveri me synim të ndërrimit të kursit qeveritar të gjertanishëm, si investim më i mirë parandalues për relaksim ndëretnik dhe raporte të shëndosha ndërtenike, si domosdoshmëri për stabilitetin e Maqedonisë dhe për perspektivën e saj Euroatlantike.
Investimi në atë që relakson ambientin ndëretnik dhe ndërnjerëzor hap perspektiva për punësimin e të rinjve, rrit cilësinë në arsim e shëndetësi dhe orienton energjinë e qytetarëve nga e ardhmja, është investim i drejtë dhe i nevojshëm për Maqedoninë. Zëvendësimi i këtyre investimeve dhe i kësaj perspektive me investime për të kaluarën dhe të paqenën nuk i ndihmojnë Maqedonisë.
Përderisa thirrja për qetësi dhe konstruktivitet u drejtohet vetëm “të tjerëve”(ashtu siç u fitua përshtypja nga fjala e ministres) dhe situata nuk analizohet më gjerë dhe me thellësinë e nevojshme për t’u gjetur “ilaçin“ e vërtetë këtyre “sëmundjeve”, situatat e tila edhe po të tejkalohen në çast, ato mund të përseriten dhe të riciklohen në formën edhe më të ashpër.
Pa dyshim që edhe faktorët e tjerë, si opozita, mediat e shoqëria civile duhet të kontribuojnë pozitivisht për tejkalimin e situatave, por është iluzore që këto të bëjnë më shumë se qeveria.
Qytetarët e Maqedonisë e kanë dokumentuar se dinë të gjejnë gjuhën e përbashkët për një perspektivë më të mirë. Por, në këtë rrugë është koha e fundit që t’u ndihmojë edhe qeveria.
* Pikëpamjet e shprehura në këtë kronikë shprehim mendimet e autorit dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht mendimet e redaksisë.
E-Diaspora
-
Haradinaj konfirmon kandidaturën e parë për deputet nga diaspora Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se struktura e partisë në diasporë është... -
Ekspozita personale “Gjurmët në Medalion” e Valbona Gashit hapet në Konsullatën e Kosovës në Gjenevë -
Krasniqi: Mijëra fletëvotime nga diaspora rrezikojnë të mos arrijnë në kohë në Kosovë -
Mbahen takimet poetike të Nëntorit në Lucern -
Seminar i KKAD me temën “Sfidat e gjuhës shqipe në diasporë”
Jeta në Austri
-
Piloti austriak bën ulje emergjente afër kufirit me Italinë Piloti austriak bën ulje emergjente në autostradën A2 në Karinthia pranë kufirit italian; nuk ka të... -
Influencerja e zhdukur austriake gjendet e vdekur, brenda një valixheje -
Me 23 nëntor mbahet në Vjenë “Turneu i Pavarësisë” -
Koncert festiv për ditën e Pavarësisë së Shqipërisë në Baden të Austrisë -
Vjenë
Orë letrare në Vjenë në shënim të Ditës së Flamurit











