Lajme
A ka rritje ekonomike apo kjo është vetëm në letër?!
© Parku i biznesit në Drenas
Qeveria thotë se Kosova ka pasur rritje ekonomike, por papunësia mbetet edhe më tej shumë e lartë. Perceptimi për këtë rritje, ndryshon varësisht se kush pyetet.
Në përpjekje për të paraqitur vendin si shteti që ka rritje më të lartë ekonomike në rajon, dhe klimën e favorshme për të bërë biznes, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, ka publikuar një reklamë televizive.
Në këtë reklamë e cila ka kohë që po transmetohet në rrjetet televizive të mëdha botërore, thuhet se Kosova ka rritjen më të shpejtë ekonomike krahasuar me shtetet tjera të Evropës.
Por a janë këto vetëm shifra në letër apo vërtetë ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje?!
Në fakt, një përgjigje e saktë është paksa e vështirë të gjendet sepse ajo shpesh ndryshon varësisht se nga cila anë pyet.
Zyrtarët e institucioneve të shtetit e pohojnë këtë, ato joqeveritare janë skeptike, kurse forcat opozitare e mohojnë kategorikisht një mundësi të tillë.
Derisa papunësia vazhdon të mbetet deri në 40 përqind, atëherë sytë e kosovarëve janë të drejtuar më shumë nga diaspora e vendit, të cilët përkundër krizës së madhe financiare në eurozonë, çdo vit dërgojnë më shumë se 500 milionë euro.
Një fakt të tillë e ka konfirmuar edhe Safet Gërxhaliu, drejtor i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK).
Në një intervistë për Albinfo.ch, Gërxhaliu ka thënë se vetëm në hapësirën gjerman folëse, janë përafërsisht 193 mijë familje shqiptare të cilat i dërgojnë në Kosovë mesatarisht nga 3 mijë euro në vit.
“Pjesa tjetër e fitimeve mbetet në bankat Evropiane apo në ato të vendeve gjerman folëse dhe llogaritet që kapitali i tyre është 2.5 miliardë euro”, ka thënë ndër të tjera Gërxhaliu duke shtuar se përfitimet e Kosovës do të ishin shumë të mëdha sikur ato para të investoheshin në Kosovë.
Por ata që merren me biznes në Kosovë, e pranojnë se kanë pasur fitime, megjithëse edhe shumë telashe.
© albinfo.ch: Ermal Meta
Ermal Meta është një i ri prishtinas i cili ka filluar një biznes familjar konstruktimesh. Ai e pranon se vitin e fundit ka pasur një rritje në biznesin e tij në vlerën prej 15 përqind, duke bërë që tashmë në parkun e Biznesit në Drenas të ndërtuar nga Qeveria e Kosovës, ta hapë edhe selinë e firmës së tij.
“Kjo mundësi është diçka shumë e mirë për ne sepse tashmë biznesi ka më shumë hapësirë sesa që kishim dhe kjo është mundësi e mirë për zgjerimin e biznesit tonë”, thotë Meta për Albinfo.ch.
Në këtë park biznesi, ofrohet ujë dhe rrymë pa ndërprerë dhe qira me çmime të arsyeshme ndonëse ai tregon se problem mbetet importi i lëndës së parë.
“Aluminin e marrim nga Greqia, plastikën nga Gjermania, e po ashtu edhe nga Italia, Bullgaria apo edhe Serbia ndonjëherë”, thotë Meta.
Sipas tij, problem mbeten edhe më tej kamatat e larta që ofrojnë bankat komerciale në Kosovë për ata që duan të marrin kredi.
“Interesi që kërkojnë, më i ulti është 11 përqind, nëse mund të gjesh, e që mbërrin deri në 20 përqind më i larti”, thotë ai.
© albinfo.ch: Agron Demi, Instituti për Studime të Avancuara, GAP.
Agron Demi nga Instituti për Studime të Avancuara, GAP, një Organizatë Joqeveritare që merret me çështje ekonomike thotë se edhe më tej të rëndësishme mbeten remitancat e diasporës kosovare.
Megjithatë, ai ka deklaruar se ato nuk janë ende të mjaftueshme.
“Kosova ka mbi 40 përqind të papunë. Që të përgjysmohet përqindja e të papunëve, duhet të kemi rritje ekonomike prej 10 përqind në vit…diçka e ngjashme si Kina, prandaj tash për tash kjo rritje ekonomike nuk mjafton”, është shprehur Demi.
© albinfo.ch : Bernard Nikaj, zyrtar i lartë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë
Pavarësisht kësaj, Bernard Nikaj, një zyrtar i lartë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë është shprehur se ekonomia e vendit, megjithatë po lëviz.
“Ka prova për këtë. Nuk është ende në atë nivel që ne duam të jetë, por ne po punojmë në atë drejtim”, është shprehur Nikaj.
Ndërkohë, Albin Kurti, drejtues i Lëvizjes Vetëvendosje, në një shkrim autorial të tij në lidhje me ekonomin e vendit, ekonominë e Kosovës e sheh nga prizmi shumë i zymtë.
“Prodhuesit vendës në Kosovë nuk arrijnë të konsolidohet dhe përfundojnë në situatë të pashpresë duke u dorëzuar para tregtarëve që shërbejnë si infrastrukturë e importit enorm”, ka thënë ndër të tjera Kurti, i cili njihet si nacionalist i madh kur vjen puna për prodhimin vendor.
E-Diaspora
-
Haradinaj konfirmon kandidaturën e parë për deputet nga diaspora Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se struktura e partisë në diasporë është... -
Ekspozita personale “Gjurmët në Medalion” e Valbona Gashit hapet në Konsullatën e Kosovës në Gjenevë -
Krasniqi: Mijëra fletëvotime nga diaspora rrezikojnë të mos arrijnë në kohë në Kosovë -
Mbahen takimet poetike të Nëntorit në Lucern -
Seminar i KKAD me temën “Sfidat e gjuhës shqipe në diasporë”
Jeta në Austri
-
Piloti austriak bën ulje emergjente afër kufirit me Italinë Piloti austriak bën ulje emergjente në autostradën A2 në Karinthia pranë kufirit italian; nuk ka të... -
Influencerja e zhdukur austriake gjendet e vdekur, brenda një valixheje -
Me 23 nëntor mbahet në Vjenë “Turneu i Pavarësisë” -
Koncert festiv për ditën e Pavarësisë së Shqipërisë në Baden të Austrisë -
Vjenë
Orë letrare në Vjenë në shënim të Ditës së Flamurit










