Lajme

Skenderaj dhe Muri-Gümligen, bashkëpunim në dallime

Saxer: “Jo vetëm për Skenderajn por edhe për ne ka qenë me interes të mësojmë se si komunat i zgjidhin problemet e ngjashme me tonat"

Njëra komunë ka 12 mijë banorë, ka rreth 8 mijë të punësuar dhe një shkallë papunësie prej 1.7 për qind. Tjetra, ka 70 mijë banorë, me një shkallë papunësie mbi 60%, me një numër të vogël të punësuarish, kryesisht në arsim dhe administratë. Dallimet në mes të komunës Muri-Gümligen të Bernës dhe komunës së Skenderajt, pothuajse nuk kanë se si të jenë më ekstreme. Por, edhe në këto dallime, komunat, gjejnë pikat e takimit mes tyre. Problemet që duhet t`i zgjidhin ato, kanë natyrë të përafërt. Të gjitha komunat kanë punë drejtpërdrejtë me shqetësimet e përditshme të qytetarëve, të cilave kanë detyrim tu përgjigjen.

Për të mësuar nga përvojat e një komune zvicerane, një delegacion i Komunës së Skenderajt, i prirë nga kryetari, Sami Lushtaku, po qëndron në një vizitë pune në Zvicër, me ftesë të komunës Muri-Gümligen të kantonit të Bernës. Pos kryetarit, në delegacion bëjnë pjesë edhe kryetari asamblesë komunale Ismet Salihu, deputetja në Parlamentin e Kosovës nga kjo komunë Ganimete Musliu, nënkryetari i komunës, Fadil Nura dhe udhëheqësi i Zyrës së Prokurimit, Haxhi Bejta.

Vizita, e cila nga të dyja palët u vlerësua si e suksesshme, u iniciua dhe u mbështet nga Ambasada e Kosovës në Bernë.

“Agjenda e vizitës së miqve nga Skenderaj përfshinte njohjen e delegacionit me mënyrën e funksionimit të komunës sonë, respektivisht të komunave në Zvicër në përgjithësi. Por në mënyrë të veçantë delegacionin nga Skenderaj e kemi njoftuar me mënyrën e menaxhimit të sistemit të ujësjellësit, për çfarë ata kanë vizituar edhe digën dhe stabilimentet e ujësjellësit të komunës sonë” ka thënë për albinfo.ch kryetari i komunës Muri-Gümligen, Hans-Rudolf Saxer. Ai më tutje ka thënë se përfitimi nga një vizitë e tillë, është i dyanshëm. “Jo vetëm për Skenderajn por edhe për ne ka qenë me interes të jashtëzakonshëm të mësojmë se si komunat në vende tjera i zgjidhin problemet e ngjashme me tonat”. Saxer po ashtu është shprehur i gatshëm për një vizitë kthimi në komunën e Skenderajt.

Kryetari i komunës së Skënderajt, Sami Lushtaku ka falënderuar ambasadorin Malaj dhe stafin e Ambasadës së Kosovës për mundësimin e vizitës në Zvicër. “Konsideroj se është një vizitë mjaft interesante për ne. Ne këtu kemin prezantuar mënyrën e funksionimit të komunës së Skenderajt dhe kemi ndjekur me interes prezantimin që përfaqësuesit e komunës mikpritëse i kanë bërë funksionimit të saj. Kemi vizituar fabrikën e ujit dhe aty jemi informuar për menaxhimin e ujësjellësit”.

Lidhur me atë se çfarë mund të zbatohet në Skenderaj nga përvojat e fituara në Muri-Gümligen, ai thotë: “Ne patëm rastin të mësojmë shumë gjëra të reja dhe mendoj se për një pjesë të punëve që janë brenda kornizave të ligjit te ne, mund t`i zbatojmë përvojat që i kemi parë këtu dhe të na shërbejnë”. Sipas Lushtakut, së shpejti pritet edhe një vizitë kthimi e komunarëve të Muri-Gümligenit në Skenderaj. “Me kënaqësinë më të madhe kemi ftuar kryetarin për vizitë kthimi dhe ai ka pranuar këtë. I mbetet atij që, në koordinim edhe me ambasadën, ta organizojë vizitën dhe shpresojmë se së shpejti do ta kemi presim në Skenderaj”.

I pyetur nëse është ky hap për binjakëzimin e komunave, Lushtaku ka thënë se “ky është vetëm një hap i parë dhe besoj se mund të shkojmë drejt binjakëzimit të komunave. Ne kemi konsideruar se Zvicra është vendi më i qëlluar për diçka të tillë”.

Kryetari i Skenderajt më tutje thotë se sot delegacioni i tij, në Ambasadën e Kosovës do të ketë një takim me bashkatdhetarët nga komuna e Skenderajt. “Unë me këtë rast do tu raportoj bashkëqytetarëve të mi për sukseset por edhe për mossukseset e komunës sonë. Unë jam i hapur dhe i pranoj edhe mossukseset”, thotë Lushtaku për albinfo.ch.