Lajme

Një kuti e dytë për foshnja do të vendoset në Davos

Një kuti për foshnja do të instalohet në spitalin e Davos-it (GR) këtë verë. Prindërit që gjendën në një situatë të pamundshme do të mund të lënë beben e tyre të sapolindur në këtë kuti në mënyrë anonime. Bëhet fjalë për kutinë e dytë në Zvicër, pas asaj të vendosur në vitin 2001 në Einsiedeln (SZ), e cila deri më tani është përdorur gjithsej për shtatë foshnja.

“Spitali në Davos do të marrë përgjegjësitë e tij sociale”, ka thënë të mërkurën drejtori Markus Hehli për agjencinë e lajmeve ATS. Iniciativa vjen nga ndihmësi zvicerane për nëna dhe fëmijë (ASME), Aide Suisse, i cili ka vendosur kutinë për foshnja në Einsiedeln.

Propozimi për një organizim të tillë kishte ardhur në vjeshtën e kaluar. Drejtuesit, mjekët dhe personeli përkatës konsiderojnë këtë hap si pozitiv. Enti përgjegjës do të marrë përgjegjësinë ligjore për foshnjat e braktisura, spitali do të përkujdeset për shëndetin e tyre, ndërsa shpenzimet do të mbulohen nga shoqata ASME.

Veprim për të parandaluar vrasjen e fëmijëve

Të hënën, një foshnjë është braktisur në kutinë e Einsiedeln-it. Ditë më parë, një foshnjë tjetër është zbuluar e vdekur në Wimmis (BE). Albinfo.ch pati shkruar për këtë rast: “Në rajonin e firmës që merret me largimin e mbeturinave, në Wimmis të kantonit të Bernës është gjetur një foshnjë e vdekur. Sipas komunikatës së policisë, kufomën e ka gjetur një person privat rreth mesditës të së dielës dhe ka alarmuar menjëherë policinë. Në bazë të hetimeve të bëra nga Instituti për Mjekësinë Ligjore i Universitetit të Bernës, duket se foshnja e gjinisë femërore kishte vdekur disa ditë ose madje disa javë më parë”.

Me vendosjen e kutive të tilla, ASME dëshiron të parandalojë vrasjen e fëmijëve. Ajo gjithashtu e sheh instalimin e këtyre kutive si një alternativë ndaj abortit.