Lajme

Si të huaj në shtetin e vet

Shtetet perëndimore vazhdojnë riatdhesimin e kosovarëve, por riintegrimi i tyre mbetet i vështirë

Shtetet perëndimore vazhdojnë riatdhesimin e kosovarëve, por riintegrimi i tyre mbetet i vështirë. Në shtetin e vet ata ndihen si të huaj e të humbur.

Kafeja e tretë që pinte brenda ditës në një nga lokalet e Prishtinës, për të ishte “aktiviteti” i vetëm me të cilin merret tash e disa javë.

Ky është Dritan Berisha, një 33 vjecar i riatdhesuar nga Belgjika. Ai është shtetas i Kosovës i cili shtatë vjet më parë kishte kërkuar azil në shtetin belg.

Por Dritani u riatdhesua në dhjetor të vitit të kaluar, si rezultat i marrëveshjes për riatdhesim të nënshkruar nga ministrat e Punëve të Brendshme të të dy shteteve.

Kështu, Dritani bënë pjesë në mesin e 522 personave të riatdhesuar nga Belgjika vetëm gjatë vitit 2011. Belgjika është shteti i tretë pas Zvicrës e cila i prinë listës së shteteve që kanë riatdhesuar kosovarë, ku numri i tyre është 593 persona dhe Suedisë me 568 veta.

© albinfo.ch: Dritan Berisha

Të gjitha këto riatdhesime janë kryer në kuadër të të marrëveshjes dypalëshe.

“Thanë se Kosova ka bërë marrëveshje për riatdhesim dhe se kosovarët nuk kanë më vend si azilantë në Evropë”, thotë Berisha në një bisedë për Albinfo.ch.

Dritani në fakt është në moshën më të mirë për të punuar. Por arsyeja përse ai nuk mundohet të punojë, thotë ka të bëjë me dy çështje.

Sipas Dritanit, në Kosovë është vështirë të gjesh punë, e për më tepër edhe në rastet kur e gjen një të tillë, atëherë pagesa është shumë e ultë.

“Pagesa është shumë e ultë krahasuar me Belgjikë, kur punoja ngapak ku mundja”, thotë ai, derisa përzien makiaton e madhe, kafenë e preferuar të të rinjve kosovarë.

“Arsyeja e dytë është se më ka humbur busulla krejt. Nuk po mund të adaptohem pas shtatë vjetësh në Belgjikë”, shprehet ai.

Zyrtarisht Kosova llogaritet se ka përqindjen shumë të lartë të të papunëve, por në të njëjtën kohë, një numër i madh i tyre, në mungesë të mekanizmave ligjorë, nuk deklarohen se janë të punësuar.

Të dhënat zyrtare të siguruara nga Albinfo.ch tregojnë se nga 1 janari deri me 31 dhjetor 2011, shtetet e ndryshme të Evropës kanë riatdhesuar më shumë se 4 mijë e 200 kosovarë.

Sipas ligjit, të riatdhesuarit duhet të vendosen nën përkujdesjen e institucioneve të vendit derisa ata të riintegrohen në shoqëri, të gjejnë punë e strehim.

© Islam Cakaj nga Ministria e Punëve të Brendshme

Këtë e pohon për Albinfo.ch edhe Islam Cakaj nga Ministria e Punëve të Brendshme i cili ka sqaruar se për qytetarë të riatdhesuar, autoritetet po kujdesen për akomodim dhe ushqim.

Ai thotë se ushqimi dhe akomodimi bëhet duke u bazuar në numrin e anëtarëve të riatdhesuar. Por në të njëjtën kohë, Cakaj pohon se janë në përpjekje të bëjnë një zgjidhje tjetër.

“Shpresojmë që këtë proces ta delegojmë si përgjegjësi tek komunat në mënyrë që përveç riatdhesimit për qytetarët të kemi edhe procesin e riintegrimit të tyre”, ka deklaruar Cakaj.

Por një mundësi të tillë e kanë mohuar deri diku komunat e vendit, zyrtarët e të cilave kanë deklaruar disa herë në takime me Ministren e Integrimeve Evropiane Vlora Citaku se edhe ashtu kanë probleme me banorët që kanë.

Më të zëshëm në këtë kundërshtim kanë qenë zyrtarët e komunave më të vogla si Shtërpca, Juniku, Novobërda apo Kllokoti.

Sipas tyre, komunat nuk kanë as buxhet dhe as mundësi t’u sigurojnë të riatdhesuarve punë, akomodim dhe riintegrim, që është një prej pikave më të forta që vendi duhet përmbushur në rast se dëshiron liberalizimin e vizave.

© Nga nenshkrimi i marrveshjes ndermjet UNDP dhe MPB

Në përpjekje për të ndihmuar në këtë proces, në skenë ka dalë edhe UNDP-ja, Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim.

Me 19 dhjetor të vitit të kaluar, Osnat Lubran, përfaqësuese e përhershme e UNDP-së ka nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim në fushën e riintegrimit me Bajram Rexhepin, Ministrin e Punëve të Brendshme.

Marrëveshja në fjalë synon implementimin e aktiviteteve për mbështetjen e personave të riatdhesuar duke iu ofruar mundësi trajnimi dhe punësimi, brenda kornizës së Projektit për tregun aktiv të punës në Kosovë.

Por sa janë efektive këto marrëveshje, së paku për Dritanin, asgjë konkrete nuk ka pasur. “Mirë, edhe shkoj ne lajmërohem, e çka bëjnë ata, asgjë. Thonë të thërrasim e kurrë më nuk bëhen të gjallë”, thotë ai.

Pavarësisht kësaj, numri i të riatdhesuarve vazhdon të rritet. Të dhënat tregojnë se gjatë vitit 2001, përveç Belgjikës, ka pasur të kthyer edhe 593 nga Zvicra, 73 nga Danimarka, 2 nga Irlanda, 2 nga Spanja, 412 nga Franca, 58 nga Italia, 46 nga Luksemburgu, 24 nga Holanda, 377 nga Austria, 37 nga Sllovenia, 88 nga Finlanda, 568 nga Suedia, 33 nga Britani e Madhe, 155 nga Norvegjia, 30 nga SHBA –të, 50 nga Kroacia, 5 nga Turqia, dhe 20 nga Kanadaja.

© albinfo.ch: Ministrja Vlora Citaku ne takim me Ramadan Mujen, kryetarin e Prizrenit, ne nje nga takimet e shumta ne kuader te takimeve me kryetart e komunave per ceshtjen e riatdhesimitizrenit