Kosova
Haradinaj “përvjel mëngët”, provon ta korrigjojë demarkacionin
Kryeministri i ri i Kosovës, ka shkarkuar komisionin e vjetër të demarkacionit dhe ka emëruar një komision të ri. Sipas Haradinajt, Komisioni i ri do të punojë që t’i sjell Qeverisë faktet të reja për kufirin me Malin e Zi
Kryeministri i ri i Kosovës, Ramush Haradinaj mbi supet e qeverisë së tij, ka korrigjimin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, një premtim që kishte dhënë dy vjet më parë. Madje në mbledhjen e parë të Qeverisë, ai e shkarkoi Komisionin Shtetëror për Shënjimin dhe mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, që udhëhiqej nga Murat Meha.
Sipas Haradinajt, Komisioni i ri, i cili do të emërohet, do të punojë që t’i sjell Qeverisë të gjeturat për punët rreth shënimit të kufirit me Republikën e Malit të Zi.
Në vend të Murat Mehës, me të cilin Haradinaj kishte mospajtime të shumta sa ishte në opozitë, ai emëroi ish-deputetin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shpejtim Bulliqi, po ashtu kundërshtar i versionit të marrëveshjes së arritur me Malin e Zi, në krye të këtij Komisioni.
“Kam propozuar që Shpejtim Bulliqi të udhëheqë këtë Komision, të marrë përgjegjësitë, të krijojë Komisionin e ri dhe t’i sjell Qeverisë sëvendit të gjeturat rreth shënjimit të kufirit. Pra, ato të gjetura që janë të nevojshme të vlerësohet si të shkohet më tutje”, tha Haradinaj.
Ndërkohë, këshilltari politik i kryeministrit Haradinaj, Arbër Vllahiu, tha se “është çështje e punës së komisionit të ri që do të drejtohet nga eksperti Shpejtim Bulliqi, që ta vlerësojë marrëveshjen. “Pas kësaj, kryeministri dhe institucionet e vendit, në përputhje me ligjin do t’i vlerësojnë hapat e mëtejmë”, tha Vllahiu.
Ndryshe, Prishtina dhe Podgorica nënshkruan Marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit në gusht të vitit 2015, në praninë ndërkombëtare. Kjo marrëveshje më pas u shndërrua në një kusht nga Bashkimi Evropian për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Ekspertë politikë në Prishtinë, shkarkimin e Komisionit Shtetëror nga Qeveria e Kosovës, e konsiderojnë veprim të pritshëm.
Afrim Hoti, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, tha për REL se vendimi për shkarkim tregon se kjo çështje është një ndër prioritetet kryesore të Qeverisë Haradinaj. Megjithatë, Hoti theksoi se kjo çështje gjendet para një situate të re. Sipas tij, autoritetet në Prishtinë duhet të bisedojnë me ato të Malit të Zi, për çështjet e mbetura diskutabile.
“E para është kontakti me palën malaziase, që nënkupton se procesi do të duhej të rishikohet në kuptimin e pikave, të cilat konsiderohet se janë diskutabile në mes të palëve. Nëse në të njëjtën kohë do të kishim pajtueshmëri nga pala malaziase, mendoj se kjo do të ishte procedura më e shkurtër dhe më e lehtë për të dyja palët,për t’i dhënë njëherë e përgjithmonë zgjidhje kësaj çështje”, vlerësoi Hoti.
Në anën tjetër, ish-ministri malazias i Drejtësisë, Dragan Shoq, tha se për Malin e Zi, shënjimi i vijës kufitare me Kosovën është çështje e mbyllur.
Duke e komentuar vendimin e Qeverisë së re të Kosovës për shkarkimin e Komisionit shtetëror për shënjimin e vijës kufitare, Shoq tha se nëse vendimi është marrë që të korrigjohen, ato që Prishtina i sheh si gabime, atëherë kjo mund të sjellë destabilizim.
“Ata (pala kosovare) e kanë pasur Komisionin, i cili ka kryer punën e vet në bazë të së cilës është nënshkruar marrëveshja për demarkacionin, të cilën njëra palë (ajo e Malit të Zi) e ka ratifikuar. Edhe Qeveria e Kosovës e kishte dërguar këtë marrëveshje për ratifikim në Kuvend, që do të thotë se edhe Qeveria e Kosovës e kishte pranuar atë”, theksoi Shoq.
Ai tha se nuk ka ndonjë arsye që çështja e demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, të rihapet, ndonëse është e mundur gjithmonë që të bisedohet.
Ndryshe, i emëruari në krye të Komisionit të ri shtetëror për shënjimin e vijës kufitare,Shpejtim Bulliqi, njihet edhe si kundërshtari më i madh i versionit aktual për shënjimin e kufirit më Malin e Zi. Bulliqi disa herë kishte përsëritur qëndrimin e tij, se me marrëveshjen për demarkacion, Kosova humb territor, kurse Mali i Zi fiton sipërfaqe prej 70.44 kilometrash katrorë.
Ai, po ashtu, pati thënë se Mali i Zi gjatë aplikimit dhe anëtarësimit në organizatën ndërkombëtare, është pranuar me sipërfaqe 13. 812 kilometra katrorë dhe jo me 13.882 kilometra, siç rezulton pas marrëveshjes së arritur në Kosovë.
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Shënohet Dita ndërkombëtare e remitencave, Kosova ka rritje ndër vite Dita ndërkombëtare e remitencave u shpall unanimisht nga të gjitha 176 shtetet anëtare të Fondit Ndërkombëtar...
-
Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër uron festën e Kurban-Bajramit
-
Si e sheh Zvicra Kosovën në 25 vjetorin e çlirimit
-
Vendimi i gjyqit: 17 vjet burgim për bashkëshortin e Shqiponja Isufit
-
Gjenevë: Sot prezantohet filmi shqiptar në Festivalin Fifog
Jeta në Austri
-
Kur mund të kërkoj rimbursim për shpenzimet mjekësore në Austri? Nëse vizitoni një ‘mjek me zgjedhje’ në Austri ose shkoni për disa procedura dhe ekzaminime, mund...
-
Austriakët, të shqetësuar pas rritjes së FPO ekstremiste në zgjedhjet evropiane
-
A ka Austria probleme me drogën?
-
8 gjërat që duhet të dini përpara se të filloni një punë në zyre në Austri
-
Gjithçka që duhet të dini për marrjen me qira të një makine në Vjenë