Lajme

Berna demanton ministrin Rashiq: Nuk ka pensione për gjashtë muaj

Sipas Zyrës Federale për Sigurime Sociale ende nuk është përmbyllur shqyrtimi lidhur me atë se a janë plotësuar parakushtet për të filluar negociatat për sigurimet sociale me Kosovën. Çështja e pensionistëve kosovarë nga Zvicra vazhdon të mbetet pezull.

Sipas Zyrës Federale për Sigurime Sociale ende nuk është përmbyllur shqyrtimi lidhur me atë se a janë plotësuar parakushtet për të filluar negociatat për sigurimet sociale me Kosovën.

Çështja e pensionistëve kosovarë nga Zvicra vazhdon të mbetet pezull.

Si duket, kjo do të zgjasë edhe më shumë ngase negociatat me Kosovën për këtë çështje as që kanë filluar…

Zyra Federale për Sigurime Sociale në një prononcim për Albinfo.ch ka demantuar ministrin kosovar për Çështje Sociale, Nenad Rashiq, i cili kishte deklaruar në mediet kosovare se problemi me pensionet e kosovarëve nga Zvicra do të zgjidhet brenda gjashtë muajve.

“Është e pakuptueshme se prej nga buron supozimi se çështja do të marrë zgjidhjen e saj brenda një gjysmë viti. Qeveria Federale e Zvicrës ende nuk ka dhënë ndonjë mandat për të negociuar ndonjë marrëveshje të re të mundshme për sigurimet shoqërore me Kosovën. As autoriteteve kosovare nuk u janë dhënë pohime të këtij lloji”, thonë zyrtarë të Enti Federal për Sigurime Sociale.

Zyra Federale për Sigurime Sociale bën të ditur se aktualisht është duke u shqyrtuar dokumentacioni (lidhur me legjislacionin, etj.), të cilin Kosova ia ka dorëzuar Zvicrës në lidhje me një marrëveshje të re të mundshme të sigurimeve shoqërore.

“Një vendim rreth asaj nëse janë plotësuar kushtet për fillimin e negociatave për një marrëveshje të re nuk ka pasur mundësi të merret akoma”, thuhet në deklaratën e kësaj zyreje.

Madje, sipas Zyrës Federale për Sigurime Sociale, me dorëzimin e dokumenteve nuk do të thotë se janë plotësuar kushtet për fillimin e negociatave.

Në momentin që Qeveria Federale e Zvicrës do t`i konsiderojë si të plotësuara të gjitha parakushtet, ajo do të mund të japë një mandat për negociimin e një marrëveshjeje të re.

“Kusht për këtë është që, krahas ligjeve të miratuara dhe të zbatuara në praktikë, veç tjerash edhe ai që institucionet e sigurimit social dhe zyrat ndërlidhëse në Kosovë të jenë efektivisht funksionale dhe që, për shembull, regjistri i banorëve të jetë i plotë dhe i besueshëm. Për këtë qëllim është i nevojshëm një ekzaminim i plotë i këtyre çështjeve”, thonë përfaqësuesit e zyrës së përmendur të Zvicrës.

“Negociatat, bazuar në përvojë, marrin shumë kohë (nevojiten disa runde bisedimesh). E njëjta gjë vlen edhe për ratifikimin nga Parlamenti, të një marrëveshjeje të mundshme (miratimi në të dyja dhomat e parlamentit në Zvicër merr së paku një vit). Për këtë arsye, hyrja në fuqi e një marrëveshjeje të re të mundshme brenda pak muajve është e përjashtuar”, theksojnë ata.

Zyra, veç kësa, hedh poshtë pohimin se për sa kohë që nuk negociohet marrëveshja e re shoqërore me Kosovën, mbetet në fuqi marrëveshja e vjetër.

Në qëndrimin e saj, Zyra… më tutje, duke iu referuar prononcimeve të sindikatës së punëtorëve „Unia“ lidhur me çështjen, thotë: “Unia e neglizhon faktin se te shtetet në suksesion – sikur në rastin e shteteve të reja, të dala nga ish-Jugosllavia – marrëveshjet e vjetra nuk vazhdojnë të zbatohen me automatizëm. Për këtë nevojitet shprehje reciproke e vullnetit të dy shteteve të interesuara. Diçka e tillë nuk ekziston në rastin e marrëveshjes për sigurime shoqërore në raport me Kosovën”, thuhet në reagimin e tyre.