Lajme

“Call Center”, apo ngacmimet telefonike nga Prishtina në Zvicër

“Call Center” nga Prishtina, u telefonojnë pa ndalur qytetarëve në Zvicër apo gjetiu duke u shitur produkte me çmime të larta apo bindur për ndryshim kompanish të sigurimit.

Ata telefonojnë në çdo orë të ditës, por më shpesh paraditeve dhe ditëve të pushimit në fundjavë.

Gjuha që flasin është gjermanishtja, por në rast se i drejtohen një zvicerani apo austriaku, nuk mungon edhe e folura në aksentët përkatëse.

Këta janë punëtorët e të ashtuquajturave “Call Center” të cilët nuk janë gjermanë, as zviceranë dhe as austriakë. Në fakt ata janë kosovarë.

Të njëjtit nuk jetojnë dhe as nuk punojnë në këto shtete, por janë kryesisht studentë të gjermanishtes në Prishtinë.

Shumë prej tyre janë edhe ish fëmijë të cilët për vite të tëra me familjet e tyre kanë jetuar si azilkërkues në Gjermani, Zvicër apo Austri.

Nëpërmjet numëratorëve telefonikë të shteteve përkatëse, ata thërrasin numra të ndryshëm duke u paraqitur me emra të gjermanë apo zviceranë.

Këta “gjermanë” tentojnë të bindin shtetasit e huaj që t’u japin të gjithë të dhënat personale duke u munduar t’u shesin produkte të ndryshme.

Në disa raste, ata punojnë për kompani të gjermane apo zvicerane të cilët kanë nevojë të shtojnë klientët e tyre.

Në këto raste, detyrë e telefonuesve nga Kosova është të bindin gjermanët apo zviceranët për të lënë një termin, në mënyrë që punëtorët e kompanisë në Gjermani apo Zvicër, të shkojnë dhe të mundohen të shesin produktin.

Albinfo.ch ka hulumtuar për disa ditë këto “Call Center” dhe ka arritur të gjejë së paku tre të tilla, një në Fushë Kosovë, një në lagjen “Vellusha” në Prishtinë dhe një në lagjen “Veternik”.

Në një “Call Center” të tillë ka punuar deri para disa muajsh edhe V. Krasniqi nga Prishtina, tash një student i cili për gati dhjetë vjet, ka jetuar në Gjermani me familje, saktësisht në landin e Baden Wurtembergut.

Albinfo.ch ka biseduar me të dhe nën kushtet e anonimitetit ai ka treguar deri diku se si funksionin puna e këtyre “Qendrave të thirrjes” të cilat del të jenë të paregjistruara.

Qendra ku ai ka punuar ishte në Fushë Kosovë, por tregon se të tilla ka edhe në Prishtinë, madje janë disa të ndryshme.

“Pagesa ka qenë shumë e ultë, vetëm 150 euro, por me bonuset qe merrnim, ai që arrinte të caktonte më shumë terminë me gjermanët apo zviceranët, merrte deri 170 euro”, thotë V.Krasniqi për Albinfo.ch.

Orari i punës së grupit të tij prej gati 20 vetash, thotë se ishte nga ora 16 deri në orën 21, por ai tregon se grupi tjetër punonte edhe në orët e paradites.

“Brenda kishim ushqimin dhe të gjitha, orët e pauzës dhe disa kushte. Ne nuk i shtypnim numrat, por kjo bëhej në mënyrë automatike nga kompjuteri”, thotë V.Krasniqi.

“Ne i drejtoheshim zviceranit apo gjermanit në emër sepse numëratorët telefonik janë shumë të saktë”, thotë ai, duke rrëfyer edhe arsyen përse vendosi që pas katër muajsh, të heq dorë.

“Detyrat ndërroheshin shpesh, varësisht nga marrëveshjet që kishte pronari me kompani të ndryshme. Herë linim terminë për prezantime të produkteve të ndryshme, herë i bindnim të ndryshonin kompani sigurimesh e herën e fundit kur e lash, ne shisnim produkte kozmetike”, thotë ky 22 vjeçar.

“Deri diku jam besimtar dhe më vinte turp t’i mashtroja njerëzit me produkte kozmetike të cilat ishin shumë të lira dhe prezantoheshin me çmime astronomike”, thotë V. Krasniqi.

Që nga ajo ditë, ai tregon se më nuk i ka interesuar për këto “Call Center” ndonëse nuk ka dëgjuar asnjëherë në lajme se policia ka arrestuar dikë për këto biznese.

Në fakt, as në Policinë e Kosovës nuk ka ndonjë të dhënë se dikush është arrestuar për një biznes të tillë.

© Brahim Sadriu, një nga zëdhënësit e Policisë së Kosovës

Brahim Sadriu, një nga zëdhënësit e Policisë së Kosovës tha për Albinfo.ch se forcat e rendit nuk kanë marrë ndonjë denoncim për qendra të tilla.

Ndërkohë, Albinfo.ch ka kërkuar edhe në faqen zyrtare të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe në Agjencinë për regjistrimin e Bizneseve por nuk ka gjetur ndonjë kompani të regjistruar që aktivitet ka “Call Center”.