Lajme

Ministrit Makolli nuk i lejohet hyrja në Serbi

Makolli:"Me moslejimin e vizitës në Preshevë dhe në Bujanoc, Serbia po dëshmon se nuk mund të shkëputet nga e kaluara "

Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, ka thënë se Serbia nuk është e interesuar që të përmirësojë raportet në Ballkan.“Kjo dëshmon dhe njëherë se Serbia së pari nuk është e interesuar për zbatim të marrëveshjeve që arrihen, dhe së dyti, me këso lloj veprimesh, Serbia po dëshmon se nuk është e interesuar për përmirësim të marrëdhënieve në Ballkan. Me forma të tilla ajo po ndikon në përkeqësimin e raporteve të përgjithshme në Ballkan”, tha Makolli.

Ministri Makolli tha se as ai, dhe as përfaqësuesit e pushtetit lokal në Luginën e Preshevës nuk kanë marrë përgjigje zyrtare se përse nuk lejohet kalimi.

“Jozyrtarisht kemi marrë një përgjigje, përmes së cilës, deklarimi i autoriteteve të Beogradit ka qenë se vizita nuk mund të realizohet në asnjë formë të mundshme”, tha Makolli.

Ai sqaroi se vizita e tij ishte zyrtare, por, nga ajo që ka kuptuar gjatë qëndrimit në zonën neutrale, “autoritetet serbe nuk do të më lejonin hyrjen në Luginë as si qytetar e as si ministër”.

Autoritetet policore serbe nuk kanë lejuar sot ministrin e Diasporës Ibrahim Makolli që të kalojë kufirin Kosovë-Serbi në vendkalimin kufitar në Konçul.

Ministri i Diasporës Ibrahim Makolli po udhëtonte në një vizitë zyrtare në komunat shqiptare në Luginën e Preshevës

Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Riza Halimi e quajti pengesën skandal politik.

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi i tha Radios Evropa e Lirë se policia lokale ka pasur një urdhëresë për të penguar hyrjen e Makollit në Serbi.

Ai sqaroi se autoritetet policore lejonin hyrjen e tij në cilësinë e qytetarit të thjeshtë, por jo si ministër i Qeverisë së Kosovës.

Kamberi tha po ashtu se kjo ndalesë e ministrit Makolli është mos respektim edhe i marrëveshjeve të arritur në Bruksel në dialogun Prishtinë- Beograd.

Vizita e ministrit Makolli kishte për qellim që të informohet nga afër me gjendjen aktuale politike të shqiptarëve në Preshevë dhe për gjendjen në të cilën jetojnë ata.

Ditë më parë, një grup intelektualësh nga Lugina e Preshevës kanë kërkuar nga krerët e institucioneve që të zhvillojnë vizita në këtë rajon të banuar me shumicë shqiptare.