Lajme

Së shpejti në treg bonot e thesarit

Qeveria e Kosovës këtë muaj planifikon të fillojë lëshimin e letrave me vlerë. Ndërsa, financimi do të bëhet nga një pjesë e mjeteve të trustit pensional.“Gjithçka është gati. Edhe me projektbuxhet është paraparë linjë e veçantë e të hyrave buxhetore në formë të huazimit të brendshëm, në masën prej 74 milionë eurosh.

Trajnimi i kapaciteteve njerëzore dhe pajisja me teknologji informative është në përfundim e sipër dhe në fillim të vitit të ardhshëm Qeveria mund të fillojë me emetimin e letrave me vlerë”, ka thënë Muharrem Shahini, zëdhënës i Ministrisë së Financave.“Qeveria e Kosovës planifikon të fillojë lëshimin e letrave me vlerë në fillim të vitit 2012.

Me emetimin e letrave me vlerë ndikimi më i madh do të arrihet në ngritjen e investimeve kapitale dhe zhvillimin/rritjen e ekonomisë së vendit. Letrat me vlerë, të cilat do të lëshohen nga Qeveria e Kosovës, do të krijojnë mundësi shumë të mira për investime”, tha Shahini.

Pa limite

Sipas Shahinit, ky treg financiar, i cili bart në vete dy komponentë, tregun vendor të letrave me vlerë dhe tregun kapitalit, kërkon infrastrukturë ligjore, ngritje të kapaciteteve njerëzore, pajisje të teknologjisë informative. “Pjese e tabelave tona buxhetore për vitin 2012 është paraparë të jetë edhe pjesa e financimit të brendshëm prej 74 milionësh, ku në ketë vlerë bëjnë pjesë edhe vlera e mjeteve që mund të investohet nga Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Këto mjete janë parapare të investohen në letra me vlerë (bono të thesarit), që planifikohet të lëshohen për herë të parë nga Ministria e Financave në fillim të vitit 2012, të cilat nuk do të jenë të limituara për investime vetëm nga Trusti i Kursimeve Pensionale, por në to mund të investon edhe çdo institucion tjetër financiar që sheh interes”, u shpreh Shahini. Për implementimit e tregut të letrave me vlerë ekziston baza ligjore, si dhe është duke u bërë trajnimi i stafit nga Ministria e Financave dhe Banka e Qendrore e Kosovës, të mbështetur nga asistenca teknike e Thesarit nga SHBA-ja.

Treg pa traditë

Njohës të çështjeve ekonomike në Kosovë thonë se është shumë herët të vlerësohet se sa do të jetë efikas tregu i letrave me vlerë në Kosovë, pasi që asnjëherë nuk e ka pasur një treg financiar të letrave me vlerë në vendin tonë.

“Qeveria po shpreson se nga të hyrat të tregut me vlerë do të ketë të hyra për buxhetin e Kosovës, ata kanë llogaritur se Qeveria do të shesë në treg letra me vlerë dhe do të përfitojë, se sa do të jetë e sigurt kjo është një fazë e hershme për të llogaritur efektin e saj”, tha Muhamet Sadiku, ekspert nga instituti “Riinvest. Ai theksoi se tregu ynë në këtë aspekt nuk ka traditë, pasi që të vlerësohet duhet të aplikohet për disa vjet, në mënyrë që të vlerësohet.“Kosova sigurisht në këtë aspekt është në vonesë të madhe, sepse sot Kosova nuk ka as treg të letrave me vlerë dhe nuk ka as fonde investive. Vendi ynë për momentin e ka një infrastrukturë fillestare financiare për zhvillimin e tregut të letrave me vlerë, ngase i ka resurset, si fondin e privatizimit të ngrirë, fondin e kursimeve të Trustit Pensional, fondin slloven- kosovar të kursimeve pensionale, fondin e kompanive te sigurimeve, pra këto janë disa institucione financiare, të cilat e përbëjnë një potencial të zhvillimit të mirë për vendosjen e tregut të letrave me vlerë”, tha Sadiku.

Tregu i letrave me vlerë, sipas tij, është një instrument i fuqishëm i përqendrimit të mjeteve monetare, me qëllim të mobilizimit të tyre.“Në këtë aspekt dua ta veçoj ekzistimin e tregut të letrave me vlerë të fuqishme në eurozonë, ku përdorimi i një valute të mundëson një përqendrim më të theksuar”, tha Sadiku. Ai e merr shembull SHBA-në, ku ka një ekonomi globale, fondet të cilat gjenerohen nga tregu i letrave me vlerë janë shumë të rëndësishme për mobilizimin e investimeve. Për të parë një efekt të tillë duhet të ekzistojë një legjislacion i qartë, i cili i reflekton nevojat specifike të Kosovës dhe legjislacionin, i cili i reflekton standardet ndërkombëtare për funksionimin e tregut të letrave me vlerë. (Kosova Sot)