Lajme
Ministria e Diasporës: Dështime apo suksese!
Në përmbledhjen e punës së tij, ministri Makolli nuk ka përmendur asnjë dështim, pavarësisht problemeve të shumta të diasporës kosovare
Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, në konferencën e fundvitit për media ka prezantuar punën dhe të arriturat e kësaj ministrie gjatë këtij viti që po lëmë pas, duke theksuar se është arritur progres në shumë fusha, për të cilat nuk pajtohen edhe njohësit e problemeve të mërgatës. Këta të fundit i vlerësojnë si dështime të Ministrisë së Diasporës mosinstitucionalizimin e mësimit shqip në diasporë, mosprocedimin e ligjit për mërgatën në parlament dhe moskrijimin e qendrave kulturore.
Në përmbledhjen e punës së tij ministri Makolli nuk ka përmendur asnjë dështim, pavarësisht problemeve të shumta të diasporës kosovare.
Ai ka folur për krijimin e infrastrukturës ligjore, përkatësisht hartimin e draftligjit për Diasporën, i cili, sipas tij, pritet shumë shpejt të miratohet nga Qeveria e Kosovës.
Pastaj ai ka numëruar objektivat për vitin e ardhshëm, duke u zotuar se mësimi plotësues në gjuhën amtare në diasporë mbetet prioritetet i Ministrisë së Diasporës edhe për vitin 2012.
Si prioritetet kryesor për vitin e ardhshëm është thënë nga ministri të jetë edhe hapja e Qendrave Kulturore të Kosovës në diasporë, edhe atë në Turqi, Zvicër e SHBA.
Ministri Ibrahim Makolli prezantoi edhe aktivitetet e ndryshme kulturore, të cilat i ka realizuar ministria të cilën ai e udhëheq gjatë vitit 2011.
Ai ka veçuar në këtë kontekst “Ditët e Kulturës së Kosovës në Diasporë”.
Nga ana tjetër, njohës të problemeve të mërgatës kanë një shpjegim tjetër. Ata thonë se megjithatë nuk është vërejtur ndonjë ndikimi institucional i Ministrisë së Diasporës në mërgatë.
Gazetari dhe publicisti Ismet Rashiti, i emigruar prej vitesh në Zvicër, ka thënë për albinfo.ch se janë vërejtur vetëm vizitat e shpeshta të ministrit dhe zyrtarëve të kësaj ministrie, porse nuk është zgjidhur asnjë prej problemeve të grumbulluara prej vitesh në diasporën kosovare.
“Është e kuptueshme se Ministria e Diasporës brenda kësaj periudhe nuk ka pasur mundësi reale të bëjë mrekulli dhe t’i zgjidhë si me shkop magjik të gjitha problemet e grumbulluara prej vitesh në diasporë. Por gjithsesi duhet të thuhet se ka qenë e mundshme dhe se ka pasur mundësi reale të ndihet sadopak dora e saj institucionale në segmentet më të rëndësishme të jetës së saj. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur, e as nuk është parë konkretisht brenda kësaj periudhe”, ka kritikuar Rashiti.
“E vetmja gjë që është vërejtur brenda kësaj periudhe kanë qenë vizitat bukur të shpeshta zyrtare, në disa raste edhe pa ndonjë arsye të madhe të Ministrit apo përfaqësuesve të kësaj ministrie dhe sjellja e Ansamblit “Shota“ në Zvicër dhe në Belgjikë. Në të dy rastet fitohet përshtypja se buxheti i kësaj ministrie më tepër po shfrytëzohet për t’i justifikuar udhëtimet jashtë shtetit të shoqëruara me honorare, sesa realizimi i ndonjë projekti konkret në favor të diasporës“, ka thënë gazetari Rashiti.
Për publicistin Rashiti, Ministria e Diasporës nuk ka ndonjë arsye bindëse për t’u krenuar apo për t’u lavdëruar për sukseset e saj nga themelimi e deri më tani.
Ai kritikon zyrtarët e Ministrisë së Diasporës se ende nuk kanë arritur ta procedojnë në Kuvend ligjin për Diasporën, i cili po mban peng edhe krijimin e qendrave kulturore në diasporë.
“Ajo nuk ka arritur ta sjellë në Kuvendin e Kosovës ligjin për diasporën, rreth të cilit është bërë shumë fjalë dhe janë organizuar debate në disa shtete evropiane. Boshti i krejt këtij ligji propagandistik është themelimi i qendrave kulturore në disa shtete, për të cilat askush nuk e di saktësisht se cili është roli, funksioni dhe kostoja financiare“, ka thënë Rashiti.
Madje, sipas tij, nuk është bërë ndonjë studimi serioz dhe se rrezikohet që këto qendra kulturore të mos arrijnë t’i përmbushin objektivat e tyre.
“Në fund të fundit, çfarë kuptimi ka, ta zëmë, të ekzistonte një qendër kulturore në Cyrih të Zvicrës, kur aty diku është Konsullata e Republikës së Kosovës që financohet nga i njëjti buxhet dhe që ka përafërsisht të njëjtat qëllime. Në vend të qendrave do të ishte e udhës që diaspora të krijojë lidhje të forta institucionale me ministritë përkatëse dhe të ndihmohet në të gjitha aspektet sa herë që është në pyetje interesi i saj dhe i shtetit të Kosovës“, thotë gazetari Rashiti.
Përveç qendrave kulturore, sipas tij, gjatë kësaj periudhe nuk është bërë asnjë hap konkret edhe në institucionalizimin e shkollës me mësim plotësues në Diasporë.
“Nuk është ndërmarrë asnjë nismë serioze për organizimin e diasporës mbi baza institucionale. Në këtë rrafsh nuk është bërë as ndonjë përpjekje konkrete, përfshirë këtu edhe financimin për organizimin e jetës ekonomike, kulturore e sportive në diasporën e Kosovës”, ka theksuar gazetari Ismet Rashiti.
Edhe Osman Osmani, ekspert i emigracionit, thotë të mos jenë marrë seriozisht me problemet, nevojat, preokupimet dhe dëshirat objektive të diasporës shqiptare në përgjithësi dhe asaj të Kosovës në veçanti.
Osmani është më shumë i shqetësuar me fatin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe.
“Edhe pas gati katër vjetësh të shpalljes së Kosovës shtet të pavarur, ende nuk është institucionalizuar mësimi plotësues në gjuhën shqipe në diasporë, nevojë e ngutshme kjo, e cila për çështje profesionalizmi si dhe të kualitetit, e pse jo edhe buxheti do të duhej të realizohej në bashkëpunim me institucionet gjegjëse të Republikës së Shqipërisë dhe, së paku edhe me ato të Maqedonisë (me rreth 60.000 shqiptarë në Zvicër figurojnë si qytetarë të kësaj republike). Thuhet se kjo është prioritet i institucioneve arsimore dhe ministrive gjegjëse. Në të vërtetë, kjo deri tani do të duhej të ishte punë e kryer“, thotë Osmani.
Ndërsa qendrat kulturore, për Osmanin, janë vetëm premtime dhe asgjë më shumë.
“Krijimi i premtuar i qendrave kulturore duket sikur u promovuan me ditët e kulturës së Kosovës edhe në Zvicër. Një aktivitet absurd dedikuar aktivistëve dhe aktorëve pjesëmarrës të diasporës shqiptare dhe asaj të Kosovës në Zvicër. Sikur ky aktivitet të organizohej në bashkëpunim me institucionet simotra të Zvicrës dhe për publikun që për gjuhë amtare ka gjermanishten, frëngjishten, italishten apo gjuhën retoromane, atëherë do të kishte një kuptim të caktuar”, tha mes tjerash sindikalisti kosovar, Osman Osmani.
Ndryshe mendon njëri prej bartësve të projekteve kulturore për shumë vite në diasporë, udhëheqësi i shkollës së vallëzimit “Shota” në Zvicër, Agron Bajrami. Ai tha se Ministria e Diasporës ka qenë e kufizuar në kohë dhe buxhet, por që shpreson se në vitin e ardhshëm do të bëjë më shumë për mërgatën.
“Koha kanë qenë e shkurtër për të bërë diçka më shumë, por edhe financat kanë munguar, dihet se buxheti për vitin 2011 u është ndarë shumë vonë, të mos themi gati në mbarim të vitit. Por, megjithatë, sa jam i njoftuar ky dikaster ka organizuar ditët e diasporës 2011 në Belgjikë dhe në Zvicër nga 9 – 12 dhjetor 2011, ka mbështetur edhe Festivalin e Filmit në Basel Swikos 2011”, thotë Bajrami.
Edhe Bajrami thotë të jetë e domosdoshme krijimi i qendrave kulturore në diasporë.
“Qendrat kulturore duhet të organizohen sa më shpejt që është e mundur, për arsye se Ambasadat e Kosovës nuk kanë atashe kulturor, kështu që qendrat kulturore do ta kishin luajtur rolin e vet dhe besoj se kultura do të organizohej shumë më mirë, në nivel professional. Nëpërmjet tyre do të organizoheshin edhe festivale të filmit, të këngës dhe valleve, mbrëmje poetike, etj.”, ka shtuar Bajrami.
E-Diaspora
-
Haradinaj konfirmon kandidaturën e parë për deputet nga diaspora Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se struktura e partisë në diasporë është... -
Ekspozita personale “Gjurmët në Medalion” e Valbona Gashit hapet në Konsullatën e Kosovës në Gjenevë -
Krasniqi: Mijëra fletëvotime nga diaspora rrezikojnë të mos arrijnë në kohë në Kosovë -
Mbahen takimet poetike të Nëntorit në Lucern -
Seminar i KKAD me temën “Sfidat e gjuhës shqipe në diasporë”
Jeta në Austri
-
Piloti austriak bën ulje emergjente afër kufirit me Italinë Piloti austriak bën ulje emergjente në autostradën A2 në Karinthia pranë kufirit italian; nuk ka të... -
Influencerja e zhdukur austriake gjendet e vdekur, brenda një valixheje -
Me 23 nëntor mbahet në Vjenë “Turneu i Pavarësisë” -
Koncert festiv për ditën e Pavarësisë së Shqipërisë në Baden të Austrisë -
Vjenë
Orë letrare në Vjenë në shënim të Ditës së Flamurit









