Lajme
2011-a, vit i “dhimbjeve të rritjes” të shqiptarëve në Zvicër
Shqiptarët në Zvicër kanë të drejtë të mos jenë të kënaqur me shumëçka, sa i përket imazhit, statusit, dhe gjendjes së përgjithshme të tyre në këtë vend. Por, ata nuk mund të ankohen se viti 2011 u kaloi i pa vënë re. Është e kundërta. Nga 1 janari deri në fund të dhjetorit të vitit 2011, komuniteti ynë ka shënuar fuqishëm praninë e tij në këtë vend. Cilësia e kësaj pranie nuk ka qenë gjithmonë ajo që dëshirohet por, diçka që nuk mund të mohohet, ka qenë tendenca drejt faktorizimit të shqiptarëve këtu. Tendencë që shoqërohet me probleme, çalime, trauma, që, së bashku, ngjajnë me dhimbjet e rritjes…
Ashtu sikur tendenca në fjalë, edhe pasqyrimi i saj në albinfo.ch ka qenë adekuat, në përputhje me rrjedhën e natyrshme të zhvillimeve. Më poshtë po e sjellim një kronologji rreth asaj që ka ndodhur me shqiptarët në Zvicër gjatë vitit 2011, ashtu siç e kanë regjistruar kronikët e portalit albinfo.ch.
– Janar
Pas pushimeve të vitit të ri, ajo që quhet “boshllëku i janarit”, kaplon edhe shqiptarët e këtushëm. Megjithatë, albinfo, krahas zhvillimeve të zakonshme të ditës, mbulon edhe disa aktivitete të komunitetit shqiptar këtu. “Tekstet shkollore falas për nxënësit shqiptarë në Zvicër” titullohet artikulli për një konsultë të LAPSH-së në Konsullatën e Kosovës në Cyrih, në të cilën është shqyrtuar gjendja e mësimit shqip në Zvicër.
Një sihariq që e jep albinfo.ch më 28 janar 2011, mban këtë titull: “Në Zvicër, së shpejti edhe letërnjoftimet e Kosovës”. Kjo “së shpejti” do të dalë pak më e ngadalshme, por dhënia e letërnjoftimeve megjithatë pati filluar.
– Shkurt
“Shqiptarët ia mësyjnë politikës zvicerane”, dhe më tutje “Së paku 42 shqiptarë në garat politike në Kantonin Vaud”, është mesazhi që përçon albinfo.ch nga zhvillimet drejt integrimit të shqiptarëve në jetën politike të shoqërisë pritëse. Kandidimi i një numri kaq të madh të shqiptarëve për parlamentet e disa komunave të kantonit Vaud kishte ngjallur kureshtjen edhe të medieve zvicerane, të informuara nga albinfo.ch.
Më 20 shkurt në portalin tonë raportohet edhe për një zhvillim të ri në drejtim të participimit të shqiptarëve në politikën zvicerane. Në shkrimin me titull “CDK synon përmirësimin e imazhit të shqiptarëve”, flitet për nismën e seksionit të CVP-PDC të kantonit të Lucernit për themelimin e forumit të shqiptarëve, respektivisht të demokristianëve kosovarë brenda kësaj partie. Nismës i jepet jehonë në opinionin zviceran. Ajo merr mjaft përkrahje por përcillet edhe me dilema.
– Mars
Shkrimi për kandidimin e mbi 40 shqiptarëve në zgjedhjet e mbajtura në komunat e kantonit Vaud merr edhe epilogun, pas kryerjes së zgjedhjeve. Titulli i artikullit të botuar më 18 mars: “Zgjidhen 11 këshilltarë shqiptarë në Vaud”.
Më 23 mars, portali njofton për një vendim që Gjyqi Federal Administrativ i Zvicrës kishte dhënë për vlefshmërinë e Marrëveshjes për Sigurimet Shoqërore. “Gjykata vendos në favor të shtetasve nga Kosova” është titulli. Artikulli flet lidhur me ndërprerjen e njëanshme e marrëveshjes për sigurimet shoqërore, temë kjo të cilën albinfo.ch e ka ndjekur në vazhdimësi.
– Prill
“Ylfete Fanaj, deputete në Parlamentin e Kantonit të Lucernit”. Në rrugën e integrimit të shqiptarëve në skenën politike të Zvicrës, ky lajm ka rëndësi të veçantë. Sepse, Fanaj po bëhej shqiptarja e parë e zgjedhur drejtpërdrejtë në një parlament kantoni në Zvicër.
– Maj
Më 29 maj 2011 themelohet në Bernë “Kuvendi i Shqiptarëve të Zvicrës”. I përgatitur për rreth dy vjet, “Kuvendi…” që synon rolin e lobit shqiptar, është themeluar nga përfaqësues kryesisht të brezit të ri shqiptar, të shkolluar në Zvicër, dhe aktiv në jetën shoqërore e politike të këtushme. Kryetar zgjidhet Orhan Spahiu.
Ndërsa një ngjarje tragjike ka ndodhur po kështu në fund të muajit maj. Në Einsiedeln të kantonit Schwyz shqiptari vret të bijën dhe bashkëshorten. Spekulimet e para flasin për “vrasje nderi” por motivet, mbeten të mjegulluara.
– Qershor
Për zgjedhjet për Parlamentin e Maqedonisë të mbajtura më 5 qershor, kanë kandiduar edhe pjesëtarë të diasporës. Për ta është organizuar votimi edhe në Zvicër, por vetëm një numër simbolik shqiptarësh kanë votuar. Kandidati i BDI-së ka marrë më së shumti vota, por ato nuk i kane mjaftuar për vendin e deputetit.
Gjatë qershorit, komuniteti shqiptar ka qenë nikoqir i tre ministrave kosovarë veç e veç. Në fillim ishte ministri i arsimit, Ramë Buja, pas tij ai i shëndetësisë, Ferid Agani dhe së fundi ministri i sapozgjedhur i diasporës, Ibrahim Makolli. Që të tre, gjatë vizitave të tyre merren kryesisht me “identifikimin e problemeve” në fushat e tyre dhe me pak përjashtime, mjaftohen me komunikimin me bashkatdhetarët në Zvicër.
Më 26 qershor përfundon Kampionati Evropian i Futbollit për kombëtaret U21. Pesë shqiptarë luajnë për kombëtaren përkatëse të Zvicrës. Kjo skuadër arrin deri në finale, ku humb nga Spanja. Një sukses i jashtëzakonshëm për djelmoshat e Pierluigi Tamit. Ata priten si heronj në Cyrih. Në mesin e më të merituarve janë shqiptarët: Shaqiri, Mehmedi, Xhaka me shokë.
– Korrik
Futbollistët shqiptarë të kombëtares U21 janë heronj të shkrimeve, komenteve, emisioneve në mediet zvicerane.
– Gusht
Pas një korriku të qetë dhe “të varfër” me zhvillime, gushti sjell dy tronditje të njëpasnjëshme. Një shqiptar në Pfäffikon të Cyrihut vret më 16 gusht bashkëshorten e vet dhe pastaj edhe drejtoreshën e entit social. “Kosovari vrau gruan ngase deshi divorc” është titulli i shkrimit të parë të publikuar nga albinfo.ch, pas ngjarjes.
Një shqiptar tjetër, në Interlaken të Bernës, më 17 gusht, ther me thikë një mundës zviceran. Të ndodhura në harkun kohor prej 2 ditësh, këto dy krime arrijnë të stigmatizojnë për një kohë jo vetëm dorasit por edhe gjithë komunitetin shqiptar. Krimet ishin shumë të rënda, por fajësimi i shqiptarëve si kolektivitet ishte i padrejtë.
Atmosfera e helmuar u shërbeu qarqeve ksenofobe për të vënë në lëvizje një makineri të urrejtjes ndaj shqiptarëve. Ngjarjet e rënda u bënë subjekt i fushatave populiste parazgjedhore të një partie.
– Shtator
Gushti i turbulluar i la vendin shtatorit më të qetë. Më 2 shtator albinfo.ch shkruan “Dhe, Zoti “dëgjoi” lutjet: dërgoi baletin nga Prishtina”. Shkrimi i referohet pjesëmarrjes së trupës së baletit kosovar në festivalin e Cyrihut. Tri shfaqjet e baletit nga Kosova u ndoqën me kërshëri nga një numër rekord shikuesish zviceranë. Po ndodhte kjo në ditët ndër më të zymtat që po përjetonte komuniteti i këtushëm shqiptar, si pasojë e demonizimit që i bëhej atij, pas dy krimeve të ndodhura gjatë gushtit.
“Xhuxhi magjik”, alias Xherdan Shaqiri, duke shënuar tre golat në ndeshjen kundër Bullgarisë, iu dha edhe një të shtyrë shpresave të Zvicrës për Evropianin 2012. Por, jo vetëm kaq. Performanca e shkëlqyer e Shaqirit me Xhakën, Mehmedin etj. shërbeu po kështu për debate të shumta në opinionin zviceran ku ngrihej lartë “fryma triumfuese” që kanë sjellë lojtarët shqiptarë në kombëtaren e Zvicrës.
Hija e Pfäffikonit dhe Interlakenit, tashmë rëndonte më pak mbi shqiptarët…
Më 23 shtator, një shesh i Cyrihut zbukurohet me skulpturën gjigante të autorit shqiptar, Sislej Xhafa. Një aktivitet impozant me praninë e krerëve të qytetit, i mbuluar nga mediet e këtushme përçon edhe një mesazh kundër stigmatizimit.
Shtatori duket të ketë qenë me fat për shqiptarët e Zvicrës, po aq sa i pafat qe për ta gushti.
– Tetor
Zvicra në prag të zgjedhjeve për Parlamentin Federal. Albinfo.ch mbulon aktivitetet lidhur me këto zgjedhje që do të mbahen më 23 tetor. Përmes videointervistave me kandidatë për këto zgjedhje, raporteve, lajmeve, etj. në portalin shqiptaro-zviceran bartet atmosfera elektorale.
Ndërkaq, më e përqendruar vëmendja e albinfos është te kandidatët shqiptarë, që për herë të parë kanë paraqitur kandidaturat e tyre për Parlamentin e Zvicrës. “Shqiptarët nuk siguruan asnjë vend në Parlamentin zviceran”, mban titullin artikulli i botuar një ditë pas zgjedhjeve, më 24 tetor. Por në fakt, nuk kishte ndonjë arsye për dëshpërim. Megjithatë, ishte hera e parë, dhe 7 kandidatët shqiptarë morën një numër votash që nuk është për tu nënçmuar.
– Nëntor
Më 11 nëntor, do të ndahej çmimi “Daspora”. Çmimi, që ndahet për herë të parë, shkon natyrshëm te, presidentja e Zvicrës, njëherësh ministre e jashtme, Micheline Calmy Rey, për meritat e jashtëzakonshme që ka për Kosovën dhe shqiptarët. Calmy Rey: “Për Kosovën kam bërë vetëm një pjesë nga ajo që ka bërë Zvicra” , mban titullin artikulli që pasqyron këtë aktivitet ku merr pjesë edhe ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj.
Autore e veprës artistike që mban emrin e çmimit “Diaspora” është arkitektja e re shqiptare, e lindur dhe e rritur në Zvicër, Shpëtime Kamberi.
Më 16 nëntor në organizim të Agjencisë për nxitjen e investimeve në Kosovë, IPAK dhe platformës mediale albinfo.ch mbahet në Cyrih Konferenca për të tërhequr investuesit potencialë zviceranë. Merr pjesë edhe ministrja e tregtisë dhe industrisë, Mimoza Kusari-Lila.
Nga 25 deri më 27 nëntor mbahet në Bazel festivali i filmit “Swikos”. Manifestimi që mbahet prej 5 vitesh, mbështetet për herë të parë edhe nga Qeveria e Kosovës, dhe me pjesëmarrje e nderojnë njerëz me peshë në filmin kosovar.
– Dhjetor
“Kosovari gjykohet për tregti me 107 kg heroinë”. Është fjala për rastin më të madh të tregtisë me heroinë të shënuar në historinë e re kriminalistike të Zvicrës. Ky është titulli dhe nëntitulli i një lajmi jo të mirë, të botuar më 11 dhjetor.
Më 12 dhe 13 dhjetor në Cyrih, Gjenevë, Winterthur dhe Schlieren mbahen “Ditët e Kulturës kosovare”, organizuar nga Ministria kosovare e diasporës.
Më 14 dhjetor mbahen zgjedhjet për Qeverinë (Këshillin Federal) të Zvicrës dhe pasqyrohen besnikërisht në portalin tonë.
Viti 2011, siç u tha në hyrje, po shkon duke lënë shenja të një lloji të ri në historinë e komunitetit shqiptar të Zvicrës. Shenja që shpjegohen me rritjen dhe pjekurinë e tij!
E-Diaspora
-
Haradinaj konfirmon kandidaturën e parë për deputet nga diaspora Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se struktura e partisë në diasporë është... -
Ekspozita personale “Gjurmët në Medalion” e Valbona Gashit hapet në Konsullatën e Kosovës në Gjenevë -
Krasniqi: Mijëra fletëvotime nga diaspora rrezikojnë të mos arrijnë në kohë në Kosovë -
Mbahen takimet poetike të Nëntorit në Lucern -
Seminar i KKAD me temën “Sfidat e gjuhës shqipe në diasporë”
Jeta në Austri
-
Piloti austriak bën ulje emergjente afër kufirit me Italinë Piloti austriak bën ulje emergjente në autostradën A2 në Karinthia pranë kufirit italian; nuk ka të... -
Influencerja e zhdukur austriake gjendet e vdekur, brenda një valixheje -
Me 23 nëntor mbahet në Vjenë “Turneu i Pavarësisë” -
Koncert festiv për ditën e Pavarësisë së Shqipërisë në Baden të Austrisë -
Vjenë
Orë letrare në Vjenë në shënim të Ditës së Flamurit










