Lajme
Kurti, diasporës: “Nuk është koha për demobilizim”
Albin Kurti ka folur për politikanët e pasuruar "me katapultë", për Vetëvendosjen si opozitë e vetme por edhe për gabimet e Vetëvendosjes

Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, me disa nga bashkëpunëtorët të shtunën më 12 nëntor ishte në Cyrih, me ç`rast ka bërë të njohur programin dhe konceptin e punës së lëvizjes që drejton.
Auditori përbëhej nga një shtresë të rinjsh, ende të “pakonsumuar” nga politika, idealistë ose të tillë që duan të jenë në trend dhe nga njerëz të moshës së mesme e të vjetër, të dëshpëruar nga të gjitha organizimet e deritashme politike në diasporë.
Para një mase të tillë që kishte mbushur sallën e restorantit Villa Miami në Glattbrug të Cyrihut, fillimisht për lëvizjen Vetëvendosje kanë folur Dardan Molliqaj, sekretar i përgjithshëm, Faton Topalli, veprimtar i diasporës dhe udhëheqës i Degës së Ferizajt dhe Bajram Arifaj nga qendra e lëvizjes për Zvicër.
Për Molliqajn, statuti i Lëvizjes Vetëvendosje është më i miri, “jo vetëm ndër shqiptarët por edhe në Ballkan”. Ai ka shkoqitur hollësi nga organizimi i Vetëvendosjes. Ajo që e dallon këtë lëvizje, ka thënë Molliqaj është funksionimi i saj në dy binarë paralelë: institucionalë dhe jashtinstitucionalë. Sipas shpjegimit të tij, një veprim i tillë është i nevojshëm në një vend si Kosova, që ende nuk e ka sovranitetin e plotë. Për ndryshim nga partitë ekzistuese në Kosovë, ka thënë Molliqaj, kontaktet me anëtarësinë te Vetëvendosja janë shumë më të ngushta dhe më funksionale.
Faton Topalli në fjalën e tij ka folur për kontributin e mërgatës shqiptare në të gjitha proceset që kanë ndodhur në Kosovë dhe trojet shqiptare. Ai ka radhitur në mënyrë retorike aspektet e këtij kontributi, duke ia kundërvënë atij shpërfilljen dhe përçmimin që, sipas tij, mërgata ka marrë nga klasa politike dhe qeveritë e deritashme në Kosovë. Pagesa e 50 eurove për sigurimin e automjeteve në kufijtë e Kosovës që zbatohet kryesisht ndaj mërgimtarëve, është njëri nga treguesit e plaçkitjes që i bëhet mërgatës, ka thënë Topalli.
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti u është drejtuar anëtarëve të Vetëvendosjes, simpatizantëve dhe kureshtarëve tjerë me sqarimin se përse sipas tij, mërgata shqiptare nuk duhet t`ia lejojë vetes luksin që të pasivizohet. “Në vitin 1999 kur u çlirua Kosova dhe në vitin 2008, kur ajo fitoi pavarësinë, njerëzit në diasporë pushuan angazhimin për Kosovën, me arsyetimin se tashmë u çliruam, respektivisht u pavarësuam kështu që angazhimin politik po ua lëmë politikanëve”. Gjë që është gabim, sipas Kurtit. “Detyrimi ndaj kombit, patriotizmi nuk është punë mandati katërvjeçar dhe as detyrim i periudhës së luftës apo okupimit, por angazhim i përjetshëm. Vetëm dëshmorët nuk e kanë këtë detyrim”.
Më tutje Albin Kurti ka shprehur admirimin për demokracinë e drejtpërdrejtë, karakteristike për sistemin politik të Zvicrës. Ai ka theksuar se diçka e tillë është në përputhje me konceptin e lëvizjes Vetëvendosje, e cila preferon referendumet në nivel nacional dhe lokal për shumë çështje me rëndësi për vendin ose për regjionin.
Ndërkaq, sa i përket aktualitetit politik në Kosovë, Kurti ka ngritur alarmin për dëmin që klasa politike dhe në veçanti qeveria, sipas tij, po i shkakton vendit. Privatizimi, është një ndër mënyrat me të cilat po shitet lirë Kosova. Këtë e bëjnë qeveritë tona të korruptuara, duke u servilosur para ndërkombëtarëve profiterë, ka tërhequr vërejtjen ai.
“Ne nuk kërkojmë të na marrin në qeveri. Ne kritikojmë qeverisjen, por ne nuk ankohemi. Ankimi është në një mënyrë lakmi për të qenë në postet të cilat i kanë zënë të tjerët. Prandaj, partitë tjera opozitare ankohen, vajtojnë sepse në fakt presin t`i thërrasin për tu bërë pjesë e qeverisjes”. Në këtë mënyrë ka përkufizuar Albin Kurti dallimin e opozitës që bën Vetëvendosja me atë që e bëjnë partitë tjera opozitare.
Publiku në vazhdim është përfshirë në një debat interesant lidhur me problemet që e mundojnë mërgatën, Kosovën dhe trojet shqiptare, gjegjësisht lidhur me qëndrimin që ka Vetëvendosja për to. Përveç me miratimin dhe komplimentet e shumicës, Albin Kurti dhe Vetëvendosje janë përballur edhe me nota skepticizmi e mospajtimi.
“Sharjet dhe gjuha e ashpër, e pagdhendur” ndaj politikanëve të pozitës, kanë qenë ndër pikat me të cilat nuk është pajtuar një debatues në moshë. Ndërsa një tjetër, i ri, ka kritikuar metodat si rrëzimi i kamionëve, gjuajtja me ngjyrë ose me domate e me vezë, e politikanëve të ndryshëm.
Duke iu përgjigjur vërejtjeve, Albin Kurti ka pranuar: “Po, edhe ne bëjmë gabime. Kemi bërë dhe sigurisht do të bëjmë. Ka raste kur jemi treguar të pamatur ose kemi vepruar në mënyrë jo shumë korrekte”. Por, ka vazhduar ai, “aktivistët tanë i kanë paguar shumëfish, edhe me dhunë të ushtruar ndaj tyre, këto veprime”.
Kurti ka përshkruar në vazhdim një kategori politikanësh tanë, të cilët “janë ngjitur në katet më të larta jo me këmbë, madje as me lift por me katapultë”. Kështu ka përshkruar ai figurativisht politikanët që nga varfëria ekstreme kane kaluar në pasuri ekstreme. Të tillët, sipas tij, me heqjen dorë nga privilegjet, rrezikojnë jo vetëm të kthehen ku kane qenë, në varfëri, por edhe të humbasin lirinë. Për këtë arsye ata janë kaq të pakompromis për të mos hequr dorë nga privilegjet që i kanë zënë.
Ai disa herë ka nënvizuar përparësitë që kanë shqiptarët e mërgatës, të cilët jetojnë në vendet perëndimore. “Ju jeni të vetmit që e dini se si është mirë, prandaj edhe mund të ndihmoni në ndryshimin gjendjes në Kosovë”, ka thënë Kurti. Këtë e ka theksuar ai duke shpjeguar apatinë dhe neglizhencën për ndryshime, që karakterizon shumicën e popullatës në Kosovë. “Ata nuk kanë parë më mirë, kështu që mund edhe të pajtohen me atë çka u ofrohet”, ka thënë ai.
Jo vetëm pasuria e akumuluar por edhe guximi qytetar i fituar në perëndim, është resurs i çmuar i bashkatdhetarëve me të cilin mund të bëhen ndryshime në Kosovë, ka thënë veç tjerash Albin Kurti në tubimin e mbajtur në Glatbrug të Cyrihut.
E-Diaspora
-
Kur gjendja dukej e pashpresë, mjekja gjermane shpëton vajzën nga Kosova Për shkak të diagnozës së saj me leukemi, një vajzë 14-vjeçare nga Kosova vjen në Gjermani...
-
Foto
Festa shqiptare në zemër të Cyrihut, sot është dita e dytë e Alba Festivalit
-
Ndryshime në votimin nga diaspora, fletëvotimet do t’u dërgohen me postë votuesve
-
Kosovarja fsheh pasurinë prej 350,000 frangash për të marrë ulje të primeve
-
Mijëra shqiptarë “pushtuan” rrugët e Nju Jorkut në paradën kuqezi
Jeta në Austri
-
Rënie e ndjeshme në ribashkimin familjar të refugjatëve në Austri Procesi i ribashkimit familjar për refugjatët në Austri është ngadalësuar ndjeshëm, madje edhe para ndalimit formal...
-
Austri: 11 të lënduar në aksidentin e rëndë me autobus në A1
-
95.8% e liqeneve dhe lumenjve të Austrisë janë vlerësuar si të “shkëlqyeshëm”
-
Ku në Evropë janë pikat më të pastra dhe më të pista të notit?
-
Pse gjatë verës në Alpe do të ketë reshje shumë më intensive në të ardhmen?