Lajme

Aksioni i KFOR-it në veri duket serioz

Aksioni për heqjen e barrikadave që serbët kanë vendosur në veri, doli jo edhe fort i lehtë për KFOR-in.

Paqeruajtësit hasën në rezistencë nga banorët serbë që kundërshtuan heqjen e barrikadave të vendosura nga 25 korriku.

Për ta realizuar këtë, ushtarëve të KFOR-it iu desh të përdorin edhe gazin lotsjellës, kurse të lënduar pati nga të dy palët.

Dhjetë ushtarë të KFOR’it janë plagosur gjatë aksionit, ndërsa edhe serbë ka të plagosur. Raportohet se 25 prej tyre janë lënduar nga përdorimi i gazit lotsjellës, shkruan Express.

Plagosjen e ushtarëve të KFOR’it e ka konfirmuar Zëdhënësi Franko Martin, kurse ndihmë mjekësore kanë marrë edhe serbët e lënduar.

“Ata janë duke u kuruar në shtëpinë e shëndetit në Zubin Potok”, i konfirmoi Radios Europa e Lirë, Borivoje Jaksiq, drejtor i Shtëpisë të Shëndetit në veri të Mitrovicës

Ndërkaq nga zyra për informim e KFOR-it thuhet se njëri nga ushtarët është lënduar nga gazi lotsjellës, një tjetër nga tymi i madh, ndërsa gjashtë të tjerët nga mjetet për shuarjen e zjarrit. Këta zyrtarë deklarojnë se operacioni pati sukses.

“Kemi kontroll të plotë në luginën e epërme të Ibrit dhe kemi kontroll të plotë në rrugët që janë përdorur për kontrabandë”, ka deklaruar zëdhënësi i KFOR-it, Uve Novicki.

Pjesa dërmuese e barrikadave që janë larguar, janë në rajonin e Zubin Potokut dhe siç merret vesh janë larguar vetëm barrikadat sekondare, ndërkaq ato në Zupç dhe Jagnjenicë nuk janë larguar, përkundër faktit se janë vlerësuar si dy barrikada kryesore në atë pjesë

Në zonën kah Leposaviqi, që çon për në Jarinjë, barrikadat nuk janë prekur fare, ndërsa nuk është parë as prania e serbëve në ato barrikada.

Është vlerësuar se pjesa ka Leposaviqi është pjesa më delikate për largimin e barrikadave edhe për KFOR-in.

Banorët e veriut janë kujdesur që qysh në mëngjes të qëndrojnë pranë barrikadave. Në Jagnjenicë atyre herë pas here u janë drejtuar liderët e tyre të cilët u kanë bërë thirrje që të mos dorëzohen. Ata kanë përdorur edhe fëmijët që të qëndrojnë në barrikada vetëm e vetëm që mos ta lejojnë KFOR-in që të bëjë zhbllokimin e tyre. Pavarësisht kësaj, KFOR-i ka ndërhyrë dhe është konfrontuar me turmat e serbëve të zemëruar që po i ruanin barrikadat.

Në një deklaratë që misioni i EULEX-it lëshoi për media gjatë ditës për të dhënë detaje rreth operacionit të përbashkët për heqjen e barrikadave në veri të Mitrovicës, theksoi se veprimet në fjalë janë ndërmarrë afër pikëkalimit 31 si dhe në zonën e Zubin Potokut.

“Barrikadat u larguan dhe u vendosën pika të kontrollit për automjete dhe postblloqe. Qëllimi i përgjithshëm është që të përmirësohet gjendja e sundimit të ligjit në këtë pjesë të Kosovës. EULEX-i i ndaloi për një kohë të shkurtër disa persona afër pikëkalimit 31, por ata u liruan më vonë. Janë shënuar disa incidente të vogla”, thuhet në deklaratën e misionit evropian.

Bëhet e ditur se diku 150 serbë tentuan të parandalojnë ushtarët e KFOR-it në largimin e barrikadave në një nga rrugët kryesore që çon në pikën kufitare në Bërnjak.

Serbët e mbledhur janë shpërndanë pas hedhjes së gazit lotsjellës nga pjesëtarët e KFOR-it.

Bisedimet ndërmjet përfaqësuesve të serbëve të veriut dhe atyre të misionit të NATO-s lidhur me heqjen e barrikadave rezultuan të pasuksesshme të mërkurën.