Lajme

Rikonfirmohet njohja nga Sulltanati i Omanit

Kryeministri Thaçi dhe ministri i Jashtëm i Omanit janë pajtuar që ndërmjet dy shteteve të lidhen marrëdhënie diplomatike

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj kanë marr konfirmimin nga ministri i Punëve të Jashtme i Sulltanatit të Omanit, Yusuf bin Alawi bin Abdulla për njohjen e plotë të pavarësisë së Kosovës nga ky shtet.

“Kryeministri Thaçi dhe ministri i Jashtëm i Omanit janë pajtuar që shumë shpejt ndërmjet dy shteteve të lidhen marrëdhënie diplomatike, përmes shkëmbimit të ambasadorëve”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Takimi në mes kryeministrit Thaçi dhe Hoxhaj me ministrin e Jashtëm bin Abdullah është zhvilluar në Ambasadën e Sulltanatit të Omanit pranë OBK-së në New Jork.

Sipas komunikatës së lëshuar nga Ministria e Punëve të Jashtme, ditët e ardhshme delegacioni i Republikës së Kosovës do të ketë takime të shumta me shtete që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, në përpjekje për të rritur numrin e njohjeve.